Spitali i Kurbinit, mashtrimet e Ramës dhe drama e familjeve që kaluan acarin nën çadra

Nga Elton LASKA

Ngriti qeverinë në këmbë për të pritur në Rinas një sasi prej 7 mijë vaksinash, ndërkohë shifrat e rasteve të reja të të prekurve me Covid dhe viktimave kanë dalë jashtë kontrollit dhe shteti ka shpallur kapitullimin pa kushte, pasi para nuk ka më për shëndetësinë, se ato i morën oligarkët, mes tyre dhe “Niku” i Ndranghetas.

Këtë të martë Beu i Surrelit, kryeministër i Rilindjes na foli sërish për spitalin që sipas tij është ndërtuar në pranverën e 2020.

“Deri në fund të pranverës ju do keni spitalin e ri!” Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama e bërë me 14 dhjetorit 2019, por në fakt sot nisën gërmimet për Spitalin (Poliklinikën) e Kurbinit, edhe pse Rama më herët po në faqet e tij në rrjetet sociale shkruante me 2 dhjetor 2020 se punimet kanë nisur. Se cilin Ramë duhet të besojmë këtë do ta vendosim së bashku me 25 prill, ku uroj të kemi marrë ndonjë leksione nga vëllezërit tanë në Dardani.

Duke qëndruar gjatë më Erdoganin dhe duke e adhuruar liderin turk Rama sot në Kurbin u zotua se spitali i ri i Kurbinit përfundon më shpejt se për 4 muaj, zotim që dyshoj do mbetet në 3D.

Ndërkohë Spitali që po ndërton Turqia ne Fier është drejt fundit dhe mesa duket Erdogani po e mban premtimin e tij, ndërsa ky Babloku ynë pas 4 muajsh besoj as nuk do ketë nevojë t’u japë shpjegime banorëve të Kurbinit se përse i gënjeu.

Kryeministri Edi Rama para se të gënjejë paturpësisht për spitalin duhej të jepte llogari për ato familje të mbetura të pastrehë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit që përmbytjet dhe temperaturat e acarta të datave 14 dhe 15 shkurt i kaluan në çadra.

Edi Rama sot duhet të vizitonte familjen e Viktor Gjonit, Tahir Muratajt dhe Etleva Veselit, dëshmitë e të cilëve në media të rrënqethin shpirtin dhe dëshmojnë se ky shtet ka dështuar dhe qytetarët po paguajnë faturën e rëndë të pangopësisë që si bën derman as bifteku prej floriri i Nusre-tit.

Në çdo vend të botës kjo babëzi do ndëshkohej në mënyrën më brutale, por edhe këtu po i vjen fundit se zullumi këputet kur trashet.

Ritmet e arritjes së kësaj qeverie janë të njëjta me ritmin e borëpastrueseve të Laçit dhe Lezhës, që u bllokuan në 10 cm dëborë pasi nuk kishin as karburant dhe shkaktuan një kaos të përmasave tragjikomike, duke rrezikuar jetë njerëzish.

Dështimi dhe vjedhja janë emërues i përbashkët i qeverisjes së këtij sekti që i ka bërë vendit aq dëme sa do duhen vite për ti rikuperuar.

Exit mobile version