Policia italiane sekuestroi ditën e djeshme 2 ton drogë dhe armë të futur me kamion nga Shqipëria dhe arrestoi dy shqiptarë. Mediat italiane raportojnë, se është kapur 2 ton kanabis sativa në një kamion që vinte nga Shqipëria. Aksioni antidrogë i policisë italiane është zhvilluar në zonën Termoli paraditen e djeshme, ndërsa lajmi është bërë publik nga mediat italiane. Hetuesit italianë kishin informacione për ngarkesën e drogës që po vinte nga përtej Adriatikut.
Sekuestrimi i lëndës narkotike u bë nga policia italiane në Montenero di Bisaccia, ndërsa në pranga kanë përfunduar dy shqiptarë të moshës 27 dhe 24 vjeç. Sipas “Ansa”, shqiptarët përfunduan në pranga, teksa po shkarkonin një kamion me lëndën narkotike pranë një vile në fushën e Montenero di Bisaccia. Marijuana ishte e ndarë në disa pako të mëdha.
Policia ka sekuestruar edhe një armë, ndoshta e prodhuar në Ballkan. Sipas policisë italiane, vlera e kanabisit të sekuestruar kap shifrën e 2.5 milionë eurove dhe ngarkesa ishte e destinuar për në sheshet e Molises. Autoritetet italiane dyshojnë se, kamioni po transportonte drogën në një magazinë për ta mbajtur të fshehtë dhe për ta shitur më vonë. Ndërkohë, dy shqiptarët e arrestuar janë të moshës 24 dhe 27 vjeç. Ata janë dërguar në stacionin e policisë në Termoli dhe më pas u dërguan në burgun e Termolit. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur. Mediat italiane shkruajnë se policia dhe Antidroga po vijojnë hetimet për të zbardhur ngjarjen.
Autoritet italiane kanë dhënë alarmin për rritjen e trafikut të drogës nga Shqipqëria gjatë katër viteve të fundit. Një raport i publikuar para dy ditësh bënte të ditur se, në vitin 2016, 3.5 herë më shumë drogë e sekuestruar nga policia italiane në krahasim me vitin 2015. Ky është përfundimi i raportit të vitit 2016 të bërë nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali. Raporti i Antidrogës italiane vlerëson se në vitin 2016 u vu re një rritje e ndjeshme e sekuestrimeve të marijuanës, në 41.6 tonë apo gati 347.15% më shumë në krahasim me vitin 2015. Sipas raportit rritja është në kontrast absolut me vitin e shkuar, ku kishte më pak aktivitet në trafikun e narkotikëve. Gjithashtu pozita e favorshme e Shqipërisë ka shërbyer si një pikë kalimi për shumë rrugë trafiqesh droge.
Pjesa më e madhe e marijuanës u dërgua përgjatë vitit 2016 nga Shqipëria me gomone nga rajoni i Vlorës apo përmes automjeteve kryesisht nga Porti i Durrësit. Sipas të dhënave të Antidrogës italiane, shtetasit shqiptarë zinin vendin e dytë për nga numri i arrestimeve dhe rasteve të dërguara në Gjykata pas marokenëve përgjatë vitit 2016. Ndonëse pak kohë më parë u shkarkuan disa funksionarë të lartë në Portin e Durrësit për lejim të kalimit të sasive të mëdha të drogës, kanabisi vazhdon të kalojë me tonelata pikërisht nga kjo pikë kufitare.
Kapet gjysmë ton drogë në Greqi
Më shumë se gjysëm tonë drogë nga Shqipëria është kapur nga policia greke në Janinë. Bëhet e ditur se, rreth 700 kg kanabis sativa është sekuestruar në një zonë pyjore gjatë një aksioni të policisë greke të Janinës. Mediat lokale në Janinë shkruajnë, se droga ishte fshehur në pyje nga trafikantë shqiptarë me qëllim për t’u trafikuar drejt shtetit grek. Bëhet fjalë për 302 pako me kanabis, me peshë totale 569 kg. U sekuestruan gjithashtu edhe 3.9 kg vaj kanabisi. Nuk ka asnjë të arrestuar për sasinë e madhe të drogës së sekuestruar.
R.POLISI