“Misioni…” i Bashës si refleksion dhe vizion!

Nga Arben ÇEJKU

Sot nuk është ditë për të bërë fushatë elektorale, por një mundësi e mirë reflektimi për vetë fushatën që u zhvillua gjatë këtyre javëve. Libri “Misioni Im”, i shkruar dhe botuar nga kandidati për Kryeministër, zoti Lulzim Basha, ishte një vlerë e shtuar për të gjithë këtë ngjarje politike në tërësi dhe për mbështetësit e tij në veçanti. Në ditët e para të prezantimit, pati shumë komente dhe përshtypje dhe shumë pak analiza reale mbi këtë vepër, e cila në disa raste u cilësua “traktat”, “platformë elektorale” etj. Por keqardhja ime personale ishte vala e diskutimeve publike mes atyre që flisnin pa lexuar librin, por duke paragjykuar autorin.

Unë e kam lexuar që në ditët e para, sepse librat që marr, si rregull i lexoj menjëherë. Por sot, meqenëse është ditë reflektimi, mendova të ndaj me miqtë e mij disa refleksione mbi këtë libër.

Së pari, libri ndihmoi për ta bërë më qytetare dhe më perëndimore fushatën e PD, sepse tërhoqi debatin drejt vlerave dhe modeleve bashkëkohore të liderizmit europian e amerikan. Të diskutosh dhe debatosh mbi një libër-platformë është më pozitive sesa të kacafytesh verbalisht në publik apo në media për “mustaqet e Çelos”…

Së dyti, libri “Misioni Im” e ndihmoi vetë Lulzim Bashën, që te zgjerojë dhe forcojë metodat e komunikimit politik e publik, duke vëne theksin tek programacioni për të ardhmen dhe jo tek agjitacioni për të shkuarën.

Së treti, libri e theu mitin e rremë të skepticizmit dhe pseudo-intelektualizmit, i cili u ngrit me tullat e baltës së një propagande të organizuar anti-Basha që kur ai mori drejtimin e opozitës.

Së katërti, “Misioni Im”, (për ata që e kanë lexuar dhe do ta lexojnë), është një udhërrëfyes i sinqertë, i argumentuar dhe i besueshëm, jo vetëm për profilin e një kandidati për Kryeministër, por edhe për platformën e tij të qeverisjes.

Së pesti, reflektimet e zotit Lulzim Basha për politikën shqiptare dhe rolin e saj, janë unike dhe të jashteëzakonshme, nëse marrim në konsideratë faktin që ai sot është një prej përfaqësuesve kryesor të saj! (Politika është zhurmëmadhe, projekton një vend shumë të gjerë dhe të tepruar për veten në jeten e njerëzve. Politika shqiptare hyn në mënyrë të dhunshme në jetën e qyetetarëve, duke u imponuar atyre ritmin dhe amullinë e saj si mënyrë të jetuari….Politika më e mirë sipas meje është ajo që ndikon në jetën e njerëzve në përditshmëri, por pa i bezdisur ata… Ne kemi nevojë të ngutshme që politika, nga të qenit problem i njerëzve, të kthehet në zgjidhëse të problemeve të tyre- LB). Në krahasim me rivalin e tij politik që u dallua për skicimin dhe karikaturimin poetiko-narrativ dhe eseistik të personazheve politike e publike në “Kurban”, i cili në thelb merrej me njerëzit, tek “Misioni Im”, Basha merret me idetë, duke patur si shqetësim të ardhmen e njerëzve.

Së gjashti, meqë jemi tek refleksionet e Bashës për politikën, ai rithkson publikisht në këtë libër qëndrimin e tij për përfaqësimin parlamentar. ( Ne kemi nevojë t’i bëjmë listat 100% të hapura, madje kemi nevojë të kthehemi te votimi i drejtpërdrejtë, te lidhja me zonën me një organizim të ribterritorial më të balancuar..).

Së gjashti, libri na rikthen vëmendjen tek një nga shtyllat kryesore të shoqërisë sonë, që është familja. Duke sjellë shembullin personal, ai i jep fuqi vizionit dhe misionit të tij si politikan për fuqizimin e familjes shqiptare, si themel për vetë shoqërinë tonë.

Së shtati, librin e përshkon tej e tej sinqeriteti dhe besueshmëria për gjithçka thuhet aty. Ata që e kanë lexuar dhe të tjerë që do ta lexojnë, do të vënë re lidhshmërinë organike mes qëndrimeve publike dhe atyre që përcillen në libër.

Së teti, në këtë libër të veçantë politiko-eseistik, vihet re jo vetëm formimi, por edhe këndvështrimi perëndimor i autorit kur adreson problemet tona shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarë!

E nënta dhe e fundit, ndonëse është shkruar dhe botuar në kontekst të një ngjarjeje të madhe politike e shoqërore, siç janë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, “Misioni Im” sjell një risi në komunikimin politik dhe në historinë e letërsisë politike shqiptare.

Libri Basha

Artikulli paraprakMashtrimi i fundit i Edi Ramës!
Artikulli tjetërGjergj Meta: Unë do të votoj! Voto dhe ti, por jo atë që të blen votën!