20 milionë euro në 12 minuta, Rama dhe Taho i fshihen Parlamentit

Ish-kryeministri Berisha denoncoi dje në Parlament detaje të reja në lidhje me grabitjen në aeroportin e Rinasit, të dhëna të cilat rrëzojnë pretendimet e publikuara nga policia. Berisha theksoi se shifra e vërtetë e grabitur nuk ka qenë 1 milionë euro por 20 milionë euro ndërsa tha se akti i grabitjes ka zgjatur më shumë nga sa pretendon policia jo 3 por 12 minuta. Ndërsa Rama dhe Tahiri zgjodhën ti fshiheshin Parlamentit dje nga frika e përballjes me opozitën dhe akuzave që rëndojnë ndaj tyre.
“Garantoj se ulen si këtu si një mazhorancë unike në botë, e dominuar në çdo qelizë nga krimi i organizuar. Pse ndodh, pse çdo javë kemi të paktën një ngjarje madhore të krimit? Sepse kreu juaj është kaput meduza, është kreu i meduzës së krimit. Pse ndodh çdo javë një apo dy ngjarje të mëdha krimi? Sepse kreu juaj e ka shndërruar Shqipërinë në proktetoratin e krimit. Sepse kriminelët, trafikantët, vrasësit ndjehen zotër të territorit të këtij vendi. Ajo që ndodhi në aeroportin shqiptar, aeroportin e vetëm unik është një akt i mirëfilltë terrorizmi, natyrisht jo ndaj personave, por një grabitje e stilit terrorist. Për 12 minuta banda e armatosur me automatikë, kallashnikovë, pistoleta e të gjitha mjetet, pra jo për 3 min, por 12 min pushtoi pistën e avionëve, pistë në të cilën ishin disa avionë, kreu krimin e shëmtuar dhe u largua pa iu futur ferra në këmbë. Çfarë mësuan shqiptarët mbrapa? Shqiptarët pas kësaj ngjarje nga ju mësuan se nuk keni asnjë përgjegjësi për aeroportin. A ka turp më të madh?! Nëse ka një pikë kufiri më nevralgjike siguria kombëtare, nëse ka një pikë kufiri më strategjike ky është aeroporti dhe vetëm aeroporti, pastaj janë portet e pastaj janë territore të tjera. Ju menjëherë latë duart, “nuk kemi përgjegjësi ne, por ka përgjegjësi kompania” që është e avokatit të kreut tuaj. Fati i shqiptarëve, siguria e aeroportit varej nga avokati i Edi Ramës. Po avokati ndjehej zot në protektoratin e tij të krimit. A ka gjë më të paimagjinueshme sesa një polici të lajë duart e të thotë se s’ka të bëjë me sigurinë në aeroport. Po nëse ske të bësh me sigurinë në aeroport atëherë për ty siguria nuk ekziston më” u shpreh Berisha.
Ish kryeministri dënoi përpjekjet për të manipuluar të vërtetat e ngjarjes dhe fshehjes së detajeve mbi shumën reale të eurove të grabitura.
“E shëmtuar ishte mungesa e transparencës. Në mënyrën më të neveritshme deklaruat se u vodhën 1 milion. Ja u them unë këtu se janë nisur nga bankat 115 kg euro, pra rreth 30 mln euro. Nën 20 milionë euro avionët nuk pranojnë të transportojnë, se edhe avionët kanë problemet e veta të transportit nga shkarkimi deri në destinacion. Janë nisur 115 kilogramë, janë rrëmbyer mirë e bukur, qetë e qetë 85 kg. Janë rrëmbyer të paktën 20 mln euro. Kjo nuk është vepër e një bande ordinere, kurrën e kurrës nuk mund të jetë. Kjo është vepër e një bande zyrtare qeveritare.
Iu thatë shqiptarëve u vodhën 1 mln, iu thatë shqiptarëve se s’keni punë me aeroportin. Por një gjë shqiptarët shohin, se dy vjedhjet më të mëdha ndodhin nën kompanitë e partisë. Se vjedhja ditën për diell tek banka në Bulevard, ishte e tëra në duart dhe kthetrat e kompanisë Gjici. Gjici famoz ka fituar 54 tendera në rojë. Pas tij vjen Nazeri, kompania e avokatit të Edi Ramës.
Kompania Nazeri është një nga kompanitë kryesore të fitores së të gjitha tenderëve tuaja. Ju peshon në kandar, ju peshon në euro ndaj i fiton të gjitha tenderët. Deklaroni pra një shumë falso. Ky është një akt edhe më i shëmtuar.
Natytrisht atyre që jua vjedhin, ja u vratë barkun. Të dashur qytetarë ato janë kursimet tuaja. Mos kujtoni se ata u dobësuan apo humbën gjë. Jo, ata i kanë të siguruara ndaj vjedhin bashkërisht brenda 12 minutave 20 mln euro në zemrën e vendit që duhet të jetë më i sigurti në Shqipëri, por që është bërë vendi më i pasigurtë, pre e akteve terroriste të mirëfillta, jo kundër njerëzve, por kundër eurove”.

