T’i japim fitores përmasën reale

Nga Luçiano Boçi

Fushata zgjedhore ka hyrë tashmë në një fazë të avancuar. Ndjesia se rrotacioni politik me 25 prill është i pashmangshëm përkapet hapur në të gjitha takimet publike. Rreziku i euforisë hyn në zyrat tona zgjedhore përmes gojës së të gjithë mbështetësve, të cilët me zë edhe më të lartë se përfaqësuesit e PD-së deklarojnë fitoren e padiskutueshme dhe shpallin faktin se publiku e ka bërë tashmë zgjedhjen e tij. Kjo klimë ngazëllyese – më shumë se sa të prodhojë siguri, duhet të ndërgjegjësojë përfaqësuesit e opozitës për dy çështje thelbësore.

E para, me sado shumë njerëz të besojmë se kemi folur, ne ende nuk kemi folur me çdo individ të komunitetit tonë. Ne duhet të arrijmë deri tek individi i fundit. Seicili votues është për ne një pasqyrë ku të lexojmë, kuptojmë, përshtasim dhe ri- dimensionojmë logjikën e programit kuadër të qeverisjes së PD-së, kur ajo të vijë në pushtet.

Ky program i mrekullueshëm është hartuar në përputhje me pritshmëritë publike dhe mbi bazën e një arsyetimi gjithë-përfshirës. Eshtë detyra jonë t’a bëjmë atë të zbatueshëm dhe efektiv për jetën e seicilit anëtar të komuniteteve tona.

Ky hap kërkon adoptimin e një komunikimi kapilar, për të cilin struktura e partisë demokratike ka kohë që është e gatshme dhe mund ta aktivizojë. Eshtë çasti që kandidatët e Partisë Demokratike të bashkojnë forcat dhe të ndërveprojnë aktivisht për të për të garantuar në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë një fitore të padiskutueshme, ku bën pjesë çdo votë e qytetarit të informuar. Harmonizimi i veprimtarisë politike shkon krah për krah me mbështetjen e ndërsjellë.

Shtabi elektoral që unë drejtoj në këto zgjedhje ka pasur kënaqësinë e madhe këto ditë që të mbledhë jo vetëm përkrahjen e gjerë dhe të pakursyer nga mijëra e mijëra qytetarë të kontaktuar. Ai ka lexuar edhe mbështetjen e gjerë që kandidatët e PD-së në Elbasan gëzojnë dhe votën e besueshme që ata do të marrin. Fitorja morale tashmë është arritur. Ajo është e prekshme, e ndjeshme, mahnitëse… T’i japim asaj përmasën reale në votë.

Exit mobile version