Basha: Me 25 prill në Shqipëri nuk është kryer thjesht një masakër zgjedhore, por ka rënë demokracia

– Basha me demokratët e Njësive n.1, n.2 dhe n. 3 në Tiranë: Ta përdorim 13 qershorin për të shpalosur vlerat e garës së brendshme, për të dalë të bashkuar dhe për të dhënë një sinjal të fortë se këtë betejë do ta vazhdojmë për njerëzit deri në fitore

– Basha: Me 25 prill në Shqipëri nuk është kryer thjesht një masakër zgjedhore por ka rënë demokracia. Ne do vazhdojmë të luftojmë më gjithë forcën tonë, deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi

KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME DEMOKRATËT E DEGËVE 1,2 DHE 3 NË TIRANË

Dega 2
Mirë se ju gjej zonja dhe zotërinj, vëllezër dhe motra, drejtues dhe drejtuese të strukturave të Partisë Demokratike të degës numër 2! Zonja drejtuese politike, kandidatë për deputetë, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Gruas, Forumit Rinor të Partisë Demokratike, themelues, qëndrestarë, intelektualë, është një kënaqësi e rrallë dhe padiskutim një nga momentet më unike, ku në këtë sallë e cila sot nuk është salla e deputetëve të Partisë Demokratike, por për këtë moment në tokën tuaj, në juridiksionin tuaj, është salla e degës numër 2, t’ju them jo mirë se erdhët por mirë se ju gjej!

Të shpreh kënaqësinë e thellë që jemi bashkë, ndonëse nuk do të ishin këto rrethanat në të cilat do të takoheshim, as për nga dëshira jonë e aq më pak për nga puna, nga vetëmohimi dhe sakrifica e gjithsecilit prej jush dhe e demokratëve anembanë Shqipërisë, por do të ishin rrethana krejt të ndryshme.

Se pse kjo ka ndodhur, e dimë fare mirë dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me sakrificën e jashtëzakonshme, me punën vetëmohuese, me përballjen e ditëpërditshme e të natëpërnatshme të demokratëve të degës 2 të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, me makinerinë shtetërore e bandat kriminale dhe me partinë-shtet. Siç nuk kanë zgjedhjet e 25 prillit të bëjnë më me demokraci.

Ne ndodhemi këtu, afro pesë javë pas një krimi final të regjimit të Edi Ramës. Pas përmbysjes dhe kapjes së çdo institucioni, me 25 prill është asgjësuar i vetmi mekanizëm që siguron demokracinë, respekti për vullnetin e shumicës së qytetarëve. Më 25 prill një pakicë harbutësh të korruptuar ka vendosur të asgjësojë këtë vullnet, ta tjetërsojë këtë vullnet, t’i mbivendoset këtij vullneti. Se si, ju e dini fare mirë.

Kudo ku kam shkuar, kudo ku kam takuar bashkëluftëtarët tanë demokratet dhe demokratët kam parë se si gjendja shpirtërore e tyre dhe e shqiptarëve ka evoluar nga ajo e shokut dhe tronditjes, e dëshpërimit dhe zhgënjimit, në një gjendje zemërate dhe tashmë vendosmërie.

