Dekani i Fakultetit të Shkencave Humanë në Universitetin e Elbasanit, Albert Riska shefja e Departamentit të Gazetarisë, Elvira Lumi, pedagogia, Erjola Calja dhe katër persona të tjerë, kanë përfunduar në pranga. Bëhet e ditur se pedagogët u merrinin studentëve 200 euro për një notë kaluese. Në njoftimin e policisë thuhet se, personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme duke shpërdoruar funksionin publik kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve.
Prokuroria e Elbasanit ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë se Elbasanit
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka regjistruar procedimin penal datë 20.09.2017, për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafet 1 dhe 2 të K.Penal.
Ky procedim është bashkuar edhe me procedimin penal nr. 1702 të vitit 2017 për veprat penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 në ngarkim të personit nën hetim Petrit Kodra, të regjistruar gjithashtu nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
Procedimi penal është filluar kryesisht nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.
Informacionet janë siguruar nga kryerja e veprimeve hetimore, nga procedime penale të ndryshme të regjistruara më parë në këtë prokurori.
Hetimet janë kryer në vijimësi nga oficerët e policisë gjyqësore të Prokurorisë dhe Drejtorisë së Policisë Qarkut Elbasan.
Në kuadrin e zbardhjes së rrethanave të faktit nga prokuroria janë përdorur metodat speciale të hetimit për grumbullimin e provave.
Pas kryerjes së veprimeve të nevojshme hetimore, është arritur të krijohet dyshimi i bazuar në prova se nga ana e disa shtetasve dhe profesorëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, janë kryer veprime që inkuadrohen në veprën penale të “Ushtirmit të ndikimit të paligjshëm ndaj eprsonave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 245/1 I Kodit Penal.
Me vendimet e datës 08.05.2018, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, janë pranuar kërkesat e prokurorit të çështjes për caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasit si më poshtë:
1- Albert Riska, 55 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan
2 – Elvira Lumi, 54 vjeçe, banues në Elbasan, me detyrë Shefe e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan
3- Erjola Calja, 29 vjeçe, banues në Gostime Cërrik, pedagoge e jashtme në FakultetinEkonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan
4 – Petrit Kodra, 53 vjeç, banues në Elbasan, në rolin e sekserit
5 – Admirim Kala, 31 vjeç, banues në Tiranë, në rolin e sekserit
6- Adem Ngjela, 51 vjeç, banues në Cërrik, në rolin e sekserit
7- Marius Calja, 21 vjeç, banues në Gostime Cërrik, student.
Arrestimi i këtyre shtetasve u krye mbrëmjen e datës 08.05.2018.
Këta persona dyshohet se ushtronin ndikim te pedagogët apo pranonin ndikime nga shtetas të ndryshëm me qëllim favorizimin për nota kaluese për studentët e këtij universiteti në Fakultete të ndryshme kundrejt shpërblimeve të padrejta.