Ku po shkon Covid-i në Shqipëri?

Dr. Erion DASHO

KU PO SHKON COVID-I NË SHQIPËRI?

Shqipëria ka hyrë në një moment përcaktues të epidemisë së COVID. Tendenca në ulje nuk është vetëm tek rastet dhe vdekjet, por për herë të parë që prej një viti edhe në përqindjen e personave të testuar që rezultojnë pozitivë. Prej më shumë se dy javësh kjo përqindje luhatet midis 4.9% dhe 10.8%, çka përputhet me rekomandimet e OBSH-së dhe asaj që i kemi kërkuar prej një viti qeverisë, ministrisë dhe komitetit të ekspertëve.

SI “FOTOGRAFOHET” SOT GJENDJA?

Së pari, numri i raportuar i rasteve, të shtruarve në spital, të rasteve të komplikuara dhe vdekjeve reflekton shkallën e riprodhimit të pandemisë (ish-koeficientin R0, tashmë Rt). Ky koeficient sipas studiuesve të universitetit të Harvardit ka arritur në 0.67. Kjo do të thotë se epidemia po shkon drejt shuarjes, aq më tepër kur rënia e Rt-së po ndodh natyrshëm në mungesë pothuajse totale të masave parandaluese nga institucionet e shëndetit publik apo popullata.

Së dyti, numri i vdekjeve të deritanishme, i vlerësuar në 10,200 (me luhatje nga 9.200 deri 11,200) flet për një shkallë imuniteti grupi mbi 50% në shkallë kombëtare, por që në Tiranë dhe qendrat e mëdha urbane mund të ketë arritur mbi 60%. Kjo shkallë e imunitetit të grupit përputhet plotësisht me vlerën e Rt-së më lart.

Së treti, as edhe “shkeljet” masive të protokolleve anti-COVID siç kanë qenë tubimet elektorale, festat tashmë të përnatshme të të rinjve në bare dhe restorante dhe përgjithësisht hapja pranverore e popullatës nuk ka luajtur ndonjë rol sado të vogël në ecurinë e pandemisë. Ky i fundit është edhe testi më i besueshëm për dy përfundimet e sipërcituara.

POR EPIDEMIA ENDE ËSHTË MES NESH!

Për momentin unë shoh të paktën tre rreziqe të cilat nuk mund të anashkalohen:

Rreziku i parë lidhet me numrin e personave ende aktivë me COVID. Numri i raportuar nga komiteti është rreth 25 mijë persona, por që lehtësisht pëllogaritet 3-5 herë më i lartë duke e rritur këtë numër në rreth 100 mijë persona që ende mund ta transmetojnë infeksionin. Me një koeficient Rt prej 0.67, pritet që këta persona të infektojnë 67 mijë persona të tjerë, e kështu me radhë. Zerimi në kushtet aktuale do të kërkojë disa muaj të arrihet.

Rreziku i dytë rrjedh nga i pari dhe lidhet me komunikimin skandaloz që ka shoqëruar fushatën e vaksinimit. Personave me moshë mbi 60 vjeç të cilët përbëjnë shumicën dërrmuese të të vaksinuarve u është dhënë një ndjenjë e gënjeshtërt sigurie. Vaksina kineze i mbron ata rreth 3% nga infektimi dhe në një shkallë akoma të panjohur nga komplikacionet dhe vdekjet. Nëse të moshuarit e vaksinuar injorojnë sado pak masat mbrojtëse, në praninë e gati 100 mijë personave të infektuar, rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe jetën. Madje rritja e lehtë e vdekshmërisë këtë javë në raport me javën paraardhëse, mund t’i dedikohet pikërisht kësaj kategorie.

Rreziku i tretë vjen nga variantet e ndryshuara të virusit, ose më saktë nga variantet e Afrikës së Jugut dhe të Brazilit, pasi përballja me variantin britanik është konsumuar tashmë. Ende nuk dihet shkalla e mbrojtjes që kanë personat e imunizuar ndaj këtyre varianteve. Ky problem do të jetë më akut gjatë sezonit të ardhshëm të virozave, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që përballja me këto variante të virusit të ndodhë që në verë.

ÇFARË DUHET BËRË?

