2007, viti më i mirë për shqiptarët, 2016 më i keqi

Në vitin 2016, një i rritur shqiptar kishte një pasuri prej rreth 9200 dollarësh, sipas raportit më të fundit të Credit Swisse për pasurinë globale 2016.
Në tabelat e publikuara, raporti jep të dhëna për pasurinë e të rriturve shqiptarë që nga viti 2000. Të dhënat tregojnë se viti kur të rriturit shqiptarë janë vlerësuar se kanë pasur pasurinë më të lartë është fundi i 2007-s, me 14,865 dollarë.
Më pas, fillimi i krizës globale duket se ka varfëruar dhe shqiptarët, që panë një rënie të pasurisë së tyre, për të arritur në 9200 dollarë në fund të 2010. Tejkalimi i krizës bëri që pasuria të përmirësohej, duke u ngjitur në 10,195 dollarë në fund të vitit 2013.
Më pas kemi sërish rënie, për të zbritur në 8,713 dollarë më 2015-n, niveli më i ulët ky që nga viti 2003. Ndonëse më 2016-n u raportua rritje, për të arritur në rreth 9200 dollarë, pasuria e shqiptarëve më 2015-2016 vlerësohet, sipas raportit, që të jetë më e ulëta e dekadës së fundit.
Krahas rënies së pasurisë, ajo që konstatohet është shtim i borxheve, një tjetër tregues i matur nga raporti. Ndërsa në vitin 2000 borxhi për të rritur ishte 37 dollarë dhe më 2003 ishte 128 dollarë, në mes të vitit 2016, borxhi për të rritur është shumëfishuar në 626 dollarë.
Nga 9,204 dollarë që ishte pasuria neto e një të rrituri më 2016-n, 1675 dollarë ishte pasuri financiare dhe ajo financiare 8155 dollarë, ndërsa borxhet ishin 626 dollarë.

Banka-qeverisë: Kujdes me borxhin

Banka e Shqipërisë dha dje opinionin dhe sugjerimet e saj në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2017 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.
BSH vuri theksin në rëndësinë e parashikimit të pasigurive dhe rreziqeve.
Guvernatori Sejko tha se duhet bërë kujdes në realizmin e të ardhurave poshtë nivelit të parashikuar dhe sugjeroi reduktimin e shpenzimeve në të njëjtin nivel me mosrealizimin. Në rast të tejkalimit të parashikimit, të ardhurat duhet të shkojnë për rregullimin e deficitit.
Veç kësaj, guvernatori propozoi rishikimin e realizimit të buxhetit çdo 3-mujor.
Ai gjithashtu, në sugjerimet e BSH për buxhetin, tha se duhet bërë kujdes ndaj huamarrjes së huaj, sidomos ndaj borxhit tregtar, i cili duhet të jetë alternativa e fundit e huamarrjes.
Një tjetër, sugjerim që erdhi për buxhetin ishte se qeveria duhet të marrë në konsideratë analizën kosto/përfitim gjatë investimeve në sektorë të ndryshëm, duke shpenzuar në ata sektorë që sjellin përfitim më të lartë.
Ridvan Bode, zëvendëskryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, gjatë diskutimit në lidhje me instrumentet politike të bankës, tha se inflacioni është poshtë objektivit të bankës qendrore dhe e pyeti guvernatorin se cilat po përdoren për të stimuluar rritjen e tij, si dhe sugjeroi se Banka e Shqipërisë duhet ta hedhë vështrimin përtej një mandati qeverisës.
Guvernatori në përgjigje ndaj Bodes tha se inflacioni ka qenë një tregues kryesisht prej faktorëve të jashtëm, sidomos rënies së çmimit të naftës në tregjet globale. Ai, në kundërpërgjigje, tha se parashikimet e Bankës së Shqipërisë janë afatgjata dhe shkojnë përtej një mandati qeverisës.

Guvernatori: Euro, e paparashikueshme

Shqipëri ka nivelin më të mirë të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit dhe Banka e Shqipërisë e ka në monitorim të vazhdueshëm. Vetëm me anë të stimujve të politikës monetare nuk mund të arrihet rritja ekonomike. Duhet një miks i politikave, fiskale dhe monetare, që të kemi rritje.
Stimuli monetar lehtësues do të vazhdojë, ashtu sikurse në të gjitha bankat qendrore në botë, sikurse Banka Qendrore Europiane dhe Rezerva Federale bëjnë.
I pyetur se pse banka qendrore ka marrë borxh në monedhë të huaj, guvernatori e arsyetoi me faktin se kanë lënë fonde të lira për të stimuluar ekonominë, së bashku me uljen e normave të interesit që do të vazhdojë deri në gjashtëmujorin e dytë të vitit që do të vijë.
Për sa i përket kursit të këmbimit, ku monedha euro ka shënuar nivelet më të ulëta historike, Sejko tha se nuk mund të parashikohet. Banka e Shqipërisë ka rezervë në monedha si euro, dollari, paundi britanik dhe së fundmi në monedhën kineze, që mund të cilësohen monedhat më të forta dhe të qëndrueshme në tregun global.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërShqiptarët, më të varfërit në rajon, na e kalon edhe Bosnja