Sergio Ramos iu ka thënë ish-bashkëlojtarëve të vet te Real Madridi se do t’i bashkohet Paris Saint-Germainit, sipas mediave spanjolle.
Ramosi do të largohet nga Real Madridi këtë verë pasi i kaloi plot 16 vjet në klub, ku fitoi çdo trofe të mundshëm, pasi ai dhe drejtuesit e klubit nuk arritën marrëveshje për vazhdimin e kontratës.
Si pasojë mbrojtësi spanjoll do të largohet si lojtar i lirë dhe mund t’i bashkohet cilësdo skuadër në fillim të korrikut. Është përfolur se për 35-vjeçarin interesim kishin shprehur Manchester Unitedi, Milani, Chelsea dhe PSG-ja.
Por sipas radios spanjolle, Cadena Cope, Ramosi iu ka thënë tre futbollistëve të Real Madridit se do t’i bashkohet PSG-së këtë verë.
Raportohet se Ramosi e ka pranuar tashmë ofertën e PSG-së, duke i hedhur poshtë ofertat nga klubet e tjera.
PSG-ja është e etur të sjellë mbrojtës me përvojë në skuadër, pas largimit të Thiago Silvas verën e kaluar.
Raportohet se gjiganti francez është i interesuar edhe për Raphael Varane, francezin e Real Madridit që kërkohet edhe nga Manchester Unitedi.