Në radhë të parë duhet rivendosur urgjentisht komunikimi profesional, transparent dhe i ndershëm me publikun. Në kushtet ku ndodhet Shqipëria, nuk mund të bëhet fjalë për lehtësim masash parandaluese sidomos për personat në risk (ata me moshë mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje bashkëshoqëruese). Këta persona duhet të vazhdojnë të mbrohen si më parë derisa të vaksinohen me vaksina cilësore. Fatkeqësisht, të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi tanimë se vaksinimi me vaksinën kineze i ka shërbyer qeverisë për fushatë elektorale dhe vota, por jo qytetarëve për shëndet.

Së dyti, duhet të zbatojmë masa të verifikueshme lehtë për të parandaluar hyrjen e varianteve afrikanojugore dhe braziliane të virusit. Karantina e udhëtarëve në ardhje është një masë e mirë, por që institucionet tona kanë qënë të paafta ta zbatojnë dhe monitorojnë. Në këto kushte, masa e vetme realiste do të ishte kërkesa që çdo person që hyn në vend të paraqesë një certifikatë testimi negative. Kjo politikë duhet vendosur sa më shpejt, përfshi edhe turistët apo shqiptarët e diasporës që do të vijnë për të kaluar pushimet verore.

Së treti, tashmë që numri i rasteve të reja ka rënë në 100 deri 200 raste në ditë, duhet zbatuar me rigorozitet parimi testo-gjurmo-izolo-trajto. Gjurmimi dhe izolimi i kontakteve do të bëjë të mundur të ulet edhe më tej Rt-ja, duke e shkurtuar në pak javë (ndoshta një deri dy muaj) kohën kur do të kemi kontroll të plotë mbi epideminë. Ndërsa përmirësimi i kapaciteteve trajtuese, kryesisht nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të protokolleve bashkëkohore, do të ulë edhe më tej numrin e vdekjeve që në raport me numrin e rasteve është i papranueshëm (gjatë ditëve të fundit kemi patur 5-6 vdekje përkundrejt 100-150 raste).

Së fundi, qeveria dhe ministria tanimë që e përfunduan farsën me vaksinën kineze, bëjnë mirë t’i përvishen punës për sigurimin e vaksinave cilësore. Çdo pesoni që nuk ka krijuar imunitet (qoftë pas kalimit të infeksionit, qoftë pas vaksinës kineze) duhet t’i ofrohet mundësia e një doze me një nga vaksinat Pfizer, Moderna ose Astra Zeneca, kjo e fundit e rekomanduar vetëm për personat me moshë mbi 60 vjeç. Në se midis majit dhe tetorit do të administrohen të paktën 500 deri 600 mijë doza të vaksinave të besueshme, të certifikuara nga EMA dhe/ose FDA, mund të thuhet me plot gojën se shqiptarët do të jenë më të mbrojtur nga COVID në sezonin e ardhshëm të virozave.

Faktikisht, zbatimi i gjithë këtyre rekomandimeve kërkon edhe një ndryshim rrënjësor në përafrimin ndaj pandemisë në Shqipëri. Deri më sot menaxhimi i pandemisë është bërë ose nga politikanët, ose nga persona që kanë synuar të përfitojnë materialisht në kurriz të shëndetit dhe jetës së qytetarit, ose nga teknicienë marioneta që kanë ngritur dorën për të miratuar çdo urdhër të ardhur nga pushteti.

Ndryshimi në përafrim mund të vijë vetëm nga një komitet i mirëfilltë teknik që primar ka shëndetin publik dhe jetën e shqiptarëve dhe jo përfitimet politike, ekonomike apo “mbajtjen mirë” me padronët politikë.

Të shpresojmë se kalimi i kompetencave drejt këtij grupimi dhe riorientimi drejt një strategjie shkencore dhe të bazuar mbi evidenca do të ndodhë së shpejti…

Artikulli paraprakAmbasadorja e SHBA: Kush ndalon qytetarët të votojnë, të ndiqet penalisht!
Artikulli tjetërAudio-përgjimi/ Administratori i Vaqarrit, 30 mijë euro për një çertifikatë pronësie: Unë kam punët e mia dhe…