Ilirian Leka është invalid dhe është i pamundur prej vitit 1988 prej dëmtimit të shtyllës kurrizore. Jeton në lagjen 28 Nëntori në Elbasan me 100 mijë lekë të vjetra në muaj. Qeveria i ka hequr pagesën e kujdestarisë që e merrte i vëllai, sepse ai e ndihmon dhe i shërben. Iliriani ende nuk e di dhe askush nuk ia ka sqaruar pse ka ndodhur kjo.
Drejtuesi Politik për Elbasanin, gjatë një bisede me Iliranin, ndan me të shqetësimet dhe i tregon për planin që ka PD për personat me aftësi ndryshe.
“Ky është një nga ato raste që dëshmon të kundërtën e asaj që dëgjojmë prej 8 vitesh nga propaganda e qeverisë. Ja çfarë ndodh, ua heqin paratë ju dhe ua japin 10 vetëve”, shprehet Bardhi. Ai shton se programi i PD adreson këto problematike dhe parashikon rritjen e mbështetjen për invalidët dhe kujdestarinë.
“Kjo do të ndryshojë pas 25 prillit. Ne nuk do kemi prioritet 10 vetë që marrin gjithë paratë e shtetit, por do kemi prioritet 3 milionë shqiptarët”, pohoi Bardhi.
Bardhi theksoi se paratë janë dhe pyetja se ku do i marrin për të rritur pensiohet apo pagesat për njerëzit në nevojë, është shumë e thjeshtë. “Do t’ua marrim atyre 10 vetëve që kanë gjithë buxhetin”.
Drejtuesi politik thotë se me 25 prill ka ardhur koha për të ndryshuar krejt modelin politik. “Pas 4 viteve, ne do të japim llogari, do të përgjigjemi për realizimin e programit. Kush nuk mban premtimet, të mos votohet”, deklaroi Bardhi.