Basha bashkëbisedim me të rinjtë e Durrësit: Anulim i ligjit për arsimin e lartë, mbështetje studentëve me bursa

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, në turin e takimeve që ka zhvilluar ditën e sotme në qytetin e Durrësit, ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë e këtij qyteti. Të rinjtë i kanë drejtuar pyetje Bashës për planin e Partisë Demokratike rreth shqetësimeve sa i përket ligjit për arsimit e lartë dhe largimi masiv i rinisë për shkak të papunësisë.

“Kam mbaruar studimet bachelor pranë Universitetit të Durrësit, “Aleksandër Moisiu” në degën Bankë-Financë dhe po ashtu studimet master në profilin e menaxhim marketingut. Jam vlerësuar nga ky universitet si një studente e ekselencës, por vetëm kaq. Dhe pjesa që unë dua sot të përmend dhe të theksoj është ligji i arsimit të lartë. Është një ligj që është kontestuar si nga pjesa e pedagogëve, si nga pjesa e studentëve dhe po ashtu nga Partia Demokratike. Duke ndjekur me kujdes reformat dhe programin e Partisë Demokratike jam mjaft optimiste për të ardhmen që mua më pret dhe gjithë studentëve, të rinjve të këtij vendi”, tha një nga studentet.

“Jam Anxhela Bylykbashi, e sapo diplomuar në bachelor në Londër, në degën Administrim biznesi dhe Menaxhim. Pas katër vitesh rikthehem në Shqipëri. Ju ndoshta e keni prekur dhe më përpara, por nëse do të mund ta përmblidhnit dhe njëherë, ju lutem se cila është strategjia e Partisë Demokratike për të thithur apo tërhequr trurin e studentëve dhe sapodiplomuarve që janë larguar, për tu rikthyer në Shqipëri, pasi sondazhet, por edhe eksperienca personale ka treguar se këta të rinj nuk gjejnë në Shqipëri kushtet të përshtatshme për ti tërhequr këtu dhe jo jashtë?”, u shpreh Anxhela Bylykbashi.

Basha u shpjegoi të rinjve planin e Partisë Demokratike i cili parashikon mbështetje për studentët dhe të rinjtë shqiptarë. Ai përsëriti zotimin se me bashkëpunimin me Aleancën Europiane të Universiteteve, qeveria e ardhshme do t’u sigurojë kualifikime që do të jenë të aksesueshme për studentët shqiptarë dhe për të rinjtë shqiptarë pa pagesë dhe që do u mundësojë punë me paga dinjitoze. Ai gjithashtu tha se angazhim i qeverisë së ardhshme do të jetë edhe ofrimi i 5 gjuhëve të huaja falas online, anulimin e ligjit për arsimin e lartë, mbështetjen e studentëve me bursa dhe rritjen e autonomisë së universiteteve.

“Së pari duke nxitur kualifikimin e rinisë shqiptare për t’iu përshtatur një tregu pune që po ndryshon me shpejtësi dhe pozitivisht. 10 vjet më parë tregu i punës nuk ofronte këto mundësi që ka sot. 10 vjet më parë Europa kishte nevojë për 30, 40, 50 mijë fjala bie programues, sot ka nevojë për 500 mijë dhe e ka shumë më të thjeshtë t’i paguajë këtu në Shqipëri, prapëseprapë me paga më të larta se të deputetit apo të ministrit dhe kjo është arsyeja që Serbia, Kosova, Maqedonia, Bosnja, kanë përfituar duke thithur investime të huaja, duke mundësuar hapjen e mijëra vendeve të punës aty, ku të rinjtë paguhen me këto paga dhe produkti i tyre, qoftë ky një produkt fizik në industrinë e pjesëve të këmbimit të automjeteve apo të semikonduktorëve, apo qoftë programim në fushën e teknologjisë së informacionit duke qenë pranë familjeve të tyre, në komunitetin e tyre, në qytetin e tyre, në vendin e tyre por prapë se prapë kanë të ardhura të mjaftueshme dhe jetojnë një jetë dinjitoze.

