Refuzimi për hetimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Berat, KAS shkel ligjin për të bërë transparencë. PD: Beteja jonë nuk ndalet!

KONFERENCA PËR SHTYP E SEKRETARIT PËR ÇËSHTJET ZGJEDHORE, IVI KASO, PËRFAQËSUES I PD NË KQZ

Ivi Kaso: Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, sot me një vendim që ne e quajmë të kundraligjshëm vendosi përsëri të mos marrë provat e kërkuara nga opozita dhe PD, lidhur me veprimtarinë dhe sjelljen e institucioneve, në momentin e përgatitjes së procesit zgjedhor të datës 25 prill, përkundër kjo detyrimit që Neni 137 i Kodit Zgjedhor e parashikon qartë që “Kur këto prova gjenden në disponibilitetin e institucioneve, atëherë është KQZ, në rastin konkret KAS, t’u drejtohet dhe t’i marrë këto prova.” Sigurisht këto prova që do të zbulonin masakrën zgjedhore të 25 prillit, nuk janë vënë dhe as nuk i vihen në dispozicion opozitës dhe rruga e vetme për t’i administruar ato në procesin ankimor është që vetë KAS-i t’i drejtohet me kërkesë organeve kompetente dhe të marrë të gjithë informacionin e kërkuar nga ana jonë.

Kjo vendimmarrje konstante për të mos administruar provat që ne kërkojmë shkon në drejtim të kundërt të transparencës të procesit zgjedhor dhe në drejtim të kundërt jo vetëm të pritshmërisë, jo vetëm të opozitës, e cila është ankuese në këtë proces por gjithë shqiptarëve dhe gjithë zgjedhësve për transparencë mbi çdo aspekt, ende të errët të masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Pyetje: Z.Kaso, PD nuk ka arritur t’i sigurojë vetë këto prova nga institucione të tjera por i kërkon KQZ-së? Sepse edhe në rastin e Gjirokastrës është i njëjti vendim dhe kështu mund të jetë edhe në qarqet e tjera që ju keni ankimuar.

Ivi Kaso: Partia Demokratike u është drejtuar zyrtarisht institucioneve për t’i kërkuar këto prova, por provat të cilat demaskojnë sjelljen e paligjshme dhe tërësisht të vënë në shërbim të partisë në pushtet, të gjithë institucionet e shtetit shqiptar, sigurisht ato nuk janë vënë dhe nuk besoj se do t’i vihen ndonjëherë në dispozicion opozitës. Detyrimi është i qartë, që provat t’i vihen në dispozicion procesi ankimor, në kuadrin e një bashkëveprimi institucional që KAS duhet të ketë me institucionet e tjera të shtetit shqiptar që i disponojnë të plota këto prova. Dhe për sa kohë që këto prova nuk merren, nuk disponohen; procesi ankimor nuk mund të jetë i plotë, nuk mund të jetë i qartë dhe çdo mosmarrëveshje zgjedhore nuk mund të zgjidhet në mënyrë të drejtë.

Vazhdojmë të themi që pritshmëria e shqiptarëve, jo vetëm atyre që kanë votuar opozitën, që e kanë parë si shpresë për ndryshim, por të gjithë zgjedhësve në Shqipëri është që të marrin vesh dhe të kenë të qartë se çfarë ka ndodhur jo vetëm në datën 25 prill, por në çdo aspekt të përgatitjes së këtij procesi zgjedhor. Proces i cili është shënuar nga parregullsi të shumta, mbi të cilat ende sot refuzohet që të hidhet dritë.

Pyetje: Mos ndoshta sepse PD nuk ka prova në tavolinën e KAS, por ka vetëm indicie, të cilat janë të pamjaftueshme që ky komision t’i drejtohet institucioneve të tjera?

