Armando Mirgjoni, administrator i një prej lokaleve në Lungomare, të cilët mbrëmë protestuan kundër fashës orare të muzikës të vendosur nga qeveria si edhe dhunuan nga policia, në lidhje të drejtpërdrejtë me Syri Tv, me moderatoren Eneida Ndoci, tha se, pavarësisht se Komiteti i Ekspertëve sot vendosi ta shtyjë këtë fashë në orën 23.00, ata nuk janë dakord dhe do të vazhdojnë protestën e tyre.
Mirgjoni i cilësoi si përralla thëniet e kryeministrit Rama dhe e cilësoi policinë si bandite me mënyrën se si ka vepruar mbrëmë.
“Mbrëmjen e djeshme të gjithë bizneset, baret, lounget, kanë vendosur Himnin Kombëtar në shenjë protestë kundër fashës orare të vendosur nga qeveria për muzikën.
Disa biznese pas orës 22.05, ka ardhur policia dhe ka shoqëruar me forcë të gjithë biznesmenët si edhe punëtorët që janë mbajtur në polici deri në orën 3.30 të mëngjesit.
Ne kemi vazhduar protestën derisa sa punëtorët janë liruar. Policia me veprimet e djeshme e ka kaluar vijën e kuq.
Dje ka qenë një terror policor. Ka 10 ditë që ky terror ka vazhduar, por dje ka qenë tmerr i vërtetë.
Ne si biznese jemi mbledhur dhe jemi në një zë që, që nga fillimi i Lungomares, edhe në zonën historike, ne do ta vazhdojmë protestën edhe sonte në orën 21.00.
Sonte pronarët dhe punëtorët do dalin në Lungomare me qirinj në dorë dhe do të protestojnë.
Nuk duam asgjë nga shteti. Duam vetëm, që të na largojnë policët banditë që na bëjnë presion.
Nuk jemi kundër policisë, sepse jemi për shtet ligjor por duam polici qytetare jo të jetë e ndikuar që të na bëjë presion dhe të ushtrojë dhunë. Dhe duam që të na shtyhet fasha pas orës 00.00 të mbrëmjes.
Deklarata e Ramës për ne nuk është aspak e mjaftueshme. Për ne kryesore është zgjatja e fashës orare, jo muzika. Ne nuk jemi kundër atyre që bëjnë ato zhurmat.
Me përrallat që bëri kryeministri sot që e zgjati me një orë fashën e muzikës ne nuk jemi me këtë, Ne jemi kundra dhe do vazhdojmë protestat.
Protesta e sotme do vazhdojë në vijëmësi dhe më pas do bisedojmë me kolegët. Do marrim një vendim, për më vonë si do operojnë”.