Basha: Biznesi i ndershëm paguan taksën 15%! Mjafton t’i heqim biznesit barrën dhe sjellin zhvillim e rritje!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në një biznes të madh në autostradën Tiranë-Durrës, ku njohu biznesin shqiptar me planin e PD dhe opozitës shqiptare për shpëtimin e ekonomisë nga rënia në humnerën ku e ka çuar keqqeverisja e dështuar e këtyre 8 viteve.

Basha dëgjoi problematikat e biznesit dhe i njohu ata me angazhimet e tij konkrete që kthejnë normalitetin dhe krijojnë premisat për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe rimëkëmbjen e biznesit.

Basha tha se, me 25 prill dy janë zgjedhjet: Ose shpëtimi i ekonomisë ose lënia e ekonomisë në duart e një grupi miqsh të kryeministrit që gllabërojnë gjithë taksat e shqiptarëve me PPP e koncensione.

Lulzim Basha: Plani ynë ekonomik i cili është shpalosur prej më shumë se katër javësh, ka qenë transparent dhe proces i një dialogu të përhershëm me të gjithë palët e interesuara, duke nisur me familjet shqiptare që janë në qendër të këtij programi, me biznesin e vogël dhe të mesëm që është shtylla kurrizore të ekonomisë shqiptare. Me biznesin e madh e në veçanti prodhuesit që janë motori i zhvillimit, por po kështu edhe fermerët, edhe me studentët, edhe me pedagogët. Sot ndodhemi në një moment krizë të thellë ekonomike.

Pa diskutim që pandemia ka dhënë efektet e saj, por kjo krizë ekonomike ju e dini fare mirë ka nisur para pandemisë dhe është rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës totale të çdo mbështetje apo politik mbështetëse nga kjo qeveri për 8 vite me radhë ndaj biznesit, nga njëra anë dhe nga ana tjetër i një sërë politikash shtrënguese dhe të gabuara të cilat kanë sjell rënien e prodhimit, kanë sjell rënien e punësimit dhe si rezultat këtë krizë të gjithanshme që përjetojmë. Për të mos folur pastaj për mënyrën se si është administruar apo keq menaxhuar pandemia. Në kuptimin shëndetësor nuk ka nevojë të zgjatem sepse është një katastrofë totale.

Tani që flasim, Tirana, e gjithë Shqipëria është kthyer në një spital të madh, ku njerëzit po mundohen të kurohen nëpër shtëpia sepse spitalet janë plotë, ku kujdesi shëndetësor po paguhet nga xhepat e njerëzve, dhe sot kishte dal një studim i hollësishëm se sa po rëndohen xhepat e shqiptarëve për shkak të kostos të pandemisë dhe të gjitha këto sepse qeveria dështoi t’i vinte veshin planit që ne i vumë në tavolinë që në shtator për t’i dalë përpara kësaj të keqe.

Plani ishte fare i thjesht. Plani parashikonte për sipërmarrjen e mesme dhe të vogël një garant, apo të themi një çek prej 1 mijë euro për të përballuar kostot e menjëhershëm. Parashikonte një skemë shtesë për biznesin prodhues dhe biznesin e madh me akses në kredi me garanci sovrane, shtetërore, me zero interes për sipërmarrjet operative dhe për lekët e rrogës që më thatë vet që keni 100 e ca punonjës që i paguani nga xhepi megjithëse nuk nxirrni fitim. Parashikonte po kështu rimbursimin e plotë e ilaçeve të cilin 4 mija pasi ne ja kemi kërkuar qeverisë, e kanë shpallur me letra, por që nuk zbatohet dhe shumica e familjeve shqiptare që kanë tani pothuajse të gjithë familjet kanë nga një të sëmurë me COVID, po paguajnë qindra mijëra lekë në javë, miliona në muaj për shëndetin dhe jetën e pacientëve.

Kështu që mos të flas fare për pjesën e administrimit apo keq menaxhimit të pandemisë nga Rama, sepse këtu nuk ka vend me cilin të krahasohemi në Ballkan. Nuk e di se me çfarë vendi në botë mund të krahasohemi. E tregojnë të gjitha, shifrat e infeksioneve, shifrat e të ndarëve nga jeta, të vdekurit nga pandemia që i fshehën për të fshehur dështimin, kjo është një temë e cila po trajtohet dhe do trajtohet, natyrisht që është më e rëndësishëm shëndeti dhe jeta e njerëzve.

Por është shkatërrimi i dytë që ka sjell kjo krizë, është që ka vënë shkelmin e fundit një ekonomie që ishte në krizë edhe para pandemisë. Edhe këtu kemi dështuar. Edhe këtu qeveria ka dhënë paketën më minimale të ndihmës krahasuar me çdo vend tjetër. Shikoni, Maqedonia ka dhënë paketën e pestë. Qeveria në Kosovë kaloi 3 milion euro vetëm për mësuesit para disa ditësh. Ndërsa këtu nuk mbahen mend ato thërrime që u dhanë me shumë vonesë, të cilat me një dorë u dhanë, me dorën tjetër jua morën atyre që jua dhanë. Kjo është situata sa i përket ekonomisë.

