Kryetari i PD, Lulzim Basha vijoi turin e takimeve për të ndarë me grupet e interesit programin e tij qeverisës, Shqipëria Fiton.
Në një bisedë të hapur me përfaqësues të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, kandidati për kryeministër i Opozitës së Bashkuar, shpalosi detajet e programit, në veçanti atij ekonomik dhe efektet që do të ketë ai për biznesin në përgjithësi e për prodhuesit shqiptarë në veçanti.
Lulzim Basha: Uroj dhe kam bindjen që do të gjeni në këto propozimet tona shumë prej shqetësimeve që keni ngritur dhe shumë prej problemeve me të cilat jeni përballur gjatë këtyre viteve. Në rrafshin e reformës fiskale, ne i qëndrojmë me vendosmëri angazhimit tonë për taksën e sheshtë 9%. Sikundër, uljen e kontributeve shoqërore në 18%, pra, 9+9 duke zbatuar kështu parimin e taksës së sheshtë si një parim që do të nxisë rritjen ekonomike, do të nxisë punësimin, por po kështu do të nxisë transparencën dhe do të luftojë informalitetit dhe duke çuar në një skenar të tre palët fitojnë.
Sipërmarrjet shqiptare në radhë të parë, është një ndihmë e konsiderueshme financiare, është në fakt një akt i cili lë në xhepat dhe në kontot tuaja një pjesë të parave tuaja, se nuk është ndihmë, është thjeshtë mos t’ju fusim dorën në xhep aq thellë saç u është futur në këto 8 vite. Në këtë mënyrë ju keni një stimulues për të stabilizuar gjendjen ekonomike e cila ka qenë e vështirë, është e vështirësuar edhe më shumë këto vitet e fundit. Kemi një stimulues për të investuar dhe për të punësuar, dhe këtu vjen pala e dytë fituese e këtij propozimi që janë të punësuarit.
Punësimi si objektiv kryesor ju jeni dhe ne besojmë se me të gjitha hapat që do të hidhen rezultati përfundimtar në krye të katër viteve do të jetë hapja e të paktën 110 mijë vendeve të reja të punës për ekonominë shqiptare në të gjitha sektorët, jo vetëm në sektorin e prodhimit. Dhe pa diskutim që dhe shteti do të fitojë dhe ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë apo e shesin si paradoks duhet ta kenë fare të qartë; taksa 15% në tërësi ambienti fiskal, klima e tmerrshme e krijuar kundër biznesit ka çuar në skenarin më të mirë uljen e fitimeve të biznesit, në skenarin më të keq falimentimin e biznesit.
Kur biznesit i ulen fitimet, edhe arka e shtetit është bosh. Po kaq bosh dhe më bosh është në qoftë se biznesi falimenton. Ndërsa me fuqizimin e biznesit përfitojnë edhe të punësuarit, rritet dhe konsumi, përfiton dhe arka e shtetit. Dhe ky është fituesi i tretë i skemës, i angazhimit që ne ndërmarrim në fushën fiskale. Fiton sipërmarrja, fitojnë të punësuarit, hapen vende të reja pune, pa diskutim përfiton dhe arka e shtetit e cila, buxheti i shtetit, të ardhurat publike të cilat sigurisht duhet të destinohen me mençuri, me zgjuarsi për t’u përballur edhe me sfidat aktuale, por edhe për të mbështetur më tej zhvillimin ekonomik dhe jo të keqpërdoren duke ia dhënë paratë një grushti njerëzish, ortakësh të qeverisë apo duke bërë investime pa efiçiencë, zbukurime dhe buzëkuq elektoral i cili nuk ndihmon ekonominë, nuk ndihmon infrastrukturën, nuk ndihmon aspekte të tjera për standardin e jetesës siç janë uji i pijshëm, energjia, etj, etj-ra.
Kreu demokrat tregoi edhe angazhimet e tij sa i përket aspektit fiskal, ku sipas tij fiton biznesi, por fiton edhe shteti. Ai përsëriti edhe njëherë premtimin për heqjen e taksës Rama mbi karburantit dhe një sërë masash të tjera që do i vijnë në ndihmë qytetarëve dhe biznesit.
Lulzim Basha: Taksa e sheshtë 9%, kontributet shoqërore 18%, ulja e çmimit të karburantit, e patë besoj studimin e fundit, ju nuk jeni habitur, as ne nuk jemi habitur sepse ne kemi 3-4 vite që e kemi betejë të përditshme por shumë kush mund të jetë habitur kur e ka parë Shqipërinë në krye të tre vendeve të botës për çmimin e karburantit, krahë për krahë Singaporit dhe Suedisë. Imagjinoni tani shqiptarin pronar automjeti apo përdorues transporti apo sektorin ekonomik që e kanë karburantin gjakun e ekonomisë, me vështirësitë që përballeni, me të ardhurat që keni me sfidat që duhet të kapërceni, dhe karburantin e paguani aq shtrenjtë sa dy nga vendet me standardin më të lartë në botë – Singapori dhe Suedia, që janë ka 30 vjet që janë ndër vendet me standardin më të lartë të jetesës në botë.
Ulja e çmimit të karburantit do të vijë nëpërmjet eleminimit të taksës Rama, 240 lekë të vjetra, 24 lekë të reja për çdo litër, taksë e cila u aplikua, vit pas viti që nga vitit 2014 dhe 2015 dhe që e bëri karburantin shqiptar më të shtrenjtin në Ballkan, në Europë, dhe ndër më të shtrenjtët në botë. Pa diskutim këto janë hapa të prekshëm financiar të cilët drejtpërdrejtë do t’i ndjeni si lehtësim në xhepat tuaja, në kontot tuaja, në aftësinë tuaj për të qarkulluar kapitalin, për të marrë kredi, për të rritur investimet, për të hapur vende punës. Pa diskutim një sërë probleme të tjera që ju keni ngritur kanë marrë zgjidhje në angazhimet tona ku është dhe gangrena e stërzgjatur e rimbursimeve të TVSH-së, që prej absolutisht çdo sektor dhe në veçanti sektorin e prodhimit.
Të gjitha këto do të ndodhin përmes lehtësimit të bazës ligjore, përmes përmbledhës së të gjitha rregullave në një kod të thjeshtë tatimor, përmes eliminimit të një numri shumë të madh autorizimesh, lejesh, licencash, ku sot mbi 1000 zyrtarë të shtetit kanë vulë dhe firmë dhe do të kalosh nga 1 mijë zyrtarë të shtetit me vulë dhe me firmë, por para se të ecësh apo të hedhësh një hap përpara në sipërmarrje, në biznes apo edhe për qytetarin e thjeshtë për të ndërmarrë një akt të veçantë që ka lidhje me jetën e tij apo me jetën e saj të përditshme.