Dhe para dy javësh patëm një konferencë me Aleancën Europiane të Universiteteve dhe Komisionin Europian ku folëm me të paktën 6 universitete gjermane dhe austriake për 20 kualifikime online duke filluar nga shtatori, kualifikime që do të jenë të aksesueshme për studentët shqiptarë dhe për të rinjtë shqiptarë pa pagesë, domethënë pagesa do të merret përsipër nga një kombinim midis fondit të Shqipërisë me fondet e Bashkimit Europian. 20 fusha të ndryshme duke përfshirë dhe fushën e turizmit që ka nevojë për njerëz të përgatitur nga të gjitha nivelet, nga menaxhimi lartë e deri tek profesionistët e përditshëm që do të bëjnë shërbimin pa të cilin nuk do të ketë dot turizëm.

Po kështu duke filluar nga 1 shtatori përmes një platforme amerikane, qeveria ime do të ofrojë 5 gjuhë të huaja falas online për rininë shqiptare që janë anglishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja dhe spanjishtja. Ndërkohë reforma e arsimit të lartë ka një qëllim, universitetet shqiptare, Universiteti Durrësit e çdo institucion tjetër i arsimit të lartë të kthehen në institucione të cilët përgatisin profesionistë për tregun. Kjo nuk bëhet duke i urdhëruar apo duke i keqtrajtuar apo duke nxitur konfliktin midis studentëve dhe pedagogëve, kjo bëhet duke i dhënë në radhë të parë universiteteve dinjitetin që meritojnë, autonomi në vendimmarrje duke i dhënë fonde të mjaftueshme për kampusin universitar, për laboratorët, për digjitalizimin pa të cilin nuk mund të bëhet fjalë për arsim të lartë më në vitin 2021 dhe duke i shpërblyer për çdo hap që hedhin në drejtim të aftësimit të rinisë për tu futur në treg, çfarë do të thotë? Do të thotë që sa më i lartë të jetë raporti i praktikës me aq më shumë financime do të marri nga shteti dhe ne do të synojmë të shkojmë drejt një sistemi dual siç e kanë shumë prej vendeve të rajonit dhe që e kanë marrë dhe e kanë përshtatur nga vendet e suksesshme të BE-së, kryesisht nga Gjermania.

Për 10.000 studentë çdo vit një praktikë 12 mujore e paguar me 300 mijë lekë të vjetra në muaj janë pjesë të programit tonë, të llogaritura, të futura në buxhetin e parë të qeverisë tonë të ardhshme dhe që do të vihen në zbatim prej muajit tonë të parë. Dhe kjo do të mundësojë që studenti shqiptar mos të jetë në një realitet si Liza në botën e çudirave, ku nga njëra anë universiteti është nën presion, pedagogët janë të nënpaguar, janë të nënçmuar, qeveria ka centralizuar gjithçka, mësimi dhe në teknologjinë e informacionit bëhet në dërrasë të zezë me shkumës. Jo. Po të jenë institucionet dinjitoze ku pedagogët janë të respektuar, janë të paguar të paktën në të njëjtin nivel siç paguhen pedagogët e rajonit ku gjysma e kohës harxhohet me praktikë dhe ku në fund më të mirët 1 në çdo 3 studentë që mbarojnë universitetin e kanë të siguruar mundësinë e një stazhi dhe kjo padiskutim që nxit ato veti të njeriut, ato veti të individit që e çojnë individin përpara.

Nuk është e rastësishme që në planet tona, në programin tonë gjithçka që ka të bëjë me problemet, me sfidat, me dilemat që ju kanë përballur këto 8 vite zë një vend kryesor për ta shpënë në formën e zgjidhjeve të formuluara si përgjigje konkrete ndaj këtyre problemeve dhe sfidave. 25 prill nuk ka të bëjë me Lulëzim Bashën apo Edi Ramën, me PD apo me PS. Ka të bëjë me, do të keni një të ardhme në qytetin tuaj të mrekullueshëm apo do të vazhdoni të largoheni orët e para të mëngjesit nga stacionet e autobusëve si emigrantë”, tha Basha.

Basha 4

 

Exit mobile version