2025-a, një vit vendimtar për të ardhmen e Evropës

Nga Ettore Sequi /

2024-a ishte viti i konflikteve, në të cilin u rënduan më tej krizat që ekzistonin tashmë, teksa shpërthyen kriza të reja, duke na vënë përballë një bote të fragmentuar dhe në kaos. Kësisoj kalimi në vitin 2025, ndodhi në një kontekst që po ndryshon me shpejtësi.

Krizat po shumëfishojnë dhe forcojnë njëra-tjetrin, duke gërryer paradigmat tradicionale në marrëdhëniet ndërkombëtare. Vitin e kaluar pamë që ndërvarësia – energji, tregtare, teknologjike dhe ushqimore – u shndërrua gjithë e më shumë në një instrument konflikti.

Sot lufta nuk është më vetëm një ngjarje e jashtëzakonshme, por një gjendje e përhapur, e cila shprehet përmes konflikteve të armatosura tradicionale, por edhe përplasjeve ekonomike, sulmeve kibernetike dhe fushatave të keqinformimit.

Këtë na e kujtojnë çdo ditë kronikat e lajmeve. Pra sot po jetojmë në “epokën e mungesës së paqes”, pra periudhën e një paqeje “të shpërbërë”, në të cilin konflikti rritet, dhe ku shfaqen në forma të reja, në një ekuilibër të brishtë dhe të pasigurt ndërvarësish.

Shtetet e Bashkuara, një fuqi hegjemonike historike, përballet me ambicien dhe agresivitetin në rritje të Kinës dhe Rusisë, por dhe me ngritjen e aktorëve të rinj, që synojnë të krijojnë një rend ndërkombëtar të ndryshëm nga ai aktual që udhëhiqet nga Uashingtoni.

Lufta në Ukrainë, ka vazhduar të dobësojë sigurinë evropiane dhe globale. E dobësuar nga sanksionet dhe nga një konflikt më i gjatë, më i përgjakshëm dhe më rraskapitës nga sa pritej, Rusia i ka forcuar lidhjet e saj me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut, duke formuar një bllok informal shtetesh gjithnjë e më agresive.

Ndërkaq, po rriten tensionet në rajonin e Indo-Paqësorit, sidomos në Detin e Kinës Jugore dhe pranë Tajvanit, që mbetet një “vijë e kuqe” për SHBA-në dhe Kinën, por edhe një vatër e nxehtë që mund të shpërthejë nga çasti në çast.

Lindja e Mesme vazhdon të sfilitet nga konflikte kronike, të cilat po përshkallëzohen në një trajektore gjithnjë më tragjike, dhe ajo rrezikon që të largohet në mënyrë të pakthyeshme nga aspirata e palestinezëve për të pasur edhe ata një ditë shtetin e tyre.

I dobësuar seriozisht nga shpërbërja e boshtit anti-izraelit të “rezistencës” dhe duke u përballur me një krizë serioze të brendshme, Irani po tundohet të pajiset me armë bërthamore. Turqia, arkitektja në gjysmë-errësirë e dëbimit të Bashar Al-Assad nga Siria, e ka forcuar ndjeshëm ndikim e saj në rajon, duke ushqyer aspiratat e tij për një projekt neo-osman.

Viti që shkoi, shënoi edhe një kufi të ri në konkurrencën globale, garën për supremacinë teknologjike: teknologjitë më jetike, gjysmëpërçuesit dhe mikroprocesorët, zemra rrahëse e ekonomisë dixhitale, janë bërë objekt i konkurrencës së fortë gjeopolitika, ashtu si Inteligjenca Artificiale, “guri filozofik i mijëvjeçarit të ri”.

Ardhja e presidencës së dytë të Trump, mund të ndikojë në një përshpejtim të mëtejshëm të këtyre dinamikave. Politikat e shpallura të proteksionizmi amerikan dhe pritshmëritë mesianike që ka nxitur Trump gjatë fushatës së tij elektorale, me premtimin e zgjidhjes së krizave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, mund t’i lënë shumë shpejt vendin tensioneve të reja ndërkombëtare.

Njëkohësisht, Evropa vazhdon të ngrejë pyetje mbi të ardhmen e saj, por dhe mbi aftësinë për të forcuar një autonomi strategjike ende të papërfunduar. Bashkimi Evropian, gjendet në një moment kritik tranzicioni, i ndarë mbi shumë çështje themelore, nga menaxhimi i krizës së migracionit, politikat energjetike dhe të mbrojtjes, deri tek marrëdhëniet me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Këtë vit, Komisionit të BE-së do t’i duhet të përballet me sfidën për t’u dëshmuar si një aktor autoritar në një botë gjithnjë e më të polarizuar. Në të kundërt, Evropa rrezikon të shndërrohet në një fushëbetejë midis interesave të kundërta.

Pa një kohezion më të madh të brendshëm, ambiciet globale të bllokut do të mbeten deklarata parimore boshe. Në këtë fazë tranzistore shumë të trazuar, diplomacia mbetet një mjet i domosdoshëm. Megjithatë, ajo do të duhet të përshtatet me një botë, në të cilën Azia, Afrika dhe Amerika Latine aspirojnë të jenë protagoniste të një rendi të ri botëror.

Për këtë arsye, viti 2025 premton të jetë vendimtar për trajtimin e krizave të trashëguara, dhe për t’i paraprirë atyre që po shfaqen në horizont. Lufta në Ukrainë, ri-rregullimi gjeopolitik në Lindjen e Mesme, tensionet në Indo-Paqësor dhe konkurrenca teknologjike, do të diktojnë të ardhmen e rendit global.

Gjithsesi, këto kriza nuk duhet që të na largojnë nga prioritetet afatgjata: ndryshimet klimatike, menaxhimi i migracionit, lufta kundër varfërisë dhe rregullimi i veprimtarisë së Inteligjencës Artificiale. Mënyra se si do t’i trajtojnë këto sfida qeveritë dhe publiku, do të jetë një test mbi aftësitë e komunitetit ndërkombëtare për të menaxhuar në një mënyrë të përgjegjshme ndërvarësitë e saj.

Ky është leksioni që duhet të mësojmë në epokën e paqes së prishur. Siç na paralajmëroi dikur Arnold Toynbee: “Ndëshkimi më i madh për ata që nuk janë të interesuar mbi politikën, është të qeverisen nga ata që janë të interesuar vetëm për pushtetin!”. Ky paralajmërim, po vlen më shumë se kurrë për gjeopolitikën, dhe është më i rëndësishëm se asnjëherë për t’u kuptuar./ “La Stampa”

Artikulli paraprakDrejtësia në fokus: Kërkohet gjykimi i akuzuarve për ndikim në çështjen “Toyota Auris”
Artikulli tjetërRaporti i UNESCO, Pampuri: Shqipëria me përkeqësim në arsim për shkak të buxhetit të ulët të qeverisë