Një kosh plehrash blihet për 1200 euro

Zbardhja e vendimit të fshehtë të Bashkisë Tiranës për një projekt që parashikon multi-betonizimin e Parkut të Liqenit ka nxjerr në pah edhe zhvatjen masive të parave që Veliaj ka parashikuar të shpenzojë. Berisha denoncoi dje faktin se vetëm për blerjen e koshave të plehrave bahskia ka parashikuar një shumë marramendëse prej 1200 euro vetëm një kosh. “Degradimi juaj është ekstrem. Jeni shndërruar në një makineri babëzie të pashembullt ndoshta në historinë e njerëzimit. Dje, mediat ndërkombëtare ju denonconte se keni blerë një kosh plehrash 1 milion e 550 mijë lekë të reja. 100 kosha plehrash që keni vendosur në Park i keni 3.1 milionë euro. Se vetëm për llampat e Parkut dhe koshat e plehrave po shpenzoni fiks 12 milionë euro. A e kuptoni o qytetarë që pse nuk ju rriten rrogat? Ju keni tre vjet që nuk ja u ngrini rrogat qytetarëve, s’kanë parë një qindarkë. Sot ju o qytetarë merrni 12% më pak në sajë të inflacionit dhe rritjes së çmimeve sesa merrnit tre vjet më parë. Natyrisht ju merrni tonelata gënjeshtrash nga këta qeveritarë. Por e vërteta është se xhepat tuaj varfërohen çdo ditë e më shumë. Po si mund të ndodhë ndryshe, kur këta paratë tuaja edhe në plehra i vjedhin. E dëgjuat të fundit? Koshi “firmato” për të mashtruar vjedhjet. Pra duhet të ishte Dolce Gabana apo Versaçe. Kosh 1200 euro” tha Berisha.  Nga ana tjetër, ish kryeministri denoncoi edhe faktin se edhe pas këtij projekti qendron ortaku i Ramës, Alban Eftimi, i cili ka përfituar deri tani çdo tender të mundshëm të bashkive të majta e qeverisë. “Po a ka njeri në këtë vend që mund t’i thotë vetes shqiptar që mund të bëj një shpërdorim të tillë me kosha plehrash. Vetëm koshat dhe llampat e Parkut janë 12 milionë euro. Po kush e bën këtë? Se duhet të jetë një njëri jashtë çdo lloj standardi që t’i lejojë vetes të bëj një gjë të tillë. Ky është Albani, ky është Eftimi. Eftimiu i bën të gjitha. Po si i fiton Eftimiu projektet? Me 99.2% të fondit limit të caktuar. Ky mumuth, ky monstër që i merrte Ramës gjatë kohës që ishte kryebashkiak 80% të të gjitha lejeve të ndërtimit. Eshtë rikthyer tani po kaq i fuqishëm, si kanal i zi vjedhjesh të shqiptarëve. Nga të rriten rrogat? Si të ndërtohen rrugët? Nuk të lë vjedhja” tha Berisha.

