Deklaratë e avokates për të drejtat administrative, Eda Grimci pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Sapo përfundoi shqyrtimi administrativ pranë Komisionit të Apelimit. Dhe gjatë Komisionit doli pikërisht ajo çka në kemi konstatuar dhe çfarë kemi kundërshtuar që gjoba e vendosur jo vetëm që është politike por është në kundërshtim të hapur me ligjin.
Pretendohet të jetë bërë shkelje apo të jenë bërë takime dhe tubime në kundërshtim me aktin normativ për masat anti- covid, ndërkohë provat e paraqitura nga Komisariati nr. 6, janë sprova të trukuara, pasi fotot nuk përputhen ku del z. Këlliçi, gjithashtu nuk përputhen as datat, as ambientet dhe asgjë.
E pretenduam këtë përpara komisionit, e vërtetuam me prova të pakundërshtueshme, besoj se Komisioni dotë jetë një Komision që zbaton ligjin në mënyrë rigoroze dhe i mbështetur në parimin e barazisë, pasi jemi të gjithë barabartë përpara ligjit, ky komision duhet të marrë vetëm një vendim, revokimin e kësaj gjobe të turpshme politike, shfuqizimin e saj dhe prononcimin edhe mediatike për punën që ka bërë Komisariati Nr.6, i cili në mënyrë selektive i ka vënë z.Këlliçi nëj gjobë politike.
Deklaratë e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
24 orë pas seancës së turpshme dje kur mafia e plehrave u shmang të përballej në gjykatë, sot unë jam sërish në Drejtorinë e Policisë Tiranë, për t’u paraqitur përpara një Komisioni për një gjobë të turpshme, 50 milionë Lek të pabazuara mbi fakte, mbi prova, për shkak se policia ka parë online ne rrjetet sociale disa foto të mia pa datë, pa vend, pa orë, të grumbullimeve me më shumë se 10 persona, ndërkohë që shihni prapa meje. Unë jam gjobitur 50 milionë lek, këto janë ambientet e Drejtorisë Policisë Tiranë. Mund t’i numëroni vetë se sa persona janë të grumbulluar jashtë dhe se si po “respektohen”masat anti-covid dhe si po mbahet distanca 2m nga njëri-tjetri.
Por sigurisht që për Policinë, për shtet nuk mund të ketë shkelje dhe nuk mund të ketë gjoba, ndërkohë që për opozitën gjobat vijojnë të jenë lum dhe me breshëri. Nëse mendojnë Edi Rama dhe Erjon Veliaj, kushdo që është pas kësaj gjobe politike, nëse mendojnë se do të na stepin dhe do të na mbyllin gojën, e kanë të kotë. Unë këtu do të jem, të gjithë funksionarët e opozitës do të jenë çdo ditë në takime me qytetarët, sepse qytetarët të vetmen shpresë e kanë tek opozita, tek PD dhe sytë i kanë tek drejtuesit e PD-së. Ne kemi një mision historik.
Më datë 25 prill duhet ta ndajmë Shqipërinë një herë e mirë nga kjo keqqeverisje, nga kjo kastë që të vetmen gjë që ka është që gjobit qytetarët, gjobit opozitën, gjobit qytetarin e thjeshtë, vjedh lekët e taksapaguesve dhe sigurisht të vetmin opsion që na ka lënë ne të rinjve është kamioni për në Angli ose autobusi për Gjermani. Të mos shqetësohen. Edhe nëse Komisioni do të vendosë sepse duket edhe fryma që gjobat do të rrinë në fuqi, ne nuk do të ndalemi, unë nuk do të stepem.
Sigurisht për Edi Ramën dhe Erjon Veliaj 50 milionë lek nuk janë asgjë, mund të jenë ushqim që mund t’i kenë për qenë e macet e tyre, për mua është gjithçka, por ky nuk është një problem.
Unë do të vazhdoj sepse besoj që ndryshimi do të vijë shumë shpejt.
51 ditë na ndajnë nga referendumi historik më 25 prill.
51 ditë na ndajnë nga marrja fund e padrejtësive ndaj qytetarëve të thjeshtë të vendit, por mbi të gjitha ndaj të rinjve.
Kjo maskaradë e turpshme duhet të marrë fund një herë e mirë.
Falemnderit.