SHBA e përkushtuar në luftën globale kundër ndryshimit të klimës

Me fjalët se bota duhet të “kapërcejë krizën ekzistenciale të kohës sonë,” Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi synimin e ri për të reduktuar ndotjen nga gazet karbonike në masën 50-52% brenda vitit 2030 gjatë punimeve të samitit virtual global për ndryshimet klimatike me pjesëmarrjen e dhjetëra udhëheqësve të tjerë botërorë.

“Kjo është dekada kur duhet të marrim vendime që do të shmangin pasojat më të rënda të krizës klimatike,” tha zoti Biden të enjten, duke u bërë thirrje vendeve të tjera, veçanërisht ekonomive më të mëdha të botës, “t’i përgjigjen sfidës”.

Kryeministri britanik Boris Johnson vlerësoi zotimin e Presidentit Biden si “një faktor përcaktues,” duke thënë se “do të ketë një ndikim transformues në luftën globale kundër ndryshimit të klimës”.

“A është e realizueshme? A do ta tejkalojmë ndoshta? Parashikoj se po,” u tha gazetarëve John Kerry, emisari i administratës amerikane për klimën, kur u pyet për qëllimin e Shteteve të Bashkuara. “A është e mjaftueshme? Jo. Por është maksimalja që mund të bëjmë në këto momente”.

Synimi që deklaruan Shtetet e Bashkuara merr si bazë nivelet e ndotjes në vitin 2005. Shtëpia e Bardhë thotë se përpjekjet për ta arritur këtë objektiv përfshijnë zhvendosjen e prodhimit të energjisë drejt burimeve të pastra, prodhimin e kamionëve e makinave më ekonomike në djegien e karburantit, mbështetjen e teknologjive që u mundësojnë fabrikave të bllokojnë dhe neutralizojnë gazet karbonike para çlirimit në atmosferë dhe reduktimin e sasisë së gazit metan.

Një fakt zhgënjyes për organizatorët dhe ambientalistët në takim ishte mungesa e angazhimeve gjatë punimeve të së enjtes nga dy vendet më të populluara në botë, Kina dhe India.

Zotimet Ndërkombëtare
Presidenti kinez Xi Jinping tha se vendi i tij do të kontrollojë në mënyrë rigoroze përdorimin e qymyrgurit në vitet e ardhshme dhe do të eliminojë gradualisht burimet energjetike karbonike gjatë periudhës 2026-2030. Zoti Xi përsëriti gjithashtu zotimin e Kinës se vendi i tij do të ketë arritur sasinë maksimale të gazeve të çliruara karbonike para vitit 2030.

Kryeministri indian Narendra Modi njoftoi një partneritet me Shtetet e Bashkuara për një axhendë të energjisë së pastër për vitin 2030 “për të ndihmuar mobilizimin e investimeve, demonstrimin e teknologjisë së pastër dhe mundësimin e bashkëpunimeve të gjelbra”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha para pjesëmarrësve: “Ne kemi nevojë për një planet të gjelbër, por situata e globit është emergjencë e nivelit të kuq. Duhet të garantojmë që hapat e ardhshëm të jetë në drejtimin e duhur. Udhëheqësit kudo duhet të marrin masa”.

Takimi dy-ditor zhvillohet në kuadër të përpjekjeve të Presidentit Biden për të rivendosur Amerikën në rol udhëheqës në këtë çështje, pasi paraardhësi i tij, Donald Trump, i tërhoqi në 2017 Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja me fuqi ligjore e Parisit mbi Ndryshimet Klimatike. Presidenti Biden e anuloi vendimin menjëherë pasi mori detyrën.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau gjithashtu njoftoi synimet për të reduktuar në masën 40-45% sasinë e gazeve të çliruara brenda vitit 2030 krahasuar me nivelin e regjistruar në 2005.

Evropa do të zbatojë sistemin e shkëmbimeve/tregtimeve të sasive të gazit të çliruar për ndërtesat dhe transportin, tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, duke shtuar: “Gazet karbonike do të kenë koston e tyre, sepse natyra nuk mund ta paguajë më këtë çmim”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu kënaqësinë që Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë përsëri në politikën e klimës.

“Faleminderit për këtë dhe faleminderit për organizimin e këtij takimi,” i tha Kancelarja Merkel Presidentit Biden. “Kjo është një detyrë prej Herkuli, sepse kjo nuk kërkon asgjë më pak se një transformim të plotë, një ndryshim të plotë të mënyrës sesi ne bëjmë biznes”.

Aktiviteti i zhvilluar përmes internetit, me pjesëmarrjen e më shumë se 40 udhëheqësve, nuk ishte pa probleme teknike. Një jehonë shpërqëndruese shoqëroi fjalimin e hapjes nga Nënpresidentja amerikane Kamala Harris si dhe fillimin e deklaratës së zotit Biden.

Video-klipi me komentet e regjistruara paraprakisht nga Presidenti francez Emmanuel Macron u ndal në mes që të merrte fjalën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken për të prezantuar Presidentin rus Vladimir Putin, i cili po shfaqte shenja të qarta padurimi, pasi kishte pritur në heshtje për gati dy minuta.

Presidenti rus tha se vendi i tij mund të vërë në zbatim terma dhe kushte preferenciale për investime të huaja në projekte të energjisë së pastër.

Pas fjalimit të zotit Putin, u transmetua pjesa e mbetur e komenteve të udhëheqësit francez Macron, gjatë të cilave ai bëri thirrje për rregullore ndërkombëtare, duke thënë, “Nëse nuk vendosim një çmim për çlirimin e gazeve karbonike, nuk do të ketë tranzicion” në energji të pastër.

