Deklarata e deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi
Qeveria nuk bën transparencë për heqjen e ndihmës ekonomike, qëllimi për ta përdorur për zgjedhje
Ministria e Çështjeve Sociale në vazhdën e deklaratave qëllimisht nuk u tregoi shqiptarëve përse ka hequr nga skema e ndihmës ekonomike të paktën 20 mijë familje në varfëri ekstreme.
4 shembujt e sjellë prej zyrtares së qeverisë janë të dënueshëm, por ato nuk mbulojnë as dështimin 4 vjeçar për të pastruar skemën nga e njëjta qeveri, as mungesën e ndjeshmërisë për familjet e përjashtuara.
Deputetët e Partisë Demokratike ishin të shtunën e kaluar në disa prej familjeve në varfëri ekstreme, të cilat nuk dinin asnjë arsye përse ishin hequr nga lista e ndihmës në janar, ndërsa në dhjetor e kishin marrë atë.
Qeveria, që u kujdes të reklamonte 4 rastet e familjeve me makina, nuk dha asnjë shpjegim përse nuk marrin ndihmë familjet e Eduard Thaçit, që jeton së bashku me bashkëshorten dhe 3 fëmijët e mitur vetëm me borxhe.
Zyrtarja e Qeverisë dështoi të tregonte pse familja e Ilir Ibrahimit, me katër anëtarë, me dy fëmijë të vegjël dhe jeton në një shtëpi të rrënuar.
Pse, Fitnete Murati që është invalide, nuk merr as ndihmë ekonomike, as KEMP dhe ka prej tre vjetësh që jeton pa ndihmë ekonomike.
Këto foto tregojnë qartë gjendjen e mjeruar ku ata jetojnë. Partia Demokratike ka denoncuar prej disa ditësh që Qeveria bë mënyrë abusive ka larguar nga skema e ndihmës:
Rreth 15 mijë familje në Tiranë,
752 familje në KAmëz
1600 familje në KAmëz
682 familje në Kavajë
752 familje në Lushnjë
826 familje në Divjakë
Mbi 2000 familje në Pogradec
Qeveria nuk shpjegon pse ka përjashtuar mijëra nëna kryfamiljare me fëmijë jetimë, mijëra familje të komunitetit rom dhe egjiptian, mijëra invalidë që jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike (lista e familjeve të hequra nga skema e Ndihmës Ekonomike në Kamëz).
Dhjetëra mijë familje në mungesë totale transparence, pa dhënë asnj arësye pse janë hequr, pa publikuar asnjë indikator apo pikë se si përjashtohen familjet pavarësisht nga aplikimi që kanë bërë.
Në shkelje të të drejtave kushtetuese, qeveria ka ndëtuar një sistem abuziv, të cilin ne dyshojmë se ajo do ta përdorë gjatë zgjedhjeve për t’u blerë votën me bukën e gojës.
Qeveria nuk ka publikuar asnjë vendim për sistemin e pikëve që përjashtojnë familjet nga ndihma dhe e ka lënë përzgjedhjen në duart e dy njerëzve, që kontrollohen nga Ministrja.
Riaplikimi nuk është zgjidhja.
Partia Demokratike kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë për ndihmën ekonomike të muajit janar, që përjashtoi rreth 20 mijë familje. Të bëjë publike në mënyrë urgjente vendimin për treguesit përjashtues të ndihmës ekonomike, në mënyrë që familjet të njihen me kriteret.
Partia Demokratike beson se pezullimi i skemës, që thellon varfërinë dhe rishikimi i saj janë hapat e duhur. Kjo nuk është një kërkesë politike, por është një nevojë humane.