Plani ynë trajton daljen nga kriza por edhe masa afatgjatë. Sepse në këtë krizë nuk e solli pandemia. Në këtë krizë na solli fakti që Edi Rama premtoi uljen taksave për 97% të shqiptarëve dhe sot 100% të shqiptarëve paguajnë taksa më të larta, tarifa më të larta, kosto 40% më të lartë e jetesës. Vetëm nga taksat e rritura, kanë paguar 3 miliard euro në 8 vite, vetëm nga taksat e rritura. Pra, jemi në një moment ku para 8 vitesh ky kryeministër që ka dhe dy muaj të përfundojë detyrën që nuk e bëri kurrë, premtoi ulje taksash për të gjithë dhe mori 3 miliardë taksa më shumë nga njerëzit.

Po marr një premtim që është i prekshëm dhe në një situatë normale, ne nuk jemi në situatë normale sepse nuk kemi qeveri normale dhe s’kemi një kryeministër normal, këto dy muajt e fundit një gjë duhet të bënte; të kërkonte falje dhe duhet të ikte një orë e më parë. Tani ka ditë për ditë që shpalos të tjera premtime boshe, s’ka mbajtur asnjë nga premtimet që u dha as sipërmarrjes, as prodhuesve, as sipërmarrjes së vogël, as qytetarëve. Dështimi është i prekshëm në çdo fushë dhe fatura e dështimit është e qartë për këdo. Ne ju kemi shpalosur një plan konkret i cili ka disa objektiva të arritshme dhe të zbatueshme po që janë pjesë e këtij plani, nuk janë premtime boshe.

Plani konkret ka për qëllim të ndryshojë jetën e çdo shqiptari. 110 mijë vende pune, është një angazhim konkret i cili është i lidhur me atë çfarë do të bëni ju nesër, se qeveria nuk mund të krijojë 110 mijë vende pune me një të rënë të lapsit, as me dekret , por duhet ë marrë një sërë masash që të arrijë në nxitjen e punësimit dhe në punësimin e 110 mijë shqiptarëve. E njëjta gjë me pagën minimale, 36 mijë lekë të reja në muaj. Kur e shpallëm, ky ishte, kryeministri që filloi ta tallte dhe ta përqeshte, sot e ka marrë dhe thotë do ta bëjë unë. Pati 8 vite kohë dhe nuk arriti dot as të indeksonte pensionet sa inflacioni.

Dy muaj para se të largohet, propozimin tonë që e shau 2 vite me radhë, thotë do ta bëjë unë. Është për të qeshur dhe për të qarë. E njëjta gjë sa i përket uljes së taksave. Ulja e taksave për biznesin është jetike në këtë plan për krijimin e vende të punës dhe për rritjen e pagave. Si do të rriten pagat? Si do të krijohen vendet e punës, në qoftë se biznesi vazhdon të kenë taksën më të lartë në Ballkan. Ju e dini fare mirë se ju punoni me vendet fqinje. Ulja e taksës nga 15 në 9% do të jetë një çlirim i jashtëzakonshëm për financat e sipërmarrjes shqiptare e cila është është në stres. Është në vështirësi të mëdha.

Dhe përmes kësaj mase, si dhe uljes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, ne do t’ju mundësojmë ju që të keni si fillim më shumë kapital në duart tuaja, më shumë para në duart tuaja, që të investoni më shumë, që të prodhoni më shumë që do të thotë do të hapni më shumë vende të reja pune, dhe këto vende pune me këto para që tani janë në xhepat tuaj, nuk do të jenë në xhepat e shtetit, do të arrini të paguani me paga më të mira. Kollaj është të thuash do rris pagën minimale dy muaj para se të ikësh nga pushteti, siç po bën Edi Rama, po nuk ke askënd ta pyesim, po ato kontributet shtesë që vijnë ku rrit pagën minimale, kush do t’i paguaj? Kush do t’i paguaj? Ju do t’i paguani.

Po në qoftë se ju do keni kosto shtesë mbi kostot shtesë, çfarë do të thotë kjo? As nuk do të jenë në gjendje të merrni njerëz në punë, përkundrazi do të nxirrni njerëz nga puna. As nuk do të jenë në gjendje t’ju rrisni pagat apo t’ju jepni pagën minimale, pra ose do ta zhysni në informalitet, ose do i veni kyçin. Ndërkohë që me platformën tonë, me planin tonë, ulja me 18% e kontributit të sigurimeve shoqërore i jep përgjigje kësaj. Dhe këtu vijmë në një skenar ku fitojnë të treja palët; së pari, fiton qytetari, punëmarrësi, i cili bashkë me familjen e tij është qendra e programit tonë.

Së dyti, fiton aleati ynë për të sjell mirëqenie tek familjet shqiptare që është sipërmarrja shqiptare. Ju jeni aleatët tanë, s’keni armiqtë tanë. Nuk jeni njerëz dhe kompani të cilave shteti ju vjen vetëm për t’ju shtrydhur qindarkën e fundit dhe ju rinë mbi kokë siç është realiteti sot. Por nesër do jeni aleatët tanë për të krijuar vende pune dhe për të mundësuar rritjen e mirëqenies. Dhe së treti, përfiton vet shteti përmes formalizmit. Sepse është e qartë që me taksën 15% informalitet është rritur.

Taksën 15% është një gjobë që e paguan biznesi i ndershëm, le ta themi haptazi. Biznesi i ndershëm paguan taksën 15% që është shumica dërmuese të biznesit shqiptar. Një grusht njerëzish që janë ortakët e qeverise, ai 15% edhe 30% po t’ja bëjnë nuk është gjë tjetër veçse për të ndarë paratë me qeverinë, për tenderit, për koncesionet, për PPP, për të gjithë favoret që u jep qeveria”.

1 91

Exit mobile version