Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë publike me shifra dhe emra konkretë, vjedhjet, abuzimet me paratë e shqiptarëve dhe kompanitë që përfitojnë shumicën e tenderave në vend. 2.2 miliardë dollarë të vjedhura në dy vjet. 88 milionë dollarë tendera u ka dhënë Edi Rama 11 miqve, ndërtuesve të vilave dhe bashkëpunëtorëve të tij, ndërkohë që 91.6 milionë dollarë janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi, bileta avionësh, për luks.
“E kam thirrur këtë bashkëbisedim me ju për të ndarë pikë së pari shifrat shokuese të korrupsionit dhe mekanizimin e korrupsionit, me anë të të cilëve shqiptarëve iu janë marrë 2.2 miliardë euro vetëm në vitin 2014-2015. 2.2 miliardë euro në taksa, dogana, në prokurime publike.
Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar shkaqet se pse vendi ndodhet në krizë totale ekonomike, në varfëri, në papunësi, një pamundësi të 46% të shqiptarëve për të dalë nga nivel i mjerimit, siç e shfaqin edhe statistikat e fundit të Bankës Botërore, një pamundësi të biznesit për t’u zhvilluar për të hapur vende pune.
Dhe sado të bilbilosë me truket e vjetra të propagandës, Edi Rama këtë realitet nuk e mbulon dot, nuk i bën dot makijazh.
Rezultati i kësaj duket qartë edhe nga të dhënat e depozitave të bankave të Shqipërisë. E mbani mend parullën e famshme të ‘Rilindjes’ që ‘5% e shqiptarëve zotërojnë 50% të depozitave’?! Sot zyrtarisht këta drejtojnë një vend ku 4% e popullsisë zotëron 58% të depozitave. Pra, pjesën më të madhe të depozitave e zotëron një grup edhe më i vogël se sa pretendonin këta para ardhjes së tyre në pushtet. Ndërkohë që konfirmohet se 46.2% e popullsisë jeton me më pak se 5 dollarë në ditë për familje dhe jo për frymë”, theksoi zoti Basha.
Lideri i opozitës është ndalur në bashkëbisedimin me gazetarët në tenderat që marrin miqtë dhe bashkëpunëtorët e Kryeministrit. Janë 11 kompani që kanë marrë 88 milionë dollarë tendera.
“Pjesa e luanit në abuzime është pjesa e Edit në fakt, nuk është as e Luanit, as e Gentit, por është e Edit, pak e Olsit dhe e ndonjë tjetri. Është pjesa e prokurimeve publike ku kjo qeverisje ia ka dalë në këto dy vite të vendosë dy rekorde.
Rekordi i parë është që 1/3 e prokurimeve publike si mesatare kryhen drejtpërdrejtë, pra nuk ka garë.
Dhe së dyti do të shikojmë që në këtë nivel prokurimesh kemi një volum shpenzimesh luksi të pakrahasueshme me zërat e shpenzimeve të qeverisjes së mëparshme, të pakrahasueshme për frymë të ndonjë qeverie europiane me ekonomi në rregull e jo më me ekonomi në krizë.
Ndërkohë në muajt e parë të këtij viti, nga 2186 tendera, 1596 prej tyre janë pa tender, janë me negocim të drejtpërdrejtë. 71% e pazareve të qeverisë kanë shkuar drejtpërdrejtë tek klientët, pa tender, theksoi zoti Basha, i cili u ndal në bashkëbisedimin me gazetarët edhe në abuzimet me shpenzime luksi, zyra, orendi, makina etj.
“Ta nisim nga banda e OSHEE-së që ka blerë zyra, mobilje, më 2015 në vlerën 12.6 miliardë lekë. Më 2015 12.6 miliardë lekë për zyra, për mobilje, orendi, etj. Në total tendera të tjerë abuzivë me vlerë 8 miliardë lekë duke përfshirë këtu trajnime psikologjike për stafin e OSHEE-së, etj., etj., bëhet fjalë pra, për një total prej 20.7 miliardë lekësh apo 21 milionë dollarë. 21 milionë dollarë do të thotë 10 shkolla të reja me orendi të reja. Do të thotë duke marrë parasysh pagën mesatare në Shqipëri prej 542700 lekësh, sipas INSTAT-it, do të ishin punësuar 38695 persona në muaj apo 3300 persona në vit me këtë pagë, 542700 lekësh në muaj. Apo do të thotë 306000 familje në ndihmë ekonomike do të merrnin ndihmën e plotë ekonomike, sipas INSTAT-it në vlerën 68500 lekë të vjetra apo 26 mijë familje në një vit do të përfitonin këtë ndihmë të plotë, të pacunguar, në qoftë se OSHEE-ja nuk do të kishte bërë paratë e tyre rrush e kumbulla.
Blerje karburanti 34 milionë dollarë, ta kemi të qartë se për çfarë bëhet fjalë. Prapë duke përdorur indekset mesatare të ndërtimit të një shkolle apo të një page mesatare apo të ndihmës së plotë ekonomike bëhet fjalë për 17 shkolla të reja të pajisura totalisht me orendi të reja, të pandërtuara. 5200 persona të punësuar për një vit me pagë 542700 lekë në muaj apo ndihmë të plotë ekonomike 68500 lekë për 42 mijë familje në vit.
