Kili si mësim për Shqipërinë

Dr. Erion DASHO

Nëse qeveria shqiptare dhe ministria e shëndetësisë nuk kanë veshë të dëgjojnë ekspertët që prej muajsh paralajmërojnë padobishmërinë e vaksinës kineze, të paktën të kenë sy e të shohin ç’po ndodh në botë.

Kili është një shembull që e kam dhënë personalisht më shumë se një herë. I konsideruar modeli i “suksesit” në Amerikën Latine, Kili ka vaksinuar mbi 75% të popullatës me një dozë vaksine dhe afërsisht 60% me dy doza.

Rezultati?! Me fillimin e stinës së dimrit (Kili ndodhet në hemisferën jugore), vendi ka hyrë në lockdoën sepse shtretërit e kujdesit intensiv janë pothuajse plot.

Arsyeja?! Kili ka vaksinuar aq sa duhet për të arritur imunitetin e grupit, por këtë e ka bërë me vaksinën CoronaVac. 93% e personave të vaksinuar në Kili kanë marrë CoronaVac dhe vetëm 7% Pfizer.

Çfarë duhet të mësojë qeveria dhe ministria e shëndetësisë në Shqipëri?

Vera ikën shpejt dhe Shqipëria do të përballet me sezonin e virozave duke nisur nga tetor-nëntori, pra pas 4-5 muajsh. Ekzistojnë dy skenarë:

Skenari më i mirë i mundshëm: duke qenë se imuniteti në Shqipëri është natyral dhe jo i lidhur me vaksinën, ekziston mundësia (ende e paprovuar shkencërisht, por shumë e shpresuar, përfshi edhe nga unë personalisht) se popullata shqiptare do ta kalojë e pashqetësuar sezonin e virozave 2021-22.

Problemi më i madh është se ky skenar që shpresojmë dhe urojmë të gjithë të ndodhë, nuk është akoma i sigurt. Ka shumë shkencëtarë dhe institucione prestigjioze që bëjnë thirrje për kujdes sepse edhe imuniteti natyror mund të bjerë një vit pas kalimit të infeksionit dhe kjo çon tek skenari i dytë.

Skenari më i keq i mundshëm: do të ishte situata ku imuniteti natyral dobësohet ose humbet, ndërkohë që imuniteti i krijuar nga CoronaVac po shihet në Kili se çfarë “efekti”, ose më saktë mungese efekti ka. Ky skenar do të shoqërohej me pasoja karastrofike, nëse materializohet, pasi nënkupton një valë të re të pandemisë.

Në këtë moment, është e pamundur të përllogariten gjasat dhe të parashikohet me saktësi se drejt cilit skenar mund të shkojë Shqipëria në vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm. Urojmë të parin dhe shpresojmë të shmangim të dytin. Sidoqoftë, pasiguria mbetet!

Fatmirësisht, ka një përafrim që e shmang këtë pasiguri dhe GARANTON një vjeshtë dhe dimër të lirë nga pandemia. Ky është vaksinimi me vaksina të sigurta dhe të efektshme (Pfizer, Moderna ose edhe Astra Zeneca).

Qeveria shqiptare dhe ministria e shëndetësisë mund dhe duhet të garantojnë që çdo shqiptar të ketë të sigurt një dozë vaksinë të besueshme brenda nëntorit 2021! Kjo është e vetmja mënyrë për të patur një dimër të sigurt në raport me COVID dhe për të mos i bazuar pritshmëritë vetëm tek shpresa.

E kundërta do të ishte kumar me shëndetin dhe jetën e shqiptarëve! Një kumar që gjatë sezonit të virozave 2020-21, u pagua me 15 mijë humbje jete…

Exit mobile version