Më kujton të njëjtat ndjenja të cilat kam përjetuar si 17 vjeçar në 31 marsin e vitit ‘91. Në orët e para, ku në atë që është sot dega 8, kandidonte përballë diktatorit të fundit komunist, inxhinieri i ndjerë Franko Kroqi, deri në orët e fundit të numërimit ku siç e dini rezultati ishte fitorja e Partisë Demokratike në atë zonë, për t’i lënë vend shokut të rezultatit në nivel kombëtar dhe një goditje akoma më të rëndë dy ditë më vonë në Shkodër, ku një protestë e nisur nga gjimnazistët e “Jordan Misja” përfundoi me katër martirët e demokracisë. Njësoj si në ‘91 edhe 25 prilli ishin zgjedhje pa zgjidhje. Njësoj si atëherë por akoma më keq se në ‘91, akoma më keq se në 2001, u bënë bashkë shteti dhe partia dhe paratë e derdhura lumë të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, tjetërsuan vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Por kam bindjen se mbi të gjitha ju shoh ballëlartë sepse jeni të vetëdijshëm, se përkundër kësaj masakre zgjedhore, përkundër dhe pikërisht për shkak të përballjes me këtë makineri kriminale, ju dolët si njerëz të qëndresës, si njerëz të vlerave, ja dolët të përballeshit dhe jo vetëm të përballeshit, jo vetëm të qëndronit, jo vetëm mos të përkuleshit, por të rriteshit, të forcoheshit dhe të vinit siç keni ardhur në këtë sallë dega 2 më të mëdhenj, me të fortë. Nuk e keni bërë këtë për mua, nuk e keni bërë këtë për karrigen time, as për karriget tuaja, nuk e kemi bërë këtë betejë për veten tonë, e kemi bërë për shqiptarët, ndaj shqiptarët zgjodhën të na besojnë, sepse ju zgjodhët të luftoni për ta. Shumëkush prej jush mund të kishte zgjedhur mos të qëndronte, ose mos të luftonte, ose të mbyllej në shtëpi, ose të ikte fare nga Shqipëria. Shumëkush prej jush mund të kishte patur edhe oferta, si ndonjëri që duke shkelur mbi sakrificën dhe gjakun e demokratëve shiti shpirtin tek kundërshtari politik, askush s’ju detyroi të ishit në këtë betejë.

Askush nuk mund t’ju detyronte ta bënit këtë betejë ditë e natë e të përballeshit me falangat e zyrtarëve të korruptuar, e kriminelëve, e një regjimi si ky i Edi Ramës i cili njësoj si në 45-ën, nuk na konsideron kundërshtar politik, siç është normale në pluralizëm, por armiq.

Por kjo e bën edhe më të madhe, edhe më të rëndësishme, arritjen e familjes tonë politike. Ndaj, mirënjohje të thellë për gjithsecilin prej jush vëllezër dhe motra, për këtë sakrificë të jashtëzakonshme, të bërë në kushte të jashtëzakonshme ku njësoj si në 91-shin dolëm në fushën e betejës vetëm me forcat e zemrave tona, të mendjeve tona, të moralit tonë, të vlerave dhe të kauzave tona, mirënjohje të jashtëzakonshme për këtë sakrificë dhe njëkohësisht zotimin tim që sa të kem frymë do bëj gjithçka që asnjë pikë djerse dhe sakrifice e juaja mos të shkojë dëm.

Po vëllezër dhe motra, ajo që kemi marrë përsipër shkon përtej nesh, shkon përtej Partisë Demokratike, janë fatet e Shqipërisë, janë fatet e shqiptarëve që kemi marrë mbi supe në betejën e 25 prillit. Dhe ato rëndojnë akoma më shumë mbi supet tona.

Kush tjetër përveçse Partisë Demokratike të Shqipërisë, si e vetmja forcë politike që posedon jo vetëm përvojën dhe meritën, por edhe teknologjinë e rrëzimit të regjimeve? Ndaj, dua t’ju them fare hapur se ndodhemi para një momenti të veçantë. Një momenti të veçantë për Shqipërinë mbi të gjitha.

Ne jemi këtu të bashkuar në një proces statutorë unik për partitë politike në Shqipëri, në Ballkan dhe shumë të rrallë në Europë, zgjedhjen një anëtarë një votë të kryetarit të partisë.

Kjo është një vlerë e shtuar jo vetëm për arsenalin tonë për të bindur shqiptarët për të na ndjekur në kauzat tona, në rrugën tonë, por është një vlerë e shtuar në tërësi emancipuese për demokracinë, plotë probleme dhe zikzake 30 vjeçare të Shqipërisë. Është një vlerë e shtuar të cilën më 13 qershor dhe çdo ditë deri më 13 qershor ne duhet ta nderojmë duke u angazhuar në këtë proces si demokrat, si qytetarë, si europian dhe duke e përmbyllur këtë proces me dinjitet, me qytetari dhe me vlerat më të larta të demokracisë.

Duke demonstruar kështu para shqiptarëve se përballë ortekut të amoralitetit, të kriminalitetit, të korrupsionit, të harbutërisë, që kurrë nuk do ja toleronim në shtëpinë tonë, askujt. Të anti-vlerave dhe kampioni i tyre, Shqipëria jo vetëm që ka një alternativë, por ka një alternativë të kulluar vlerash që nisin nga brenda familjes tonë.

