Bujar LESKAJ
Të dashur bashkëqytetarë vlonjatë!
Dëshiroj t’ju falenderoj nga zemra të gjithëve ju, banorë të Qarkut të Vlorës, që morët pjesë në votime, që besuat programin dhe vizionin e Partisë Demokratike, që na votuat, demokratë, numërues e vëzhgues!
Ishim së bashku përgjatë këtyre muajve të fushatës, një fushatë e jashtëzakonshme me klimë qytetare, pozitiviste e që shikonte nga e ardhmja.
Pjesëmarrja aktive e të rinjve, promovimi në të gjitha nivelet i barazisë gjinore, nga aktivitetet intelektuale, prej të cilave volëm mendime të vyera; shpalosja dhe paraqitja e programit të PD “Shqipëria Fiton” si dhe hartimi me shumë dashuri, përgjegjësi e vizion i programit tonë për Vlorën, “Vlora Fiton”, bënë që kjo të ishte një fushatë gjithëpërfshirëse me një hapësirë përfaqësimi të garantuar për të gjithë.
Tashmë vullneti i popullit është shprehur dhe është koha e leximit me përgjegjësi të lartë qytetare e përulësi të verdiktit të popullit, por edhe të çdo vote në kuti.
Të dashur qytetarë që besuat Partinë Demokratike!
Ju që votuat kundër arrogancës, kundër harbutërisë, kundër marrëzisë së një njeriu që mendon se është pronar i vetëm i këtij vendi!
Ju që nuk u thyet nga regjimi autokratik dhe shitja e votës!
Ju falenderoj, sepse ju votuat për lirinë!
Votuat për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për rininë, për dinjitetin e nëpërkëmbur kaq vjet!
Për Shqipërinë ku duam të jetojmë krenarë e me dinjitet!
Të dashur vëllezër, anëtarë të Partisë Demokratike!
Mirënjohje pafund për punën dhe përkushtimin tuaj të parreshtur.
Do të vazhdojmë të dokumentojmë dhe të denoncojmë edhe në të ardhmen, siç kemi bërë deri tani, blerjen e votës, intimidimin, arrogancën dhe frikësimin e qytetarëve.
Jam plotësisht i vetëdijshëm se puna që kemi përpara është më shumë se gjithçka kemi bërë deri më sot.
Ne do ta fitojmë këtë betejë të gjatë; betejën për votën e lirë, për demokracinë, për Vlorën!
Për një gjë dua t’ju garantoj: Unë dhe ekipi i deputetëve të PD të Vlorës do të jemi shërbestarët tuaj të vërtetë në parlament, shërbestarë të Vlorës, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Selenicës, Himarës!
Ju faleminderit!