Stefano Pioli luan gjithçka në dy muajt e mbetur të sezonit me Interin, natyrisht që tekniku 51-vjeçar i ka dhënë një tjetër fytyrë kampionatit të zikaltërve, me 8 fitore radhazi në muajt dhjetor-janar, por gjithsesi duket se kaq nuk mjafton. Dy muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për fatin e trajnerit të Interit. Deri në fund të prillit klubi nuk mund të bëjë një programim serioz për të ardhmen, duke vendosur edhe zgjedhjen përfundimtare për stolin, periudhë gjatë së cilës Pioli duhet të flasë në fushë me forcë dhe rezultate. Duke folur për rezultatet duket se Pioli mund të ketë të garantuar vendin vetëm nëse i jep skuadrës një frymëmarrje në arenën ndërkombëtare ku ambicia është pjesëmarrja në Champions League.
Mediat italiane hedhin hipoteza deri diku të bujshme për kandidaturat e tjera për stolin e Interit. Padyshim që mund të cilësohet e tillë ajo e Antonio Contes. “Gazzetta dello Sport” zbulon në fakt një prapaskenë interesante pasi pretendon që në mesin e tetorit të kaluar, ish-trajneri i Italisë ishte një hap larg divorcit me Chelsean dhe te Interi ndërkohë ishin penduar për zgjedhjen De Boer, me palët që patën kontakte jo të drejtpërtdrejta për t’i parë disponueshmërinë e njëra-tjetrës për të arritur një marrëveshje në rast të lamtumirave të parakohshme, por rrugët sërish u ndanë me Chelsean e Contes që nisi ngjitjen në kampionat.
Edhe pse mund të duket e çuditshme, që një juventin i lindur si Conte një ditë të drejtojë Interin, vetë trajneri më parë ka deklaruar që kur drejtonte bardhezinjtë, “Unë jam një profesionist, jo një tifoz. Nëse nesër do të drejtoja Interin, do të bëhesha tifozi i parë i Interit, kjo vlen edhe për Milanin dhe skuadrat e tjera”. Kandidati tjetër për Interin e së ardhmes nuk është aspak sekret. Bëhet fjalë për Diego Simeonen, prej kohësh në shënjestrën e zikaltërve. Atletiko kërkon ta mbajë dhe El Cholo ka një kontratë deri më 2018, por nuk kanë munguar sinjalet që evidentojnë një lloj lodhjeje të Simeones në Madrid ku ka prodhuar rezultate të jashtëzakonshme, si një titull kampion dhe arritjen në dy finale të Champions. Conte dhe Simeone janë padyshim dy emra sa intrigues aq edhe kërcënues për Piolin, hijet e tyre trajneri aktual mund t’i largojë vetëm me rezultate konkrete në dy muajt e ardhshëm.
Ndërkohë, drejtuesit e Interit janë duke i vëzhguar disa lojtarë në Ligue 1, të cilët mund t’i transferojë gjatë verës në “San Siro”. Fjala është për Kylian Mbappen e Fabinhon (Monaco) dhe Malcom (Bordeaux), shkruan “Calciomercato.com”. Por nerazzurrët nuk do ta kenë të lehtë t’i transferojnë këta lojtarë, sidomos Mbappen, i cili ka zgjuar edhe interesimin e Real Madridit, Barcelonës, City-t dhe Arsenalit.
Nicola Berti, legjenda e Interit, mendon se nerazzurrët duhet ta transferojnë mesfushorin italian, Marco Verratti, nga Paris Saint-Germain. “Unë do ta transferoja Verrattin në vend të Geoffrey Kondogbia. Në qoftë se pronarët e Interit, Suning, kanë para, unë do të nënshkruaj me Verrattin”, ka deklaruar Berti.