Kryeministri japonez Yoshihide Suga njoftoi një objektiv të ri për ekonominë e tretë më të madhe në botë dhe e pesta për sa u përket gazeve karbonike të çliruara në atmosferë.

“Sigurisht që nuk do të jetë një detyrë e lehtë,” tha zoti Suga për objektivin e ri të Japonisë që është komentuar si zhgënjyes nga disa grupe ambjentaliste.

“Qeveria japoneze e ka çuar në 46% objektivin e saj për të reduktuar çlirimin e gazeve karbonike krahasuar me nivelet e vitit 2013. Por ky është një ndryshim i vogël krahasuar me objektivat për reduktim nga vende të tjera dhe ka mpakur përpjekjet për reduktim në shkallë ndërkombëtare,” tha përmes një deklarate dega në Japoni e organizatës ambjentaliste Greenpeace.

Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro, i cili ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara ndihma ekonomike me vlerë 1 miliard dollarë në këmbim të reduktimit në masën 40% të ritmeve me të cilat vendi i tij po priste pyjet e Amazonës, tha në komentet e tij se Brazili do të arrijë brenda vitit 2050 një efekt neutraliteti në çlirimin e gazeve dhe ndikimin mbi klimën.

Vendet e Pambrojtura
Vendet më të vogla patën rastin të komentojnë në ditën e parë të takimit, duke përfshirë udhëheqësit e disa prej zonave më të kërcënuara nga ndryshimet klimatike, të tilla si Antigua dhe Barbuda në Karaibe, Gaboni në Afrikë dhe Republika e Ishujve Marshall në Oqeanin Paqësor.

Duke vënë në dukje se vendi i tij në zemër të Himalajeve jo vetëm ka një ndikim neutral tek klima, por edhe sasi negative të gazeve karbonike të çliruara në atmosferë, Kryeministri i Butanit, Lotay Tshering, u bëri thirrje të gjitha vendeve “të vendosin objektiva më ambicioze”.

Lufta kundër Ngrohjes Globale
Një zyrtar i administratës së Biden u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp të mërkurën që me synimin e ri të Shteteve të Bashkuara dhe objektivat e deklaruara nga Japonia, Kanadaja, Britania dhe Bashkimi Evropian, “në total, ekonomitë e mëdha që përbëjnë më shumë se gjysmën e ekonomisë së botës praktikisht janë angazhuar tani për hapa që do të sjellin reduktimin e gazeve të çliruara në shkallë globale për të arritur të kufizojmë ngrohjen globale në 1.5 gradë”.

Udhëheqësit botërorë ranë dakord për të kufizuar ngrohjen globale në nën 2 gradë Celciusin në marrëveshjen e OKB-së për klimën të arritur në Paris në 2015 dhe për të synuar për reduktimin në 1.5 gradë Celcius.

Mesatarisht në të gjithë globin, temperaturat janë rritur më shumë se 1.1 gradë Celcius që nga viti 1980. Shkencëtarët e komentojnë këtë rritje si faktor për frontet atmosferike më të nxehta, zjarre jashtë kontrollit, stuhi dhe fenomente të tjera. Ata vërejnë se ritmet e rritjes së temperaturës janë përshpejtuar që nga vitet 1980.

Ekziston skepticizëm në lidhje me angazhimin e njoftuar të enjten nga Presidenti Biden dhe pritet një betejë e fortë partiake kundër zotimit të tij për të zvogëluar përdorimin e burimeve natyrore me bazë karbon në çdo sektor të ekonomisë amerikane.

“Kërkesa pa bukë nga kundërshtarët tanë të huaj dhe goditje maksimale për qytetarët amerikanë,” kështu e komentoi udhëheqësi republikanëve në Senat, Mitch McConnell, planin e Klimës të Presidentit Biden, duke e cilësuar plot “përparësi të gabuara”.

Gazeta Washington Post shkruante në një artikull redaksinal në numrin e së enjtes se megjithëse Presidenti Biden ka ofruar një premtim të madh, vënia në jetë do të jetë shumë më e vështirë.

“Shteteve të Bashkuara do t’u duhen linja të reja të tensionit të lartë për të transportuar energjinë elektrike nga zonat ku mund të ngrihen mullinjtë e erës, apo nga zonat me diell tek zonat ku nuk ka burime të tilla (të gjelbra),” thuhej në artikull.

“Sisteme të mëdha infrastrukturore për energji nga era, dielli dhe potencialisht, energjia bërthamore dhe hidro duhet të ndërtohen në një kohë të shkurtër dhe objektet që punojnë me naftë, gaz apo qymyrguri do të duhet të mbyllen para se u ka ardhur koha. Transformimi i sektorit të transportit duke zëvendësuar automjetet ekzistuese me makina me energji elektrike do të jetë sfidë edhe më e madhe. E gjithë kjo do të kërkojë shuma të mëdha investimesh publike dhe private”.

Qëllimi i ri i Shteteve të Bashkuara “është një hap i rëndësishëm përpara”, sipas grupit “Climate Action Tracker” që analizon në mënyrë të pavarur shkencore veprimet e qeverive për klimën. Por ky konsorcium ndërkombëtar shtoi se zotimi “është ende afro 5-10% më pak se masat që kërkoheshin për të arritur brenda 2030 objektivin për një kufizuar rritjen e temperaturës së planetit vetëm me 1.5 gradë Celcius”.

Exit mobile version