“Brenda 6 muajve statusi i minatorit”, Basha: Keni besën time, të gjithë minatorët e Shqipërisë

• “Brenda 6 muajve statusi i minatorit, në dialog me minatorët”. Basha: Kam kërkuar falje që nuk arritëm ta miratonin në qeverisjen e PD. Keni besën time, të gjithë minatorët e Shqipërisë.

• Basha me minatorët në Bulqizë: Hidhni hapin e bashkimit me PD dhe programin tonë. Do të garantojmë të drejtat tuaja si kolegët tuaj në Europë.

• Basha minatorëve të Bulqizës: Nuk ka ndryshim pa ndryshuar fatin tuaj, pa gëzuar ju të drejtat e kolegëve tuaj europianë.

• Basha me minatorët: E di që ju ka zhgënjyer politika. Vini jetën në rrezik për bukën e fëmijëve. Por 25 prilli është një mundësi. Përdoreni! Votoni ndryshimin!

Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pati një bashkëbisedim me minatorët e Bulqizëz, të cilët u shprehën se zgjidhjen e problemeve 30-vjeccare e shohin tek kreu i opozitës.

“Unë punoj 25 vite në minierë dhe më kanë larguar nga puna në mënyrë të padrejte sepse kërkuam të drejtat themeltare të një minatori dhe ne kemi besimin tek ju që të miratoni statusin e minatorit sa të vini në pushtet. Sepse minatorët e Bulqizës dhe të gjithë Shqipërisë janë gënjyer nga qeveritë e mëparshme këto 30 vite dhe kemi besimin tek ju si kryeministër i ardhshëm” – u shpreh një nga minatorët.

Fjala e parë që u ka drejtuar Basha minatorëve, ishte zotimi se qeveria e tij e ardhshme do të miratojë statusin e minatorit dhe të naftëtarit brenda 6 muajve të parë. Basha tha se ky nuk është premtim fushate por zotim i tij, pasi në programin e Partisë Demokratike është përllogaritur edhe burimin i financimit se si do të bëhet i mundur statusi i minatorëve dhe i naftëtarëve.

“Pritja që më rezervuan bulqizakët ishte prekëse. Orari pak i papërshtatshëm, por qyteti ishte plot me njerëz. Natyrisht ne e kemi shpallur programin tonë dhe pjesë e programit ka qenë statusi i minatorit, por unë e kuptoj që në morinë e mbulimeve mediatike kjo ka humbur. Ndaj ka nevojë ta përsërisim sepse ka dhe palë qё janë tё interesuara qё tё humbi ky mesazh. Mesazhi ёshtё i thjesht dhe i qartë, brenda 6 muajve tё parё nё dialog me sindikatat e minatorëve dhe naftëtarëve ne do ta miratojmë statusin e minatorit dhe statusin e naftëtarit nё përputhje tё plot me parimet dhe standardet e Bashkimit Europian. Ne e kemi studiuar domethënien e këtij statusi. Nga njëra anё ёshtё e pafalshme qё ju, ndër sektorët mё tё vështirë, ndoshta me i vёshtiri, prej 30 vitesh nuk keni garancitë minimale pёr punën, pagën, pёr jetën, pёr sigurimin e jetës, pёr fëmijët tuaj. Pra garanci minimale pёr punën mё tё vёshtirё qё ka vendi.

Jo vetёm mё tё vështirën por edhe mё fitimprurëse. I gjithё vendi dhe e gjithё Shqipёria duhet tё përfitoj nga nafta dhe mineralet. Pa pikë diskutimi, gjithë shqiptarët do të fitojnë, por s’ka si të mos përfitojë komuniteti ku ndodh aktiviteti mineral nxjerrës apo naftë nxjerrës, e në veçanti ata që rrezikojnë jetën e tyre, shëndetin e tyre, që jeni ju minatorët shqiptarë e naftëtarët shqiptarë. Kështu që, bazuar mbi këto gjëra që janë të qarta si drita e diellit, ne kemi përllogaritur prej më shumë se 6 muajsh koston financiare dhe sa e përballueshme do të jetë kjo. Dhe kemi evidentuar burimet nga të cilat do të paguhet fatura për të garantuar statusin e minatorit duke përfshirë këtu edhe statusin e minatorëve që kanë dalë në pension, si dhe për të garantuar daljen në pension në mënyrë të diferencuar, në përputhje me vështirësitë dhe me imponimet që i bën shëndetit dhe jetës së minatorit puna nën tokë në kushtet e nëntokës.

