Supermashtruesi Veliaj rrit çmimin e ujit, qytetarët do paguajnë 138 milionë euro

Ndërmarrjet e ujësjellësit, të cilat janë në administrim publik kanë rikrijuar një borxh prej 17 miliardë lekësh ose 138 milionë eurosh ndaj OSHEE-se deri në fund të vitit të kaluar.

Por kjo fature detyrimesh më shumë se sa ndikon në përkeqësimin e bilancit të OSHEE rrezikon të çojë në rritje të mëtejshme të çmimit të ujit në të gjithë vendin, pasi Ministria e Financave në një prej alternativave për zgjidhjen e situatës propozon që të bëhet zbatimi i plotë i reformës së ujit, ku do të reflektohet kosto e energjisë elektrike në tarifën e ujit në kuadër të rishikimit të metodologjisë të tarifave të ujit.

Në një urdhër të përbashkët që Ministria e Ekonomisë dhe Financave lëshuan për reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë, një nga opsionet për të akomoduar në kosto faturat e energjisë ishte rritja e çmimit të ujit.

Në vitin 2014 qeveria e “Rama 1” që sapo kishte ardhur në pushtet, të parën punë bëri zbardhjen e detyrimeve të prapambetura në të gjithë sektorin publik. Nga rreth 72 miliardë i totalit të detyrimeve të fshehura, borxhi që ndërmarrjet e ujësjellësve i kishin atëherë kompanisë CEZ ishte vetëm 2.6 miliardë lekë. Kjo për faktin se atëherë kompania e shpërndarjes së energjisë ishte në pronësi private dhe ndërmarrjet e ujësjellësit ishin më të prirura për të paguar në kohë. Pas rreth 8 vitesh shihet se detyrimet e ujësjellësve janë rritur me më shumë se 6 herë duke arritur në 17 miliardë lekë, ku 9 miliardë lekë ishin interesa dhe 7 8 miliardë lekë principal.

Pavarësisht diferencave në vlera midis asaj të raportuar nga OSHEE dhe të dhënave të raportuara nga ndërmarrjet e ujit prirja në rritje e detyrimeve konfirmohet nga palët, shprehet Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

OSHEE ka nënshkruar marrëveshje me disa nga ndërmarrjet e ujit për ristrukturimin e detyrimeve, por nuk kanë qenë efektive deri me sot. Për OSHEE rakordimi dhe ristrukturimi i borxheve të vjetra me ndërmarrjet e ujit është një çështje që duhet zgjidhur. Por më shumë se ristrukturimi i borxheve të vjetra, rendësi paraqet përmbushja e pagesave korrente nga ndërmarrjet. Sa i përket institucioneve buxhetore, shuma e detyrimit të papaguar është 5 miliardë lekë, 3 miliardë prej të cilave principal.

Teksa qeveria shqiptare ushtroi një aksion masiv me 2014 tek qytetarët për të paguar faturat e energjisë me gjithë detyrimet e prapambetura, nuk e tregoi të njëjtën korrektësi me faturat e saj. Madje siç shihet nga të dhënat, pas vitit 2014 borxhi që institucionet e qeverisë dhe ndërmarrjeve të saj është rritur ndjeshëm, edhe pse në buxhetet vjetore ato i kanë të parashikuar shlyerjen e energjisë.

Ministria e financave dhe Ekonomisë dhe ajo e infrastrukturës kanë dhënë dy zgjidhje për të pagesën e faturave të energjisë nga ndërmarrjet e ujësjellësit.

E para është automatizimi i pagesave të faturave të energjisë elektrike përmes garancive bankare (overdraft). Kjo mënyrë do të pilotohet në 1 – 3 ndërmarrje ujësjellësi me financa të shëndosha, ndërsa do të shtrihet më tej tek ndërmarrjet e tjera që mund ta përballojnë financiarisht.

Së dyti do të bëhet zbatimi i plotë i reformës së ujit, ku do të reflektohet kosto e energjisë elektrike në tarifën e ujit në kuadër të rishikimit të metodologjisë të tarifave të ujit./B.Hoxha /MONITOR

Exit mobile version