Nuk do të jetë deputet/ Majko: Jam ndër 10 më të votuarit, sistemi më la jashtë

Pandeli Majko, ministër për Diasporën dhe deputet i PS, nuk arriti të marrë mandatin e deputetin në zgjedhjet e 25 prillit. Majko renditej i 19 në Tiranë dhe pavarësisht se disa herë Kryeministri Edi Rama përmes batutave ka bërë thirrje që të votohej emri i tij me votën preferenciale, sërisht Majko nuk arriti të thyente herësin.

“Megjithëse matematika më rendit në 10 kandidaturat e votuara në qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e 25 prillit, unë nuk do të jem deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Sistemi elektoral është ky që kemi pranuar. Përvoja më ka mësuar se duhet të jesh i gatshëm të shohësh atë që ekziston.

Isha i bindur se do ti fitonim 19 mandate në Tiranë. Ndaj fushatën për numrin tim personal 19 e kalova në plan të dytë. Edhe për këtë arsye, rezultati nuk është një përrallë që e mposht me logjikë”, shkruan Majko në rrjetet sociale.

Ish-Kryeministri socialist u rendit në atë që konsiderohej si vija e kuqe në listën e kandidatëve socialistë për Tiranën, duke mos arritur të merrte mandatin. Sistemi që u aplikua në zgjedhjet e 25 prillit u miratua edhe me votën në Kuvend të Pandeli Majkos, ku vazhdimisht PS kundërshtonte listat e hapura 100 %, duke vendosur atë që u konsiderua si barriera e herësit. Ndoshta sot shumë nga ligjvënësit aktualë, të cilët në shtator nuk do të jenë pjesë e Kuvendit, mund të jenë penduar që kanë ngritur duart symbyllurazi për një sistem që çimenton kryetarët e partive.

Artikulli paraprakPD publikon videon: Si kanë vepruar bandat e pushtetit për të vjedhur dhe blerë rezultatet e zgjedhjeve
Artikulli tjetërMirënjohje dhe respekt!