Dhe ju ftoj ta zhvillojmë këtë me përpikmëri, me vetëdije të plotë se është një nga vlerat kryesore të familjes tonë, por njëkohësisht kjo gare e ka një disavantazh, ajo zhvillohet në kushtet kur kundërshtari politik ka kryer krimin më të madh dhe kur Shqipëria ndodhet në udhëkryq. Siç jemi të vetëdijshëm ne për dëshpërimin që ka kapur shqiptarët, që po kthehet dhe po i le vend zemëratës. Po kështu duhet të jetë i vetëdijshëm edhe kundërshtari jonë politik.

Dy janë konturuar si mekanizmat kryesore që po përdor ai. E para, është një vazhdim i propagandës, të agresionit ndaj Partisë Demokratike përmes ofertave diabolike për bashkëpunim. Bashkëpunim pa vija të kuqe madje, me fletë të bardhë përpara madje. Sigurisht që është një mashtrim, as e para, as e dyta, por e shumta ndër hiletë që tashmë ky kundërshtar djallëzor i ka kthyer në një përditshmëri.

Duke na ftuar për bashkëpunim, në fakt na fton të asgjësohemi si e vetmja forcë që mund të denoncojmë krimin, mund të luftojmë krimin dhe mund të ndërtojmë betejën për të rrëzuar krimin dhe kriminelët. Nëse shkojmë në atë drejtim nuk ka më asnjë shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët, nuk ka më asnjë forcë që t’i kundërvihet. Prandaj për këtë çështje dua të jem i qartë, i prerë, i shkurtër. E para, 25 prilli është një masakër zgjedhore dhe unë si kryetar i Partisë Demokratike me përgjegjësi të plotë kam deklaruar se nuk i njoh dhe nuk e pranoj masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Nuk i njoh rezultatet e tjetërsuara dhe vullnetin e tjetërsuar të 25 prillit. Dhe së dyti, se përgjigjja e prerë ndaj ofertës për bashkëpunim pa vija te kuqe dhe fletëve të bardha e të zeza të Edi Ramës është një jo e prerë dhe finale.

Nuk besoj se Edi Rama ka pritur diçka tjetër prej meje, ndaj këtu vijmë tek rreziku i dytë disavantazhi i kësaj gare në këto momente dhe instrumenti i dytë që Edi Rama po përpiqet të zhvillojë është po kështu një instrument i njohur, i vjetër dhe i dështuar. Ai e di fare mirë se nga kjo betejë Partia Demokratike nuk ka dale më e vogël, por më e madhe seç hyri dhe se kam fjalën vetëm për numrat e votuesve, nuk e kam fjalën vetëm për numrat e mandateve, por e kam fjalën për atë përmasë të madhështisë morale që na dha fakti që u përballëm me kriminelët dhe horrët me njerëz të ndershëm, me intelektuale, me njerëz të sakrificave.

Pra, ai e di forcën tonë e njeh. E di po kështu se cila është gjendja reale e vendit, e di që shqiptarët nuk kanë marrë përgjigjen që donin me 25 prill. Se ata që e deshën ndryshim me 25 prill sot e duan edhe më shumë dhe se numri i njerëzve që e donin ndryshimin me 25 prill është sot edhe më i madh. Ndaj, ai nuk na do bashkë dhe nuk më do në krye të kësaj beteje.