Asnjë fond për ndërtimin e rrugëve

Prej tre vitesh investimet publike janë stopuar ndërkohë që asnjë fond nuk është akorduar për ndërtimin e rrugëve.
“Një ditë po dëgjoja një debat që keni zhvilluar midis koalicionit për fondet për rrugë. Po ku ka fonde për rrugë? Të gjitha i keni për zyra, për lukse dhe vjedhje. Prandaj nuk përfundon dot 1 km rrugë. Shko o zoti Pandeli e më thuaj një fjalë. Si ka mundësi që s’ka përfunduar për 3 vite rresht rruga Lin-Pogradec. Kur ne e kemi dorëzuar trasenë e shtrirë. Si ka mundësi që t’i bëhet ajo që ju bë sot Vlorës, me famozen Lungomare që është shndërruar në Lungo-mundim. E kishin vlonjatët rrugën me 6 korsi, të cilën s’ja u kisha ndërtuar as unë as ju, ja u kishin ndërtuar që përpara dhe ju ja u kthyet me dy korsi rrugën. U thatë se do ndërtonit blloqe me lule dhe ja u kthyet në blloqe betoni meqë me beton vidhet. Tani për të dalë nga Vlora deri në Radhimë, nga 7-8 min që duhej më parë sot do 45 minuta. I kanë goditur Vlorës në mënyrë fatale turizmin. Ja reduktuat korsitë nga 6 në 2 korsi. Çfarë bëtë me rrugën e Arbrit? Ku e keni? Mashtrime dhe vetëm mashtrime. Çfarë bëtë me Bay-Pass-in e Fierit o deputetë të Fierit? A e lamë ne të inauguruar dhe filluam punimet? A është kjo e vërteta? Me projekt dhe me çdo gjë. Tenderin e fitoi një kompani e madhe italiane. Pse nuk ngrini zërin ju? Apo mbushni xhepat? Çfarë ndodh me ju? A keni ju interesa zgjedhësish? Ka tre vjet, shkoni shiheni sa ka ecur. Dhe kreu juaj del këtu dhe thotë “na le 100 projekte”, duke treguar se s’di ç’është projekti dhe zhvillimi. Në vend që të falenderonte që lashë projekte në vazhdim, se nënkuptohet që çdo qeveri për të bërë projektet e veta do një kohë të caktuar, po ky nuk ka anuluar një projekt të vetëm. Po pse? Sepse ishin të drejta, ishin të studiuara, sepse qëndronin plotësisht. Por ato nuk i zbaton ti, i vjedh. Çfarë bëtë ju me rrugën Lushnjë-Berat? A ka gjë më të turpshme, tre vjet pasi keni ardhur në pushtet nuk bëni dot një rrugë që në mënyrë absolute mbaron për katër muaj. Asnjë shkëmb nuk kishte ajo, por vetëm një zgjerim dhe një urë. Sot e kësaj dite rruga s’ka përfunduar, sepse ju i gjobisni firmat dhe pastaj ato ju peshojnë ju me pare.
Ju keni ndaluar  by pass-in e Vlorës. O vlonjatë a e dini ju pse ska ecur qoftë dhe një kilometër të vetme ndonëse paratë janë që të gjitha? Sepse qeveritarët tuaj i diktojnë kompanisë fituese të tenderit nënkontraktorin. Dhe kur ai nuk pranon nënkontraktorin i vërsulen ta shqyejnë dhe e bllokojnë. Kur do ngopeni ndonjëherë ju? Vidhni në aeroport, vidhni në tendera, vidhni në Park, vidhni në rrugë, vidhni kudo.  Kjo është e patolerueshme” u shpreh Berisha.

Artikulli paraprakPyetja e FBI për gruan e Bilalit
Artikulli tjetërRama, tersi i reformës, e do vetingun për vete