20 Shkurti, dita e përkujtimit të viktimave të komunizmit

Nga Enriketa Papa

Sot, më 20 shkurt, është Dita e përkujtimit të viktimave të komunizmit në Shqipëri. Datë që përkon me shembjen e shtatores së Enver Hoxhës dhe vegimin e rënies së komunizmit. 34 vjet pas rënies së diktaturës, shteti shqiptar ende përpëlitet në vorbullën e një tranzicion të pafund për konsolidimin e institucioneve demokratike. Ky proces është shoqëruar nga një mungesë e theksuar e vullnetit politik për të zbuluar të vërtetën mbi diktaturën dhe për t’u rikthyer dinjitetin viktimave të komunizmit. Në vend të një përballjeje të sinqertë me të kaluarën, politikat e kujtesës janë instrumentalizuar, duke u shndërruar në një lojë ping-pongu midis elitave politike.
Në këtë kontekst, mendoj se qasja e filozofit francez René Girard mbi “dëshirën imituese” shpjegon të kuptuarit e dinamikave të tranzicionit shqiptar në përballjen me të kaluarën komuniste dhe dinjjitetin për viktimat e komunizmit.
Girard argumenton se dëshirat njerëzore nuk lindin në mënyrë të pavarur, por formohen përmes imitimit: “Ne duam atë që të tjerët duan.” Ky mekanizëm shpesh nxit rivalitet, pasi individët dhe grupet sociale konkurrojnë për të njëjtin objekt ose legjitimitet. Në situata konflikti të ashpër apo intens, sipas Girard dallimet midis rivalëve zbehen, duke i bërë ata gjithnjë e më të ngjashëm në metodat dhe qëllimet e tyre.
Kështu në përpjekje për të gjetur, rikthyer ekuilibrin social, shoqëritë shpesh i drejtohen mekanizmit të sakrifikimit: identifikimit të një viktime të përbashkët. Tejzgjatja e tranzicionit shqiptar dhe vështirësive të tij në përballjen me të kaluarën komuniste lidhen kësisoj me kulturën politike dhe traditën institucionale të shtetit shqiptar. Në vend që të ndërtonin një kulturë të re politike, elitat e ish-regjimit dhe opozita antikomuniste u përfshinë në një rivalitet polarizues imitues, duke riprodhuar strategjitë e njëra-tjetrës në garën për të imponuar versionin e tyre mbi të kaluarën dhe politikat e kujtesës.
Tranzicioni postkomunist shqiptar nuk solli një shkëputje të qartë nga e kaluara, por një transformim imitues. Ish-elitat komuniste, të ripozicionuara si social-demokrate pro-perëndimorë, përdorën strategjinë e sakrifikimit për t’u distancuar nga krimet e regjimit, shpesh duke ia faturuar përgjegjësinë Enver Hoxhës apo figurave të tjera si Ramiz Alia. Megjithatë, pavarësisht diskursit të ri publik, shumë prej tyre ruajtën strukturat dhe logjikën autoritare të së kaluarës.
Nga ana tjetër, opozita antikomuniste, në vend që të ndërtonte një model të ri politik, imitoi praktikat e kundërshtarëve të saj, duke zbatuar spastrime politike, klientelizëm dhe kontroll mbi institucionet. Kështu, politikat e kujtesës nuk u shndërruan në një përballje të vërtetë me të kaluarën, por në një betejë për legjitimitet politik të elitave pushtetmbajtëse.
Pikërisht ky cikël i vazhdueshëm i imitimit dhe sakrifikimit ka penguar një reflektim të sinqertë mbi diktaturën. Në vend që të kryente një shkëputje përfundimtare nga trashëgimia totalitare. Kështu, Shqipëria vijon të mbetet e bllokuar në një rreth vicioz, ku strukturat e vjetra të pushtetit mbijetojnë përmes një retorike të re ideologjike, duke ushqyer ndasi dhe polarizim të vazhdueshëm.
Si pasojë, vendi mbetet peng i tensioneve të pazgjidhura historike dhe i cikleve të përsëritura të konfliktit politik, që edhe pas tri dekadash nga rënia e regjimit vijojnë të dominojnë dinamikat e Shqipërisë postkomuniste.

Exit mobile version