Kandidatët e PD duhet të ndezin motorët

Bujar NISHANI

Tashmë ekipet e kandidatëve të të gjitha partive janë caktuar. Partitë politike ndërtuan ekipet që gjykuan se janë më të mirat e tyre.
Fushata “de facto” ka nisur !

Përsëri (për fat të keq) nuk kemi e nuk do të kemi një garë elektorale klasike siç ndodh në vendet e tjera normale.
Fushata elektorale deri më 25 prill dhe vetë 25 prilli do të jetë një betejë, në kuptimin mirëfilli të fjalës.
Do të jetë një betejë, pasi Partia Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës kanë përballë jo një kundërshtar politik por një rregjim hibrid gangsterrësh, një bandë trafikantësh, jo vetëm substancash por edhe parash, influencash dhe pushtetesh.

Nuk ka asnjë surprizë dhe në këto zgjedhje ashtu siç në 2015, siç në 2017, siç në 2019 !
Edi Rama është po i njëjti, ai që ka qenë në zgjedhjet e 2009 dhe ai që ka qenë në çdo palë zgjedhje më tej.
Shqiptarët e dinë mirë se tentakula të zeza krimi dhe korrupsioni edhe këtë herë përpiqen të fshihen brenda një guacke e cila tentohet tu paraqitet shqiptarëve e kamufluar me “tatutë” e imazhit të 5-6 zonjave që nuk kanë asnjë lidhje me politikën apo legjislativin, përveçse janë detyruar të përdoren si fasadë mbulesë e rregjimit të gangove.

Kush nuk e kupton këtë situatë është i gabuar dhe jashtë realitetit.
Por këtij realiteti nuk mundet ti ikësh, nuk mundet as ti fshihesh.
Ka vetëm një alternativë ! Betejë !

Beteja me të keqen nuk është e lehtë por ajo është Mision.
Për këtë kërkohet ; forcë, energji, besim, aleancë e gjërë me qytetarët, gjithpërfshirje, optimizëm, frymë fitoreje !
Kandidatët e Partisë Demokratike tani duhet të ndezin të gjithë motorrët.
Beteja zhvillohet 24//24, 7 ditë të javës, çdo minutë e sekondë me njerëzit e mes njerëzve.

Çdo aktivist demokrat por edhe çdo qytetar duhet të dijë vendin e tij/saj, sot në betejë e nesër në paqe.
Qytetarët duhet të kuptojnë e besojnë se ku është dhe si do të realizohet interesi i tyre.
Kandidatët e PD duhet të dinë se fjala apo koncepti “interes” nuk është një koncept apo fjalë “e keqe”.
Interesi është, punësimi, bisnesi, prona, drejtësia, spitali, shkolla, ekonomia, mirëqënia e fëmijve e plot të tjera, për çdo qytetar e familjet e tyre !

Zyrat elektorale të Partisë Demokratike, duhen hapur menjëherë tashmë në çdo bllok banimi në qytete e në çdo fshat në zonat nivel komune.
Urgjente është ngritja piramidale e shtabeve elektorale duke nisur nga shtabi qëndror i degës së PD deri tek shtabi elektoral për çdo qendër votimi, listat e votuesve në nivel Qendër Votimi duhet të njihet nominalisht nga aktivistët e terrenit përgjegjës për atë territor përkatës.
Kandidatët e PD kanë detyrën e përcjelljes së mesazheve programore e qeverisëse tek qytetarët sa më thjeshtë, të përmbledhura dhe lehtësisht të kuptueshne.

Gjuha “e drunjtë” dhe “stërholluar” nuk ngjall as kureshtje dhe nuk merr as vëmendje nga qytetarët.
Simbioza e “betejës” është aftësia e ndërlidhjes ; kandidat-qytetar, komunikim-mirëkuptim, thjeshtësi-seriozitet.
Beteja është Përgjegjësi dhe Art.

Arti duhet shpalosur me të gjithë kapacitetin e mundshëm, përgjegjësia duhet ndjerë në të gjithë thellësinë që përmban.
Kjo përmbushje do na çojë në fitore pa asnjë dyshim sado manipulative dhe xhahile të jetë banda hibride e gangsterrëve përballë.

Artikulli paraprakThirrja e Bashës: Largoni personat që kanë marrë peng këtë vend
Artikulli tjetërMeta-Ramës: Tërhiq mbrapsht fjalorin ordiner ndaj Grida Dumës