Pra brenda 6 muajve, në dialog me ju, statusi do të miratohet. Do të miratohet dhe përndryshe juve ju lind e drejta të reagoni me të gjitha format dhe mënyrat. Unë përmenda një metaforë atje, thashë, siç do ta heq traun, ashtu ju lind drejta ju t’i vendosni traun çdo qeveritari në qoftë se ky zotim që unë ju jap sot, që është pjesë e planit tonë, nuk përmbushet. Tani, dua t’ju them diçka tjetër. 3O vite me radhë janë bërë premtime në prag fushatash dhe nuk janë mbajt. 8 vite i njëjti premtim është bërë nga ky që vjen të kërkojë votën sot. Gjëja e parë që kam bërë, nuk e di nëse keni qenë në takimin tim në 2013 pasi jam bërë kryetar i Partisë Demokratike. Kam kërkuar falje në emër të Partisë Demokratike që ne nuk arritëm të miratonim statusin e minatorit. Takimi ka qenë në një nga lokalet e kryesore të qytetit, pas mitingut në shesh.

Nuk është kurrë shumë për ta përsëritur ndjesën ndonëse nuk është koha tani se tani po vjen koha për një vendim, por duhet që në mënyrë të përsëritur naftëtarëve dhe minatorëve unë ju kam kërkuar ndjesë për faktin që gjatë kohës që qeverisnim nuk arritëm ta miratonim atë status. Sot ka ardhur një moment tjetër, vetëm 2 javë na ndajnë nga një vendimmarrje, ndoshta më e rëndësishmja që nga ndryshimi i sistemit, që nga ardhja e demokracisë. Vendimmarrja më e rëndësishme që nga 92-shi, do vazhdojmë përsëri edhe 4 vite të tjera kështu siç kemi qenë 8 vite, ju të mbetur në galeri nën tokë, me të njëjtat kushte, me të njëjtat paga, nën terror, nën shtypje, pa asnjë mbrojtje nga shteti, përkundrazi me tallje, me denigrim, me arrogancë, me ortakërinë e hapur dhe të fshehur të shtetit me ata që ju shfrytëzojnë deri në palcë, apo do të ndryshoni, në qoftë se do të ndryshojmë atëherë e vetmja rrugë është që të votoni për Partinë Demokratike, rrugë tjetër nuk ka. Ndaj dhe ftesa ime ndaj të gjithë minatorëve shqiptar është, hidhni hapin e bashkimit me Partinë Demokratike, me programin tonë.

Detyra jonë është e qartë, në rastin tuaj kristal e qartë, të garantojmë të drejtat tuaja minimale siç i kanë kolegët tuaj në Europë. Statusin e minatorit sipas parimeve dhe të normave evropiane. Kjo është detyra ime, kjo është detyra e ekipit tonë. Ne këtë detyrë do ta bëjmë. Përgjegjësia juaj është e qartë këtë mund dhe do ta rrini vetëm duke u bërë pjesë e ndryshimi që po vjen pavarësisht se ju për fat të keq një pjesë të mirë të aktivitetit tuaj dhe të orarit të jetës tuaj e kaloni nën tokë nuk besoj se ju ka shpëtuar fryma e ndryshimit, era e ndryshimit që po fryn kudo në vend. Nuk ka ndryshim pa ndryshuar fatin tuaj, nuk ka ndryshim pa mundësuar edhe për ju ato të drejta që gëzojnë kolegët tuaj kudo në Europë. Ndaj ju bëj thirrje që të rindizni shpresën. E di që ju ka zhgënjyer politika, e di që jua ka vrarë shpresën, e di që secili prej jush futet aty duke menduar vetëm bukën e fëmijëve dhe fut kokën në rrezik vetëm duke menduar bukën e fëmijëve se për asgjë tjetër nuk do t’i ndërmerrnit këto rreziqe. Por po ju them se 25 Prilli është një ditë shprese, është një ditë ndryshimi. Merreni këtë mundësi, përdoreni me votën tuaj. Votoni, votoni. Kjo është thirrja që kam. Votoni numrin 9, votoni Partinë Demokratike dhe unë zotohem se do t’jua përkthej me hapin e parë miratimin e statusit të minatorit”, tha Basha.

2 79

3 49

Artikulli paraprakBasha me fermerët dibranë: 100 milion euro subvencione për fermerët, 50 milion euro për infrastrukturë bujqësore
Artikulli tjetërBasha në Klos: Ndryshimit do t’i prijnë gratë. Socialistët e zhgënjyer janë bashkuar me demokratët për ndryshim