Luftë brrylash në PS/ Rama me Gjiknurin në Vlorë i vërsulen Lelit, prezantojnë Afrim Qendron si kryetar bashkie

Kryeministri Edi Rama po e kalon fundjavën në  Vlorë, ku përveç të tjerave do të mbajë një takim edhe me asamblenë e PS, ku pritet të ketë sërish një kryqëzim të kryebashkiakut Dritan Leli.

Ditën e djeshme ai inspektoi investimet që po bëhen në Kume të Vlorës ku lagja po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, por ajo që ra në sy sërish, ishte mungesa e kryebashkiakut Leli dhe zëvendësimi i tij nga nënkryetari Afrim Qendro.

Ky i fundit është trajtuar kohët e fundit nga Rama, si kryetar “de fakto” i bashkisë së Vlorës. Në krah edhe të drejtuesit politik të Qarkut, Damian Gjiknuri, Qendro i ka shpjeguar me hollësi  kryeministrit të gjitha detajet e punimeve dhe madje i ka dhënë fjalën, se ato do të mbyllen brenda vitit.

Përplasja mes kryeministrit dhe kryebashkiakut Dritan Leli, nisi kur ky refuzoi që të hiqte dorë nga mandati i kryebashkiakut e të kandidonte për deputet në një vend jo të sigurt të listët së PS. Gjatë fushatës, Rama e quajti kryebashkiakun e Vlorës “të vdekur për ne”, duke e shmangur më pas nga të gjitha aktivitetet e tij dhe të PS-së.

Ndërkohë menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit ka nisur edhe “hakmarrja” e Ramës ndaj Lelit, duke tentuar që ti bëjnë një “gjyq publik” në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Prej një muaji, kryetarja e Këshillit Bashkiak ka kërkuar mbledhjen e Këshillit Bashkiak për të zhvilluar seanca dëgjimore me kryetarin e Bashkisë Dritan Leli. Ata pretendojnë se në qarkun e Vlorës mungojnë investimet në infrastrukturë dhe se Bashkia nuk ka marrë masat për të përballuar sezonin turistik. Por pavarësisht këmbënguljes së tyre, deri më tani kryebashkiaku e ka shmangur një “gjyq publik”.

Herën e parë që ndodhi para dy javësh, Leli nuk lejoi që mbledhja e Këshillit Bashkiak të bëhej me prani fizike. Ai kërkoi që mbledhja të zhvillohej online, ndërsa mbylli edhe derën e teatrit duke u bërë pengesë edhe për pjesën tjetër të Këshillit Bashkiak.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak ka dështuar edhe dy herë të tjera, ndërsa ende insistohet që të mblidhen. Por, teksa kryebashkiaku Dritan Leli akuzohet nga kolegët e tij në Vlorë se nuk ka marrë masat dhe nuk ka bërë investime për pastrimin e qytetit, vërehet një vëmendje e shtuar e ndërkombëtarëve te Bashkia e Vlorës.

Në kohën që Këshilli Bashkiak kërkonte seancë dëgjimore me qytetarin e parë të Vlorës, ky i fundit inspektoi punimet në vend-trajtimin e mbetjeve në Bashkinë e Vlorës së bashku me ambasadorin e Gjermanisë, Peter Zingraf.

Artikulli paraprakPërgjakja e rrugëve nga aksidentet, protestë para Ministrisë së Brendshme
Artikulli tjetërShaqiri dhe Xhaka, milionerë edhe nga postimet në instagram