Një elegji rrënqethëse!

Miq, gazetari Julian Hoxha i ka kushtuar nje elegji tejet prekese dajos se tij te dashur, Gramozit qe vdiq ne spitalin covid pasi nuk ju dha oksigjeni (sepse nuk kishte) dhe pergjigjen e testit e mori pas varrimit.
Ju ftoj te dashur miq, t’i shprehim ngushellime Julianit dhe te gjithe familjes se te ndjerit dhe te shperndani kete elegji te ndjere qe mendoj se duhet ta lexoj çdo njeri! sb
MESAZHI
Dajë, na theve zemrën!
E kam të vështirë të shkruaj 24 orë pasi mora lajmin e kobshëm, e kam të vështirë ta besoj këtë! Ti nuk meritoje të ikje kështu, të ikje në amëshim kaq herët, kaq shpejt… Sa brenga kam o dajë, sa dhimbje kam që nuk pata shansin e vetëm të bëja diçka, ah sikur ta dija pak më herët sikletin tënd…
Tani që po shkruaj jam i mpirë i gjithi, ende nuk më besohet që nuk do jesh më pranë nesh me mirësinë tënde, dashurinë e një njeriu që mishëronte çdo vlerë njerëzore! Ishe unik o dajë, ishe babi ideal, bashkëshorti shembullor, ishe daja që do kishte zili gjithkush ta kishte, ishe shoku që nuk njihte limite në shoqëri, ndoshta ishe aq i mirë sa Zoti të mori pranë tij! Sot ndjeva dhimbje që kurrë më parë nuk e kisha provuar, sot teksa të dhashë lamtumirën me një dorë dhe, kuptova se çfarë po humbja!
Sot të vajtuam ne që të deshëm në shpirt, por sot shkruan për ty dhe ata që mund të të kishin dhënë pak oksigjen te QSUT pardje, apo ata që ndoshta do të duhet ta kishin sjellë përgjigjen e tamponit të paktën dje, e jo sot kur shpirti jot ishte në udhëtimin e përjetësisë!
Më ndje o dajë sepse nuk meriton ta bëjë pis ketë status me propagandën qeveritare, por më lejo t’i them dy fjalë publikisht për situatën!
Dje kur motra jote, nëna ime më shkruajti të interesohem për ty se kishe shkuar tek Infektivi, isha duke qëmtuar disa fakte se si propaganda qeveritare ka nisur të përzgjedhë njerëzit që marrin kurim ose jo! Faktet, tashmë i servir qeveria vetë, i thotë me zë e figurë, pavarësisht se e shet si propagandë që mendjes së zakonshme ti’ duket sukses! Ishin mjaftueshëm fakte për të ndërtuar një kronikë të zezë, për të demaskuar propagandën që po u kushton jetën shqiptarëve.
Mirëpo nuk e dija, as e mendoja kurrë se ti o dajë dhe teta Nushi, do të ishit argumenti im i përjetësisë për të luftuar këtë të keqe që na ka rënë, jo virusin, por qeverinë që tashmë duket se po vret më shumë se vetë virusi! Sigurisht, tashmë nuk më thotë dot askush që ty të dhanë oksigjen në QSUT, sepse oksigjen nuk kishte.
Nuk më thotë dot askush që ti e more përgjigjen e tamponit në kohë, sepse ajo e shkretë përgjigje mu komunikua mua sot teksa kthehesha në Tiranë zemërthyer. Askush nuk e mohon dot, as propaganda më e shfrenuar, faktin se sot në Fier po trajtojnë pacientë me Covid, ndërsa nisen në Tiranë i kthejnë mbrapsht sepse vende nuk ka… ka shumë, por ndoshta Zoti do të vërë dorë për të pastruar këtë maskaradë që po u bëhet shqiptarëve!
Sot dajë, rroga jote taksohet që klientët e qeverisë të shkojnë me çarter për kurim në Turqi, e ndonëse me ato para të Check-up mund t’u ishin bërë tampone çdo dy javë gjithë mjekëve e mësuesve, që sot janë më të rriskuar se kushdo!
Unë sot të humba dajë, të humba fizikisht, por ti do të jesh kryexhevahiri i zemrës time, për të luftuar ndaj kauzës së jetës dhe të vërtetës, sepse ti gjithmonë krenoheshe me mua si: nipi im gazetar!
Të premtoj dajë, këtë mision do ta çoj deri në fund, për ty, për shqiptarët, për ata që nuk kanë zë të nxjerrin prej shpirti britmën e dhimbjes nga pafuqia pêr të reaguar!
I miri im dajë Gramozi, lamtumirë!
Artikulli paraprakJa pse qytetarët do fitojnë në mënyrë graduale imunitetin ndaj Covid-19
Artikulli tjetërBE shkëputet nga OBSH, plani për krijimin e Institucionit për Pandemitë