Nga Lulzim BASHA
Siç ka bërë këto 8 vjet, Rama merret vetëm me propagandë. Po të kishte shpenzuar 10% të kohës që kalon në instagram, për të bërë detyrën e kryeministrit, sot nuk do të ishim në këtë gjendje. Ai e ka humbur kontrollin mbi pandeminë. Për faj të tij qindra shqiptarë kanë humbur jetën nga covid dhe infeksionet po rriten përditë.
Rama nuk ka asnjë plan për të ndihmuar njerëzit. Spitalet, mjekët e infermierët janë të mbingarkuar dhe pacientët dergjen me orë të tëra në ambulanca. Qeveria fsheh shifrat reale të viktimave dhe të të infektuarve. Numri i testimeve është më i ulëti në Europë, njerëzit presin me javë për përgjigjen dhe fatura e barnave dhe trajtimit është e papërballueshme.
Rama gënjen sepse nuk mori asnjë masë për t’u përballur me valën e dytë. Ai gënjen sepse edhe në kohë pandemie i çoi paratë e taksave të shqiptarëve për koncesione dhe tendera të miqve e tij. Pasi shkatërroi ekonominë, Rama po shkatërron jetët dhe shëndetin e njerëzve.
Së bashku kemi forcën për ta mposhtur këtë të keqe, dhe për të sjellë shpresën dhe të ardhmen që dëshiron çdo shqiptar.