Basha me demokratët e Vorës dhe Njësisë nr.11: Kush flet për 2025-ën, është dorëzuar para regjimit Rama-Doshi!

Kryetari i PD në detyrë, Lulzim Basha gjatë takimit me demokratët e Vorës dhe Njësisë 11 u shpreh se, kush flet për 2025-ën, është dorëzuar para regjimit Rama-Doshi. “Ne nuk jemi dorëzuar por do përdorim çdo instrument për të kthyer demokracinë dhe shpresën për njerëzit”, tha Basha.

Vorë

Këtu jam pas një turi të gjatë nga jugu në veri, e që do të vazhdojë sigurisht edhe me takimet e tjera, i cili më ka dhënë një mundësi që të jem pranë jush, siç ishim gjatë ditëve të fushatës. Një fushatë e jashtëzakonshme sepse u bë nga njerëz të jashtëzakonshëm, u bë nga ju, u bë nga ne demokratët, të vetëdijshëm se kë kemi përball dhe çfarë kemi përballë, ne zgjodhëm prapë se prapë rrugën e vlerave dhe dolëm përballë makinerisë së shtetit të bërë njësh me partinë dhe partisë së bërë njësh me shtetin e të përzierë me paratë e ndyra të krimit dhe të oligarkisë, zgjodhëm të dilnim me njerëz të ndershëm në krah, me njerëz të kontributeve e të sakrificës historike në Partinë Demokratike, me intelektualë e profesionistë të sprovuar të cilët kanë dhënë e japin një kontribut të jashtëzakonshëm në formësimin e vizionit dhe programit tonë.

Sepse vëllezër dhe motra ne në asnjë moment gjatë kësaj fushate nuk hoqëm dorë vlerat tona, nga ato që na diferencojnë prej ditës së parë të lindjes me kundërshtarin tonë historik. Ne jemi këtu të gjithë së bashku rreth këtyre vlerave. Ne na bashkon të gjithëve dëshira, vullneti por edhe besimi dhe bindja se kjo parti politike e lindur nga Lëvizja e Dhjetorit, ka një mision dhe një përgjegjësi mbi supe të cilën nuk mund ta tjetërsojë asnjë moment. As momentet e mëdha të arritjeve tona të paarritshme nga kundërshtari që nga rrëzimi i komunizmit, sjellja e demokracisë, futja e Shqipërisë në Këshillin e Europës, futja e Shqipërisë në NATO, heqja e vizave dhe zhvillimi ekonomik i vendit, të gjitha me vulën, punën dhe djersën e demokratëve dhe aq më pak momente të padrejtësive historike të cilët shumë prej jush themelues të nderuar e qëndrestarë të Partisë Demokratike i dini dhe i njihni fort mirë.

Ndaj, i vetëdijshëm për një moment kritik në të cilën ndodhet sot Shqipëria, ndodhet vendi, ndodhet demokracia, i vetëdijshëm për zhgënjimin, dëshpërimin e mbarë shqiptarëve që prisnin ndryshimin me 25 prill, ju shoh po kështu se këtyre ndjesive që i kemi përjetuar gjithsecili e të gjithë bashkë po i lë vend edhe zemërimi i ligjshëm për këtë padrejtësi, zemërata e njerëzve që janë futur në një betejë me të drejtën dhe për të drejtën, zemëratë të cilën kam ardhur t’ju ftoj ta kthejmë në një fuqi goditëse, në një fuqi vendimmarrëse dhe për ta çuar deri në fund betejën e nisur së bashku.

E dimë fare mirë në memorie tonë historike se kundërshtari ka përdorur nga të gjitha pozitat, qeverisjes apo të opozitës, hile, dredhi, padrejtësi. Kurrë nuk është derdhur barbaria në mënyrë kaq kapilare mbi demokratët e Vorës, Bërxullës dhe Prezës dhe të mbarë Shqipërisë si kësaj radhe.

E pra, nuk jam këtu për të bërë katalogun e kësaj masakre i cili është dokumentuar institucionalisht, i cili është qartësuar nga deklaratat paraprake të OSBE-ODHIR, por jam këtu për t’ju thënë që pavarësisht këtyre padrejtësive, pavarësisht prej kësaj masakre zgjedhore, ju demokratët e Vorës, të Bërxullës dhe të Prezës zgjodhët të qëndronit. Nuk ju detyroi askush, mund të kishit vendosur edhe ju të largoheshit apo të mbylleshit në shtëpi apo akoma më keq, siç bëri ndokush duke shkelur mbi sakrificën, gjakun dhe djersën e demokratëve shiste shpirtin tek kundërshtari. Por ju nuk jeni të tillë. Ndaj dhe 25 Prilli ndonëse na nxori përballë jo një kundërshtari politik por një armiku të egër të demokracisë dhe të shqiptarëve nuk arriti të na gjunjëzonte, nuk arriti të na ulte kokat sepse ju zgjodhët të qëndronit dhe të bënit betejë dhe falë kësaj beteje, pavarësisht prej masakrës zgjedhore e cila është shumëfish më e madhe se gjithçka që Shqipëria ka përjetuar në 8 vite dredhi, padrejtësi, arrogancë, dhunë sistematike dhe shtet të rënë në duart e mafies në pushtet, ne dolëm më të fortë dhe më të mëdhenj.