Dega 3
Me 25 prill në Shqipëri nuk është kryer thjesht një masakër zgjedhore por ka rënë demokracia. Sepse demokraci do të thotë që shumica vendos dhe nuk do të thotë që pakica merr peng shumicën. Rënia e demokracisë më 25 prill, na ka gjetur jo më të vegjël por më të mëdhenj seç hymë në këtë betejë dhe kjo falë dy faktorëve kryesorë që kanë karakterizuar Partinë Demokratike që prej ditës së parë që është themeluar. E para, edhe këtë betejë vazhduam me vlera. Ata me krimin e me kriminelët, ne me njerëz të vlerave, intelektualë njerëz të sprovuar të shërbimit ndaj ligjit, të Partisë Demokratike, ndaj Shqipërisë. Ata me paratë e drogës e të buxhetit të shtetit, ne me vizion, me program, me ide që morën dy vite, me një ekip të mrekullueshëm, pasi kishim katër vite që jo thjesht i shikonim, i preknim, i studionim po i ndjenim hallet e njerëzve, shtëpi më shtëpi, biznes më biznes, tek fermerët, tek grupet e interesit. Një program që si asnjëherë në 30 vite, jo në Shqipëri po në dijeninë time dhe gjithë Europën Lindore, mori formën e kontratave të nënshkruara me mbi dymbëdhjetë grupe interesi nga të përndjekurit që për herë të parë të gjitha shoqatat u bashkuan në selinë tonë, tek pronarët. Po kështu për herë të parë të gjitha shoqatat u bashkuan në selinë tonë. Nga fasonët tek Shoqata Kombëtare e Biznesit të Vogël, nga Shoqata Kombëtare e Prodhuesve tek ajo e operatorëve turistik.

Nga personat me aftësi të kufizuara tek shoqatat e energjisë, nga pedagogët dhe mësuesit tek shoqatat e studentëve. 12 kontrata të nënshkruara midis Partisë Demokratike si forcë qeverisëse dhe programit tonë dhe grupeve të interesit. Të gjitha këto pra, përballë një kundërshtari që kishte dhënë 2 kontrata, 1 me oligarkinë dhe 1 me krimin e organizuar. Ndaj, duhet të kemi vetëdijen të cilën për fat të mirë në bazë e shoh të qartë dhe uroj që siç më frymëzon mua, të frymëzojë këdo në qendër dhe në organet qendrore ku na keni zgjedhur. Vetëdijen se përballe kësaj masakre zgjedhore demokratët dolën me vlera, i shpalosën këto vlera dhe kjo është arsyeja pse shqiptarët na ndoqën. Nuk kishte asnjë arsye tjetër.

Cili prej jush këtu bleu vota për Partinë Demokratike? Cili prej jush i shantazhoi e kërcënoi votuesit që të shkonin e të votonin për Partinë Demokratike? Kujt i thatë që do ta hiqnit nga puna po të mos votonte për Partinë Demokratike? Njerëzit na ndoqën masivisht dhe votuan sepse e kuptuan që betejën njëlloj si në 1991 po e bënim jo vetëm pa asnjë vegël pushteti, por po e bënim jo për pushtet, jo për veten tonë, por për ta, për fatin e tyre dhe të familjeve te tyre dhe njësoj si në 91 po vendosnim ata, pra Shqipërinë, shqiptarët mbi veten tonë dhe fatin tonë. Nuk duhet ta harrojmë këtë me sfidën që kemi përballë se ky është burimi ynë i forcës. Burimi tjetër i forcës është që pavarësisht prej pakënaqësive, mosmarrëveshjeve që janë normale në një familje politike. Ditën bashkoheshim në betejën kundërshtarit, por Ky bashkim mori vulën e shqiptarëve me 25 prill, ku çdo përpjekje për të na përçarë u thye nga vota popullore.

Nga kjo beteje ne dolëm të bashkuar, të fortë, më të mëdhenj seç u futëm, më të mëdhenj numerikisht, më të mëdhenj me mandatet por mbi te gjitha me përmasat e madhështisë morale që vjen nga forca e njerëzve që luftojnë për kauzën e drejtë, luftojnë për ideale e drejta, luftojnë për Shqipërinë, luftojnë për shqiptarët. Ndaj duhet të jeni ballëlartë siç jeni ballëlartë dhe siç ju gjej ballëlartë. Kokulur nuk duhet të jenë demokratët, nuk duhet të jeni ju. Duhet të jenë hajdutet e votave, duhet të jenë kriminelët, duhet të jenë ata që shkelën me dy këmbë ligjin për t’i shërbyer një pakice, një grushti njerëzish që i është mbivendosur dhunshëm shumicës dhe vullnetit të shprehur të shumicës për ndryshim.