Ivi Kaso: Partia Demokratike ka paraqitur një numër të madh provash mbi çdo aspekt të administrimit dhe procesit zgjedhor që ajo ka mundur të sigurojë. Por, Partia Demokratike nuk është institucion ligjzbatues, nuk ka kompetencat që kanë institucionet shtetërore. Dhe në këtë mënyrë ajo pret që në zbatim të repsektimeve të garancive që Kodi Zgjedhor ka mbi kërkesat e subjekteve politike, të bëhet dritë dhe të merren dhe administrohen të gjithë ato prova që nuk janë në disponibilitetin tonë sepse çfarë kemi patur, i kemi depozituar. Por, siç e thashë, detyrimi sipas nenit 137 të Kodit Zgjedhor, është i qartë që ekziston për KQZ, që në kuadër të një procesi ankimor të administrojë gjithçka tjetër që palët garuese në proces zgjedhor dhe ankimuese, nuk kanë patur mundësi që të sigurojnë dot vetë.

Pyetje: Z.Kaso, çfarë ndodh nëse vendimi i KAS edhe për qarqet e tjera është njësoj si për Gjirokastrën? Si i vërteton PD pretendimet e saj?

Ivi Kaso: Partia Demokratike gjithçka që ka pretenduar e ka të provuar dhe të gjitha provat që ajo disponon i ka të depozituar, së bashku me kërkesën ankimore në KAS, një pjesë e të cilave janë bërë publike, dhe një pjesë e të cilave me shqyrtimin e kërkesave ankimore për qarqet e tjera do të bëhet publike. Ajo çka ne kemi pretenduar është që dimensioni i plotë i gjithçka çfarë ka ndodhur do të zbulohet dhe do të vijë në vëmendjen e publikut dhe në tryezën e KQZ, vetëm pasi të administrohet i gjithë dokumentacioni që ekziston nëpër agjenci të ndryshme shtetërore, nëpër institucione shtetërore, të cilën ata refuzojnë që ta ndajnë jo vetëm me PD, por edhe me mediat dhe me aktorë të tretë që kanë kërkuar të disponojnë këtë dokumentacion. Ky dokumentacion, këto prova mund të sigurohen vetëm në mënyrë zyrtare, vetëm nga institucioni i cili shqyrton ankimet zgjedhore. Dhe për këtë kërkesa jonë është e qartë dhe konsekuente, që është KAS-i i cili duhet të veprojë në bazë të një detyrimi ligjor që e ka qartësisht të shprehur në Kodin Zgjedhor. Ne do të vazhdojmë betejën tonë në të gjitha kërkesat ankimore, jo vetëm në KAS, por edhe në të gjitha shkallët ankimore, për sa kohë që të ketë ende organe që trajtojnë mosmarrëveshjet zgjedhore, si ankimet tona.

Pyetje: Do ta çoni në Kolegj?

Ivi Kaso: Kaq përsa i përket procesit të sotëm. Në ditët në vijim besoj do të kemi rast të shohim edhe shqyrtimin e kërkesave të tjera ankimore dhe shpresojmë që thirrjet tona për administrim të të gjitha provave që vërtetojnë masakrën zgjedhore të 25 prillit të merren në konsideratë dhe institucionet të zbatojnë detyrimin që ligji iu përcakton.

Pyetje: A nuk ju duket e humbur beteja, për sa kohë që KAS nuk ka në plan që të marrë prova të tjera? Dhe a mendoni se ishte e kotë marrëveshja e 5 Qershorit që krijoi këtë institucion. A është KAS-i i kapur sot?

Ivi Kaso: Për sa kohë që ne jemi në kuadër të shqyrtimit të një mosmarrëveshje zgjedhore, ne flasim për gjithçka çfarë ka ndodhur. Dhe pritshmëria jonë për institucionet, për KQZ, për KAS, për Kolegjin Zgjedhor është që ato të zbatojnë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Sa herë që kjo nuk ndodh, ne siç kemi bërë në të shkuarën, do të jemi këtu për të denoncuar moszbatimin e ligjit, shkeljen flagrante të tij dhe pse jo reformat e ardhshme zgjedhore le të trajtojnë gjithçka që ndodh në këtë proces.

Exit mobile version