Ne dolëm nga kjo betejë përsëri si forca e vetme morale dhe shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshim. Sepse askush prej jush nuk iu përgjigj anti vlerave, krimeve zgjedhore, poshtërsive të kundërshtarit me të njëjtën monedhë. Përkundrazi, ne zgjodhëm të shkojmë te qytetarët pikërisht si zgjidhësit e problemeve të tyre me zgjidhje të faktuara përmes realizmit, pra, vërtetësisë që buronte nga fakti që kishim më shumë se 4 vjet ku pranë tyre dhe me ta njohëm dhe prekëm hallet e çdokujt. Këtu, në këtë bashki, shtëpi më shtëpi, në qytet e në fshatrat e kësaj zone, në sipërmarrjet e vogla dhe në ferma, sikundër anembanë Shqipërisë.

Partia Demokratike doli nga kjo betejë më e fortë dhe më e madhe, në bindjen time më të thellë, prej dy faktorëve kryesorë: së pari sepse ka qenë, është dhe mbetet parti e vlerave, parti për shqiptarët dhe e shqiptarëve. E ndaj shqiptarët na ndoqën, sepse e besuan dhe e besojnë se betejën e bëmë dhe do ta bëjmë për ta. Prandaj nuk ka gëzim në kampin kundërshtar, sepse e di që nuk ka vjedhur thjesht fitoren tonë, por ka vjedhur aspiratën e shqiptarëve për ndryshim, ka tjetërsuar vullnetin dhe shpresën e tyre për ndryshim dhe se gjurmët e këtij krimi ndodhen kudo të shënuara, jo thjesht dhe vetëm në institucione, por në mendjet dhe shpirtrat e të gjithëve atyre që besuan dhe kërkuan ndryshimin.

Dhe së dyti, sepse pavarësisht të gjithë përpjekjeve të kundërshtarit për të na përçarë, jo sot, por sot e mot, që në muajt e parë të lindjes së kësaj partie janë thyer njëra pas tjetrës si shkopinj. Bashkimi dhe vlerat janë dy faktorët që Partia Demokratike ka dalë nga të gjitha sfidat ballëlartë. Janë dy faktorët, sepse në 25 Prill në vend që të gjunjëzoheshim, në vend që të zvarriteshim, në vend që të përgjysmoheshim, dolëm të fortë, të bashkuar dhe të vendosur.

Dega 11

Shkaku se pse masakra e 25 prillit jo vetëm që nuk na përgjysmoi por na rriti numerikisht, politikisht dhe moralisht dhe na ka bërë më të gatshëm dhe më të aftë për tu bërë gati për ta çuar deri në fund misionin që kemi marrë para shqiptarëve. Sepse rruga e kundërt sot do të ishte rruga e barazimit me të dhe në fakt ky është një nga dy hilet që ai po përdor. Djallëzia e parë është të na barazojë dhe si mund të na barazojë, duke na shtrirë dorën e bashkëpunimit pa kushte. Pra, pasi ka vjedhur shpresën e shqiptarëve për ndryshim, pasi ka tjetërsuar votën e tyre, të na bëjë pjesë të vjedhjes, pra, të na mbylle gojën e të na ndalë misionin që është vetëm i yni dhe që vetëm ne kemi këllqet për ta çuar deri në fund.

Dy gjëra t’i themi qartas sa i përket qëndrimit tim, sot si kryetar i Partisë Demokratike dhe nesër me besimin tuaj për të vazhduar betejën: një, rezultati i 25 prillit, tjetërsimi i vullnetit të zgjedhësve shqiptarë nuk do të njihet dhe nuk do të pranohet. Dhe dy, nuk ka bashkëpunim me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit me shokë, por ka atë që bën çdo qytetar me dinjitet në Europë, çdo familje politike me dinjitet ka përballje me anti-vlerat, ka betejë me regjimin deri në rrëzimin e regjimit dhe deri në rikthimin e Shqipërisë në një vend me demokraci dhe me zgjedhje normale.

Ndaj tani i gjendur përballë këtij realiteti ai po përpiqet dhe do vazhdojë të përpiqet të shfrytëzojë çdo mundësi, të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin. Kjo që po bëjmë tani është një nga vlerat që na distancon me çdo parti tjetër, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Ai e ka kthyer partinë e tij në një stallë lopësh. Ne bëjmë garë, ne bëjmë debat, ne bëjmë konkurrencë, ne vendosim një anëtarë një votë, dhe ky është një avantazh i padiskutueshëm. Po brenda këtij avantazhi ka dhe një risk për të cilin jam shprehur dhe dua ta përsëris, në kushtet kur me gjithë masakrën zgjedhore ka përballë një Parti Demokratike më të fortë, më të madhe sesa ç’u fut në betejën e 25 prillit, hileja e dytë që do të përdor është përpjekja për të na e kthyer këtë proces por ndoshta dhe proceset e tjera, në një mekanizëm përçarjeje.

