Miratohet Plani Kombëtar për parandalimin e luftën ndaj trafikimit të pasurive kulturore të luajtshme. Ky plan kombëtar, i cili ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare ditën e djeshme, ka si qëllim krijimin e një inventari të Fondit Kombëtar të Pasurive Kulturore, si dhe përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon fushën e trashëgimisë kulturore.
Ky plan veprimi, i cili është përcaktuar për periudhën 2016-2018, ka një kosto rreth 182 mln lekë dhe do të mbledhë bashkë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Shtetit, si dhe Ministrinë e Kulturës.
Ky plan përcakton se poseduesit privatë, që kanë në zotërim objekte të trashëgimisë kulturore të luajtshme, brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, i regjistrojnë ato në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore.
Plani specifikon se, për parandalimin e trafikimit të pasurive kulturore të luajtshme synohet të realizohen këta objektiva kryesorë:
1. Krijimi dhe përditësimi i Inventarit të Fondit Kombëtar të Pasurive Kulturore. Përcaktimi i afatit kohor të detyrueshëm, 2016–2018, për zbatim nga institucionet që posedojnë dhe administrojnë objekte apo fonde të pasurive kulturore.
2. Përmirësimi i kuadrit ligjor që rregullon fushën e trashëgimisë kulturore në funksion të forcimit të luftës kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.
3. Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional në nivel qendror apo lokal, për të maksimizuar përpjekjet e të gjitha institucioneve të përfshira në luftën kundër trafikimit të pasurive kulturore të luajtshme.
4. Fuqizimi i kapaciteteve teknike dhe profesionale përmes organizimit të trajnimeve dhe të takimeve të përbashkëta.
5. Intensifikimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e trafikimit të paligjshëm përmes nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe ose shumëpalëshe.
6. Ndërgjegjësimi në komunitet mbi trafikimin e paligjshëm dhe pasojat e tij.