Një sasi prej 2 ton drogë e llojit marijuanë dhe hashash, e konfiskuar në Lidos, tetorin e kaluar është djegur me incenerator. Në Ferrara, përveç tymit të zakonshëm të mbetjeve, dy javët e fundit në ajër ka pasur edhe substanca narkotike. Rreth 100 pako të mëdha marijuanë kanë përfunduar njëra pas tjetrës në incenerator në kontrollin e rreptë të Policisë së Ferraras dhe Comacchio-s.
Mediat italiane shkruajnë se, policia nuk kishte një ambient të posaçëm për sasinë e madhe të drogës së kapur, për të cilën është arrestuar një shqiptar dhe për këtë arsye, u zgjodh djegia e plotë e saj.
Tashmë, Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës nisjen e procesit gjyqësor për shqiptarin Rolando Rrapaj, djaloshi 19- vjeçar nga Vlora, që mediat italiane e cilësojnë si “kryeqytetin e drogës”. Procesi pritet të nisë në fillim të vitit 2018.
Shqiptari deri më tani nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje të hetuesve dhe policisë për rolin e tij të zbarkimit të sasisë së madhe të drogës në Lido Spina natën e 17 tetorin, në një plazh natyror në Bellocchio.
Megjithatë, ai akuzohet për posedim dhe trafikim ndërkombëtar të drogës dhe rrezikon më shumë se 10 vite burg. Pavarësisht kësaj, ai kurrë nuk e ka hapur gojën për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe pse ka edhe një avokat mbrojtës. Sipas hetimeve fillestare, Rrapaj mund të jetë pjesë e një organizate të madhe dhe që ka punuar në emër të saj.
Hetimet e policisë çojnë të gjitha lidhjet e trafikut në Shqipëri nga ku është edhe nisur ngarkesa e drogës. Përveç Policisë së Ferrara dhe Comacchio, hetimet për rastin po zhvillohen edhe nga Drejtoria e Antimafies.
Dy shqiptarë kapen me 15 kg kokainë në Itali
Dy shqiptarë u arrestuan në Breshia me 15 kg kokainë, vlera e të cilës në tregun italian shkon rreth 5 milionë euro. Një nga shqiptarët e arrestuar rezulton vetëm 14 vjeç, dhe një pjesë e drogës iu gjet në një çantë shkolle. Minoreni së bashku me një 24-vjeçar janë mbajtur në vëzhgim për disa ditë dhe më pas u arrestuan teksa dolën nga një garazh automjetesh. Ata janë ndaluar në bordin e një automjeti dhe në zotërim të 14-vjeçarit janë gjetur 6 kg kokainë e ndarë në disa pako. Pas kontrollit në banesën e minorenit 14-vjeçar janë gjetur dhe 9 kg të tjera kokainë, 3 kg prej të cilave ndodheshin në çantën e shkollës së bashku me një peshore të vogël.
14-vjeçari shqiptar ka lindur në Itali nga prindër shqiptarë, punëtorë të rregullt e të integruar mirë në jetën sociale breshiane. Një familje perfekte, e cila nuk kishte asnjë dijeni mbi atë çka kishte bërë djali i tyre.
Sipas hetimeve të policisë italiane 14-vjeçari shqiptar është shfrytëzuar si një hallkë lidhëse e trafikut të kokainës nga një organizatë kriminale trafikantësh. Pas marrjes në pyetje, minoreni shqiptar ka rrëfyer se ka pranuar propozimin e bërë nga dikush për të mbajtur fshehur këtë sasi të madhe droge.
Autoritetet italiane po hetojnë mbi anëtarët e tjerë të kësaj bande që me shumë gjasa janë trafikantë shqiptarë. Shqiptari tjetër i ndaluar 24 vjeç ka rrëfyer se është punësuar si korrier droge.
Ndaj 14-vjeçarit shqiptar është lëshuar urdhëri i arrestit me burg pranë qendrës minorene të vuajtjes së dënimit në Beccaria të Milanos. Ndërsa 24-vjeçari është shoqëruar në burgun Canton Mombello të Milanos.