Blerje automjetesh dhe servis, 8.8 miliardë lekë të vjetra ose 8.8 milionë dollarë më 2015 dhe 1.3 të tjera më 2016, pra në këto tre muaj. Bëhet fjalë për një total prej 10.1 milionë dollarësh për blerje automjetesh dhe servis në këto 15 muaj, 5 shkolla të reja që nuk janë ndërtuar, 1500 shqiptarë që mund të punësoheshin me 542700 rrogë në muaj apo 12 mijë familje të tjera në ndihmë ekonomike, që nuk e marrin ndihmën ekonomike.
Orendi dhe mobilie, totali 12.5 milionë dollarë, pra 6 shkolla, 1900 të punësuar për një vit me pagë mesatare 542700 lekë për muaj apo 15 mijë familje të tjera në ndihmë ekonomike që nuk e marrin ndihmën ekonomike.
Ja cila është kombëtarja e oligarkisë
“ALKO IMPEX” – Kompania është në pronësi të Arbër Abazit, nipi i deputetit socialist Sadri Abazi. Ka marrë 30 tendera në periudhën kohore nga viti 2014-2016 me një vlerë totale 1.4 mld lekë.
“Atelier 4” – Kompania e lidhur me Kryeministrin Rama dhe arkitektët e tij personalë, Shkreli, Eftimi ka fituar 18 tendera e vlerë totale 267 mln lekësh.
“CLASSIC” – Kompania është në pronësi të Agron Papulit, mikut dhe ndërtuesit të vilës së Dardhës të Edi Ramës dhe ka fituar 19 tendera me vlerë totale 595 mln lekë.
“EUROCOL” – Kompani në pronësi të mikut të Edi Ramës Aleksandër Carapuli, ndërtuesi i vilës së Surrelit, ka fituar 12 tendera dhe me një vlerë totale prej 1.8 mld lekësh.
“Eurogjici Security” – Kompania është në pronësi të Safet Gjicit, kandidatit socialist për Bashkinë Kamëz. Kjo kompani ka fituar 159 tendera me një vlerë totale prej 718 mln lekësh.
“Fastech. Fastek” – Kompania që përdoret nga “Intech”-u, “Intech”-u i famshëm që u bë shkak për humbjen e mandatit të Ilir Beqajt, në legjislaturën e kaluar dhe që tani përdoret si kompani guackë për shkak të denoncimeve që i kemi bërë “Intech”-ut. Një kompani jashtëzakonisht e vogël që fiton tenderat, por punimet i bën “Intech”-u i Ilirit, 45 tendera me vlerë 752 milionë lekë.
Vetë “Intech”-u, 32 tendera me vlerë 1.5 miliardë lekë.
“Ndreu Security” – Kompania është e lidhur me deputetin Pjerin Ndreu dhe në tre vjet ka fituar 37 tendera me vlerë 91.6 mln lekë.
“Marketing Distribution” – Kompania në pronësi të Vilma Nushit ka fituar 23 tendera në vlerë totale 134 mln lekë.
“Trimed” – Kompani në pronësi të Vilma Nushit ka marrë 458 tendera me vlerë 260 mln lekë.
“Omega Pharma” – Mbi 70% të tenderave përmes negocimit pa shpallje, 58 tendera me 70% prej tyre me prokurim të drejtpërdrejtë, pa tender, 830 milionë lekë.
88 milionë dollarë të shqiptarëve të marra nga kjo 11-she me prokurime të drejtpërdrejta, pra pa tender apo me tendera korruptivë, me tendera të paracaktuar”, theksoi zoti Basha.
Bileta avioni 14.8 milionë dollarë
Po t’i mbledhim së bashku vetëm këto shpenzime dhe abuzime bëhet fjalë për afro 90 milionë dollarë me të cilat mund të ndërtoheshin 44 shkolla të reja të pajisura të gjitha me orendi, me të cilat do të ishin punësuar 14 mijë shqiptarë për një vit me rrogën 542700 lekë të vjetra në muaj ose do të kishin marrë ndihmën e plotë ekonomike prej 68 mijë lekësh të vjetra në muaj, plot 109 mijë familje shqiptarësh që në fakt nuk morën këtë, por morën rrugën e azilit.
90 milionë dollarë mjaftueshëm për t’u dhënë subvencionim të drejtpërdrejtë çdo fermeri shqiptar, absolutisht çdo fermeri shqiptar në masën 30 mijë lekë të vjetra për dynym.
Ky është realiteti dhe këto janë destinacionet e turpshme dhe kriminale të parave, të taksave të shqiptarëve. Taksat janë marrë me kërbaç dhe në vend që të ktheheshin në ndihmë ekonomike për të pamundurit, në vende të reja pune për të rinjtë, të papunët dhe të shpunësuarit, në pensione të rritura apo subvencione për bujqësinë janë kthyer të gjitha në luks qeveritar që është skema më e pastër e korrupsionit dhe e vjedhjes”, theksoi kryetari i opozitës.