20-vjeçari britanik donte të vriste Donald Trump

Një 20-vjeçar britanik  u arrestua në përpjekje për të qëlluar me armë kandidatin për President në SHBA, Donald Trump. Mediat shkruajnë se i riu u përpoq që t’i merrte armën një oficeri brenda një tubimi të Trump në Las Vegas. Ai i tha autoriteteve vendase se donte që të vriste kandidatin për President.
Me pretendimin se do t’i merrte një autograf Trumpit, Michael Steven Sandford tentoi që t’i rrëmbente armën oficerit amerikan.
I riu britanik kishte planifikuar sulmin ndaj Trumpit rreth një vit më parë, por kishte vendosur që planin e tij ta vinte në veprim tani.
Një zëdhënës i zyrës së jashmte, kur u pyet në lidhje me arrestimin e Michael Steven Sandford tha: “Ne jemi duke ofruar ndihmë për arrestimin e një shtetasi britanik në Las Vegas”.
Fushata e Donald Trump është karakterizuar nga akte dhune, protesta, etj, por kjo është hera e parë që regjistrohet një rast flagrant, ku një kundërshtues i tij tenton që të qëllojë mbi të. Miliarderi është kritikuar ashpër për një sërë politikash të propozuara, ku mund të përmendet ideja e bllokimit të hyrjes në Shtetet e Bashkuara për besimtarët myslimanë, ndërtimin e një muri përgjatë gjithë kufirit jugor me Meksikën, qëndrimin mbi lejet e armëve etj.
Megjithatë, retorika e tij është mbështetur nga një pjesë e mirë e republikanëve, të cilët e kanë votuar në zgjedhjet partiake. Për të zyrtarizuar nominimin e tij, Trump do të duhet të presë deri në konventën e Partisë Republikane që pritet të mbahet përgjatë datave 18 deri në 21 korrik. Përballë tij, demokratët pritet të vendosin kandidaten e tyre, Hilary Clinton.

Exit mobile version