Dega 1
Të gjithë jeni të vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur, të gjithë jeni të vetëdijshëm për barrën e përgjegjësisë me të cilën hymë në këtë betejë, të gjithë jeni të vetëdijshëm me vështirësitë me të cilat u përballëm, të gjithë jeni të vetëdijshëm për arritjet përkundër këtyre vështirësive. Ndaj, i bëj thirrje çdokujt zemra apo mendja e të cilit mund të jetë e turbulluar për momentin që të mos lejojë asnjë arsye apo qejf mbetje për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve apo për të cënuar atë që kemi ndërtuar së bashku, por përkundrazi mbi këtë sakrificë të vendosim shinat e aksionit tonë politik për ta çuar misionin tonë deri në fund. Vëllezër dhe motra prej ditës së parë kur Partia Demokratike e Shqipërisë u krijua e deri më sot kundërshtari politik nuk ka reshtur përpjekjet për të na përçarë.

E pra miqtë e mi, siç ka avantazhet e veta kjo garë ka edhe një disavantazh për të cilin duhet të jemi të vetëdijshëm. Sepse i vetëdijshëm është edhe kundërshtari. Disavantazhi është që të krijojë apo të mbjellë një farë të re përçarje mes nesh në mënyrë që në vend që të bëjmë detyrën tonë e cila mezi po pret para shqiptarëve, të merremi me njëri-tjetrin. Në mënyrë që në vend që të fokusojmë të gjitha energjitë tona për të përmbushur misionin tonë që nuk është më mision politik por është mision patriotik, të krijojmë kakofoni, të mbjellim dyshim dhe mosbesim të radhët tona. Dhe ky është rreziku që të dorëzohemi para atyre që 25 prillin nuk e konsiderojnë masakër zgjedhore, por një fitore të Edi Ramës.

Motivi i Edi Ramës është i qartë. Ai e di po kaq mirë siç e dimë ne në fakt e di dhe më mirë se është ai projektuesi i kësaj masakre se në çfarë gjendje është vendi, se në çfarë gjendje psikologjike janë qytetarët, se në çfarë gjendje është ekonomia. Ai e di se çfarë ka bërë më 25 prill siç e di vrasësi vrasjen edhe Edi Rama e di që ka vrarë instrumentin e demokracisë dhe ka ndalur përkohësisht vullnetin e shumicës për ndryshim. Ndaj i ka përdorur dhe do t’i përdorë kryesisht këto dy instrumente por jo vetëm. Instrumentin e parë atë të diversionit duke na ftuar të mbyllim gojën të ndalim betejën e të bashkëqeverisim, apo të bashkëndajmë pushtet me të apo të bashkëveprojmë me të. Duke bërë këtë padiskutim ne asgjësojmë kauzën tonë morale.

Ndërsa përpjekjes së dytë për të mbjellë farën e përçarjes ju ftoj që me vetëdijen, përgjegjësinë dhe mençurinë politike ta refuzoni dhe ta përdorim 13 qershorin jo vetëm për të shpalosur vlerat e garës së brendshme por edhe për të dalë të bashkuar siç jeni në bazë dhe për të dhënë një sinjal të fortë se këtë betejë do ta vazhdojmë. Edi Rama nuk do që kjo betejë të vazhdojë, do që të merremi më njëri-tjetrin, do që të hutohemi e të shpërndahemi, të dekurajohemi. Ndërsa unë njësoj si ju e dua Partinë Demokratike të pandarë, e dua Partinë Demokratike të bashkuar dhe dua besimin tuaj për ta vazhduar betejën tonë deri në fund deri në rrëzimin e regjimit dhe plotësimin e misionit që kemi përpara Shqipërisë dhe përpara shqiptarëve.

Le të vazhdojmë të marrim në bashkimin tonë të gjithë ata që na ndoqën më 25 prill dhe qindra mijëra të tjerë që u penguan nga regjimi të na ndjekin dhe nëse e bëjmë këtë, nëse keni vetëdijen për arritjet përkundër masakrës zgjedhore sikundër dhe gatishmërinë për të korrigjuar ato që mund dhe duhet t’i korrigjojmë, nuk ka forcë të na pengojë për ta mbajtur të ndezur shpresën e shqiptarëve për ndryshim, nuk ka forcë të na pengojë për të rrëzuar një orë e më parë këtë regjim plaçkitësish. Ju faleminderit për vëmendjen!

195

Exit mobile version