Në një takim me banorët e Gribës në Gramsh, Drejtuesi Politik për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, u shpreh se angazhimet e PD janë të matshme, të prekshme, të llogaritura saktë, dhe do të sjellin në fshat e kudo normalitetin, mundësinë që njerëzit të dalin nga varfëria e të marrin frytet e punës së tyre. Ai u shpreh se pas 30 vitesh demokraci, e 8 vite keqqeverisje, njerëzit e kanë fituar maturinë që të mos votojnë më me tifozllëk e fanatizëm partiak, por për interesin, familjen dhe jetën e tyre.
“Kam kuptuar këto ditë se pas 30 vitesh demokraci dhe pas 8 vitesh keqqeverisje, njerëzit nuk mashtrohen më. Nuk ka më, kam votu para 30 vjetesh për PD apo PS e do vazhdoj kështu gjithe jetën. Shqiptarët e kanë kuptu se familja e vet është familja. Dhe për të parë se ça i kanë bërë këta familjes këta, duhet të vish në fshat. Dhe veçanërisht pas asaj ndarjes territoriale, si ka pa më kush fshatarët me sy. Vijnë vetëm për zgjedhje me kërku votën. S’ju pret askush e s’keni ku me qa një hall. Për të rregullu çatinë e shpisë duhet me shku me pagu 5 mln lek në Bashki se ndryshe mbin polici e të fut në burg. E këtë, na e shesin dhe si shtet”, u shpreh Bardhi.
Ai tha se kryeministri nuk nuk del të bëjë bilanc por sulmon opozitën nga mëngjesi në darkë se s’ka bërë asnjë punë dhe s’ka mbajtur asnjë premtim. Sipas tij, është strategji t’i varfërojë sa më shumë njerëzit që të ketë mundësi t’i nënshtrojë më lehtë. Bardhi solli shembullin e dikujt që e ka shitur votën në 2017, dhe pendesën që ka sot për këtë.
“Më tha njëri dikush që takova, që po, e kam shit votën në zgjedhjet e fundit. Më trokitën në shtëpi, më dhanë 50 mijë lekëshin dhe shkova e votova PS. Kësaj here tha, jam përgatit. E di që do më trokasin në derë se kanë të njëjtat lista. Kam marrë një hu që e kam lënë mas dere e mezi po pres të vijnë prapë e të tentojnë t’më blejmë dinjitetin. E kam kuptu që atë 50 mijë lekë për 4 vite ma marrin çdo muaj te fatura e energjisë elektrike”.
Bardhi tha se duhet ndërgjegjësim e duhet punuar me të gjithë për këtë, që të mos lejojmë blerjen e votës apo kërcënimet me ndihmën ekonomike. “Ta provojnë tja heqin vetëm njërit ndihmën ekonomike”, tha Bardhi.
Ai shtoi se 25 Prilli nuk është luftë mes partish, por një betejë, një mundësi e fundit për të dalë nga varfëria e për të kthyer shpresën tek njerëzit.
“25 prilli duhet parë jo si beteje mes socialistëve e demokratëve, por si një mundësi për të kthyer normalitetin për secilin. Angazhimet tona janë të thjeshta, të matshme, realiste, të përllogaritura me kujdes që behen realitet mjafton të ketë vullnet me punu për njerëzit. 25 prilli shansi i fundit për vendin për të ardhmen. Të jemi bashkë pa asnjë dallim. Zgjidhja është në dorën tonë, dhe është pjesmarrja në zgjedhje”, pohoi Bardhi.
Banor: Ne jemi me ju, po korrupsioni, vjedhja duhet ndëshku
Bardhi: Ne kemi një detyrim, të bëjmë gati dosjet për këto 8 vite, t’ia çojmë prokurorit e t’i rrimë te dera, t’i themi; ça po bën për të ndëshku korrupsionin e për të çu në burg ata që vodhën në 8 vite. Nëse ne, nuk e bëjmë këtë në 6 muajt e parë, duke më përfshirë dhe mua, secili prej jush ka gjithë të drejtën të mendojë se po vjedhim vetë.