Rama, pagën minimale e rrit ekonomia jo qeveria!

Nga Enton LASKA

Duke nisur nga 1 janari hyri në fuqi rritja e pagës minimale që tashmë do jetë 30 mijë lekë në muaj. Ky është një lajm i mirë për shumë familje shqiptare, por lajm i trishtë për Shqipërinë, ku pas 30 vitesh nga rënia e regjimit komunist standardi i pagave është i njëjtë me vendet e Afrikës së Veriut.

Kryeministri paturpësisht krenohet me atë çfarë do duhej të ishte turpi i tij.
Zoti Rama në 7 vite që (keq)qeverisni këtë vend sa investitorë ndërkombëtare me peshë keni sjellë në Shqipëri?

Zoti Kryeministër na thuaj cila kompani prestigjioze ndërkombëtare ka vendosur të sjellë sipërmarrjen në Shqipëri, në vendin tonë?

Nuk keni përgjigje për këto pyetje, ose përgjigjja juaj do jetë propagandë, por shifrat janë kokëforte dhe rrëzojnë fjalët.

Në Shqipëri gjatë qeverisjes suaj kanë ardhur të investojnë vetëm përfaqësues të klaneve mafioze ndërkombëtare, si dhe vendi është bërë një parajsë për pastrimin e parave të krimit.

Kullat, të preferuarat e tua, sot janë hambari më i madh i pastrimit të parave në Evropë, e atje një të riu shqiptar do t’i duheshin 5 dekada për të blerë një apartament.

Rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë është një lëmoshë, ndërkohë për shumë biznese të vogla, psh nga Kurbini, Mirdita a Lushnja, do jetë një barrë e rëndë.

Jo të gjithë sipërmarrësit e vegjël i kanë mundësitë të përballen me rivalët e tyre që pastrojnë paratë e krimit.

Sa kohë ekonominë e ke lënë në duar të mësuesve të anglishtes, nuk ke nga ta dish se pagën minimale e rrit ekonomia dhe jo qeveria. Pagën minimale e rrit mirëqenia, investimet, projektet afatgjata të kompanive internacionale, të cilat duke parë klimën e biznesit vendosin të hapin degë në Shqipëri.

Pagën minimale e rrit zhdukja e taksidarëve që po i marrin frymën biznesit të vogël e të mesëm për të mbushur gropën e zezë të korrupsionit e të babëzisë, të makinave të luksit e ndryshimit mobiljeve të zyrave të vartësve të tu.

Pagën minimale e rrisin strategjitë dhe vullneti për të zhvilluar ekonominë dhe për ta renditur Shqipërinë krah vendeve të zhvilluara të Evropës.

Exit mobile version