• 25 prilli nuk bëhet për partitë; bëhet për ekonominë, për familjet shqiptare. Basha derë më derë në Qesarakë: Fusim ekonominë në një cikël pozitiv. Modeli ekonomik i Ramës, për oligarkët.
• Basha, fushatë derë më derë në Qesarakë të Tiranës. Premton paketë ndihme për familjet që kanë kaluar COVID-in. “Votoni nr. 9 për të shpëtuar ekonominë.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me qytetarë dhe biznese në zonën e Qesarakës. Kryedemokrati dëgjoi nga afër problematikat e bizneseve të vogla, të cilët janë shtuar për shkak të pandemisë dhe krizës ekonomike. Rënia e konsumit edhe tek furrat e bukës është treguesi i parë i kësaj krize, ku përpos mungesës së ndihmës, ato duhet të përballen edhe me gjobat e shtetit. Basha tha se 25 prilli është ndryshimi për ekonominë, për njerëzit dhe për bukën e gojës së tyre.
Qytetari: Zoti Basha këtu ka rënë xhiro totalisht. Nuk është më duke shkuar si më parë se pse njerëzit duket se nuk janë më ata klientë që kanë qenë edhe nuk ka as para, as xhiro. Njerëzit kërkojnë me listë dhe plus kësaj gjatë gjithë kohës së qeverisjes së këtyre ka pasur vetëm presion. Gjoba pa fund. 7 milionë lekë gjobë më ka dhënë vetëm njëherë AKU-ja.
Lulzim Basha: Në vend që t’ju ndihmojnë, t’ju stimulojnë ju thyejnë në mes
Qytetari: Ore taksat një më një. Kur ra pandemia dhe u mbyll ne ishim pak të hapur sepse ishim furnizues nëpër shtëpia, por këtu taksat një më një.
Lulzim Basha: Tani po të them, 25 prilli nuk bëhet për partitë, bëhet për ekonominë, bëhet për njerëzit, bëhet për familjet, bëhet për bukën e gojës së tyre. 25 prilli do të jetë dita kur me votën tuaj për ndryshim do të votoni për një shtet që në vend që t’ju trajtojë ju si lopë për t’u mjelë e veten e vet si pronar, do t’ju trajtojë ju si partnerë në zhvillimin e vendit. Në qoftë se ju arrini të krijoni të ardhura çfarë do të bëni? Do të hapni një furrë tjetër. Do të punësosh edhe 2,3 zonja të tjera, pra do të rrisësh punësimin, do të rrisësh mirëqenien, do të rrisësh pagat të cilat në vetvete rrisin konsumin. Ky është cikli pozitiv me të cilin ne duam dhe do ta fusim ekonominë. Ndaj për të gjithë biznesin, për të gjithë sipërmarrjen që ka 8 vjet që vuan sepse vetëm 2 apo 3 kanë bërë hajër këto vite sepse janë të lidhur me kryeministrin. Unë kam një dhe vetëm një mesazh. Votë për numrin 9 do të thotë votë për shpëtimin e ekonomisë, do të thotë votë për shpëtimin e biznesit, do të thotë votë për çlirimin nga ankthi dhe nga terrori dhe për taksat e ulëta dhe uljen e çmimit të energjisë dhe të karburantit
Qytetari: Duhet ndryshimi një orë e më parë. Jemi pa kuptim fare, ose do të pranojmë falimentin nëse ndodh ndryshe.
Kriza ekonomike e familjeve shihet edhe tek farmacitë, të cilët shprehen se qytetarët nuk kanë mundësi as të blejnë ilaçe për t’u kuruar. Basha tha se COVIDI-i është arsyeja e goditjes të ekonomisë familjare dhe për këtë Partia Demokratike po përgatit një paketë rimbursimi për të gjitha familjet që janë detyruar të futen në borxh për t’u kuruar nga COVID-i.
Lulzim Basha: Si duket gjendja?
Farmacisti: Qetësi duket. Ka rënë!
Lulzim Basha: Po gjendja ekonomike për të blerë ilaçet?
Qyetetari: Njerëzit janë të lodhur!
Lulzim Basha: E domosdoshme të rimbursojmë familjet që janë goditur nga COVID-i. Sipas llogaritjeve tona me shifrat reale të cilat janë shumëfishi i atyre që janë shpallur bëhet fjalë për dhjetëra mijëra familje që kanë harxhuar mesatarisht 2 deri në 3 milionë lekë të vjetra për kurimin. Po të them mesatarisht se ka shkuar deri në 6 milionë për ata që kanë pasur 3, 4 anëtarë të familjes. Për ata që e kanë kaluar rëndë që i është dashur oksigjeni, i është dashur skaneri disa herë, ju janë dashur analizat disa herë, janë kanë shkuar dhe janë futur në borxh. Ndaj, po përgatisim një paketë për rimbursimin e tyre por na duhet edhe ndihma juaj. Do flasim edhe me urdhrin e farmacistëve që të kemi mundësi të kryqëzojmë të dhënat e familjeve, me të dhënat tuaja për të bërë të mundur një paketë rimbursimi për çdo familje pas 25 prillit.