2 “finale” në 3 ditë

E ardhmja e Vincenzo Montellës si trajner i Milan mbetet në dyshim serioz pas barazimit në Europa League, kundër AEK në Athinë. “Strategu” kuqezi nuk mund ta shtyjë më tej takimin me fitoren dhe ndaj Sassuolo është i detyruar të marrë tri pikët. Transferta në Reggio Emilia do të jetë vendimtare, teksa Sassuolo ka qenë një “mace e zezë” për trajnerët kuqezi në vitet e fundit. Kundër Sassuolo u ul në stolin e Milan për herë të fundit Masimmiliano Allegri, i shkarkuar në janar 2014 dhe Clarence Seedorf, i shkarkuar në maj të po atij viti.
“Prej kohësh po shoh për së gjalli varrimin tim”, deklaroi Montella pas barazimit në Greqi, teksa Sassuolo përbën një ogur të zi. Në 12 janar 2014, Milan po udhëhiqte 2-0, por Sassuolo fitoi 3-2 me tre gola të shënuar nga Berardi dhe kjo i kushtoi vendin e punës trajnerit aktual të Juventus, Max Allegri. Në vend të tij u morr Clarence Seedorf. Për ironi të fatit, në ndeshjen e fundit të kampionatit, në maj 2014, holandezi fitoi 2-1 ndaj Sassuolo, por duke qenë se Milan u rendit në vendin e tetë të Serinë A, klubi vendosi ta shkarkojë. A do të ketë Montella të njëjtin fat?!
Montella vijon të rezistojë në pankinën e Milanit, edhe pas rezultateve negative në Serinë A, ku ka humbur çdo përballje me skuadrat që renditen në 10-shen e parë të renditjes, por duket se edhe durimi i drejtuesve të kuqezinjve, e ka një kufi.
Këtë e paralajmëroi edhe Fassone, pas ndeshjes së humbur përballë Juventusit, kur iu përgjigj Montellës me fjalët: ‘Dakord, kemi luajtur mirë, por ka ardhur koha të marrim pikë, sepse vetëm loja e bukur nuk mjafton për të arritur objektivat’.
Mediat italiane pranë kuqezinjve, raportojnë se dy sfidat e ardhshme të Milanit, ajo e sotmja ndaj AEK-ut dhe ajo e të dielës ndaj Sassuolos, do të jenë deçizive për të ardhmen e trajnerit Montella.
Drejtuesit e Milanit duket se e kanë përgatitur edhe terrenin për të zëvendësuar teknikun aktual, pasi kanë kontaktuar me Gatusson, Souzën, por edhe Mazzarrin, që së fundi ka refuzuar një ofertë nga Anglia, për të pritur kuqezinjtë. Deri të dielën, janë 2 sfida, që do të jenë si 2 finale për trajnerin Montella, sepse çdo hap fals do t’i kushtonte atij vendin e punës.
Vincenzo Montella vijon ta marrë me sportivitet mungesën e rezultateve te Milani. Edhe pas barazimit 0-0, ndaj AEK-ut të Athinës, trajneri i kuqezinjve i është përgjigjur me një batutë, pyetjes mbi shkarkimin e tij. “U bë disa kohë që shoh për së gjalli funeralin tim dhe kjo ka një avantazh, sepse kupton shumë gjëra. Shoqëria më qëndron pranë dhe më mbështet, por se çfarë do të ndodhë më pas, nuk di të them”, u përgjigj Montella pas barazimit pa gola në kryeqytetin grek. Sfida e të dielës, mes Milanit dhe Sassuolos mund të rezultojë deçizive për të ardhmen e Montellës, pasi fitorja është rezultati i vetëm që e shpëton.
Arlind Rama

 

Artikulli paraprakBonuçi kthehet nga skualifikimi
Artikulli tjetërLukaku: Më e mira nuk ka ardhur