Dhe me këtë kam parasysh faktin se dilemat nëse 25 prilli ishte masakër zgjedhore apo fitore e Edi Ramës, të artikuluar pa thellësinë e përgjegjësisë që ka çdokush prej jush që ka qenë në këtë betejë, mund të lindin fillesat e një përçarjeje të re mes nesh. Sepse siç e kam thënë prej ditës së parë në Këshillin Kombëtar dhe po e përsëris dhe sot, nuk mund të jenë të dyja. Nuk mund të jetë edhe masakër zgjedhore, edhe fitore e Edi Ramës. Është o njëri, o tjetra.

Kush flet për 2025-ën, është dorëzuar tashmë. Unë nuk jam dorëzuar dhe unë e di që ju s’jeni dorëzuar. E di dhe Edi Rama, që të padorëzuar, të bashkuar, të vetëdijshëm për arritjet pavarësisht prej masakrës zgjedhore, por dhe të gatshëm për të përmirësuar atë që çfarë kemi ne në dorë për të përmirësuar dhe për të ecur me hapin e kohës, padiskutim që ne do të posedojmë akoma në mbyllje të procesit të 13 qershorit, edhe vetëdijen, edhe vendosmërinë për të qenë mendje ndarë dhe të vendosur për ta çuar misionin deri në fund. Dhe këtë mision nuk e kemi për veten tonë, se kemi për karriget tona, se kemi për karriget tuaja, e kemi për shqiptarët. Pushteti kurrë nuk ka qenë qëllim në vetvete për ne.

Dhe lidershipi im në krye të Partisë Demokratike, nuk ka qenë kurrë një lidershipi privilegji, as për vete dhe as për ju, por sakrificash. E kush më mirë se ju është dëshmitari i këtyre sakrificave? Së fundmi për tam-tamet që duan t’i rishkruajnë historinë: mund të kishin shkuar më 25 prill duke u zvarritur siç kanë bërë disa simotra tona të cilat nuk ekzistojnë më. Ose duhet të marrësh një xham zmadhues për t’i parë, në kuptimin elektoral të fjalës.
Ishin betejat dhe sakrificat që na bënë bashkë, që i bindën shqiptarët se kjo forcë politike ka mbetur siç ka lindur, për t’i shërbyer shqiptarëve dhe jo vetes. Dhe prandaj na ndoqën përkundër masakrës zgjedhore më 25 prill.

25 prilli nuk zgjidhi asgjë, njësoj si 31 marsi i 91-shit, nuk zgjidhi asgjë. Janë zgjedhje pa zgjidhje. Ndaj, dua ta them sot këtu, e në veçanti t’i drejtohem brezit të ri, sepse qëndrestarët dhe themeluesit e Partisë Demokratike e dinë fare mirë, zgjedhje pa zgjidhje prodhojnë vetëm zmadhim të krizës. Është detyra jonë që kësaj krize t’i japim zgjidhje përmes zgjedhjeve me zgjidhje. Ka 91-sh, ka dhe 92-sh. 2021-shi nuk është fundi i betejës tonë për ndryshim, nuk është fillimi i një katërvjeçari. 2021-shi menjëherë pas përmbylljes të procesit statutor, është vazhdimi i betejës të Partisë Demokratike duke marrë me vete të gjithë shqiptarët për përmbysjen e regjimi, për demokracinë dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Një orë e më parë, kjo është oferta me të cilën vij sot para jush, kjo është kërkesa që kam për ju. Ai na do të ndarë e të përçarë, ju dhe unë e duam Partinë Demokratike të bashkuar e të pandarë. Ai do që ta ndalim betejën e të merremi me veten tonë, unë dua ta vazhdoj betejën e të mëremi me të vetmin kundërshtar që kemi, armikun e shqiptarëve, armikun e Shqipërisë, armikun e demokracisë, Edi Ramën dhe regjimin e tij. Deri në fund, deri në fitore, në triumfin e demokracisë, triumfin e vlerave të cilin mund dhe do ta bëjmë realitet vetëm ne dhe vetëm të bashkuar.

2 4

Artikulli paraprakBasha: Masakra zgjedhore vetëm i zmadhoi hallet e shqiptarëve. Është detyra jonë që kësaj krize t’i japim zgjidhje sa më shpejt
Artikulli tjetërIsuf Luzaj, shqiptari i madh që u dekorua nga Regan, letrat e Nerudes dhe Borges për të dhe mohimi në Shqipëri