Nga Agim Xh. Dëshnica
Ju udhëtarë, teksa shkoni rrugës për Librazhd, ndaluni pak pranë përmendores. së poetëve, Gencit e Vilsonit! Hidhni lule e kujtoni me nderim pasardhësit e denjë të mësuesve atdhetarë, demokratët e lirisë!
Si çdo ditë në mëngjes herët, edhe më 17 korrik 1977, gra e vajza me drapër në dorë, ndërsa zbrisnin për në arat e kooperativës së Bërzeshtës mbi Librazhd, s’kishin dëgjuar në mesnatë britma e krisma armësh, as dinin se buzë përroit në hijen e malit të Zgarës, ishin pushkatuar dy mësuesit e rinj, Genc Leka e Vilson Blloshmi! Kur ringjallen në poezi e kujtime të dy poetët e pafat, shpaloset maleve hijeshia e blertë dhe e zymtë e pyjeve të Librazhdit, dëgjohet jehona e dhimbëshme e vargjeve të trishtuar, e këngëve të lashta si vaje të Bërzeshtës, isot e kabatë në vallen e vdekjes me dridhma shtatesh të Rrajcës, në livadhet e përzhitura nga vapa e korrikut.
Në rrjedhat e kohës nga brezi në brez, kujtesa mbart ngjarje me pamje reshë me ngjyresa, krejt ndryshe nga e vërteta e hidhur. Historia e viteve, para e pas luftës, flet sesi komisarët e vetëquajtur çlirimtarë, me yll të kuq në ballë, tjetërsuan dhunshëm jetën në qytet e fshat, rrëmbyen tokat e bukës, pronat, shtëpitë, hotelet e dyqanet, teatrot e kinematë; rrënuan e mbyllën xhami, kisha e teqe. Vrasjet e burgosjet, e njerëzve të kulturës vijuan, edhe në kohë paqeje. Nga shtati i masakruar i poetit Dom Lazër Shantoja, pas sharrimit mizor të gjymtyrëve, u pushkatua çfarë kishte mbetur gjallë. Më pas vijoi pushkatimi i poetëve Manush Peshkëpia, Trifon Xhagjika, i muzikantit të ri Gramoz Omari. Nëpër burgje, humbën jetën nga torturat poetët e shkrimtarët Vinçenc Prennushi, Bernardin Palaj, romancieri i parë shqiptar Ndoc Nikaj, dramaturgu klasik Et’hem Haxhiademi e shumë të tjerë. Aso kohe Lidhja e shkrimtarëve, botonte poemat “Enverit” “Me ty Stalin!”, “Strategu i fitoreve –Stalini”, etj. Pas pushkatimit pa gjyq të 21 burrave fisnikë dhe dijetares Sabiha Kasimati pranë Urës së Beshirit, një turmë e zhurmëshme, u mblodh para Legatës Sovjetike duke brohoritur për Stalinin, Enverin e Bashkimin Sovjetik. Kur sistemi komunist po shembej u var ë litar poeti i lirisë Havzi Nelaj,
Një përfytyrim i rrejshëm rreket të tregojë, edhe sot, sikur në atë sistem të çoroditur, gjithçka shkonte vaj. Veçse në orë të caktuara ditën, madje, edhe natën qytetarët mbanin radhë për bukë, kos e me raste për një pulë të therur, të heshtur e të përulur para shitësit në dyqanet e shtetit. Një filozof gjerman shkruan se edhe populli gabon, madje është fajtor, meriton qeverinë që mban mbi shpinë. Shtetëzim, burgim e pushkatim – fjalë tmerri. Vendim për shembje ndërtesash monumentale – çmenduri sekretarësh në komitetet e partisë në qendër e në rrethe. Për të ndalur sadopak dorën e tyre rrënimtare, studiuesit më në zë botonin hera – herë shkrime për formimin e kombit shqiptar, për kulturën, vlerat etnografike e nd֝ërtimore. E megjithatë zjarri i luftës kundër feve, kanuneve e zakoneve të trashëguar brez pas brezi, mbahej i ndezur nga poetët e shkrimtarët real – socalistë, të cilët ngrinin lavde për një të krisur me emrin Enver. Ndërkohë, hetuesit e sigurimit me porosi të partisë për mbulimin e dështimeve në ekonomi, sajonin grupe armiqsh e sabotatorësh.
Në vitet 70, kur ekonomia e përqëndruar po tronditej në themel, partia vendosi përsëri të vriste njerëz. Ndaj si ujku në përgjim priste rastin të kapte gjahun e parë. Nisi me poetët, shkrimtarët dhe artistët e lirisë në burgje, kampe pune, e miniera. Në vitin e zi 1977, u dënuan në kundërshtim me ligjet, dy poetët e panjohur, me fat tragjik, Genc Leka 32 vjeç e Vilson Blloshmi 29 vjeç, për vargjet, ëndërrimet e shpresat e tyre djaloshare. Këta poetë të mohuar, e të pambrojtur nga askush, u rrezikuan jo vetëm nga dëshmitarët e rremë, por edhe nga ekspertët e letërsisë, për realizimin e skenarit vrastar me “grupin e sabotatorëve” në Kooperativën e Bërzheshtës. Skenari fillonte me një mushkë të mbytur, diku në punë e sipër. Në vijim u sajuan akuzat: “zjarrvënës e vjedhës”. Sipas partisë e sigurimit ato “akte sabotimi synonin rrëzimin e pushetit popullor!!”
Për dënimin e tyre, u hartua një plan i gjerë masash nga Komiteti i Partisë së Librazhdit me urdhër të sekretarit të parë, muratorit Sotir Koçollari, bashkë me gjykatën, prokurorinë, drejtorinë e policisë etj. Me detyra të veçanta u ngarkua kryehetuesi Selim Caka me një lukuni hetuesish. pa shkollën përkatëse, të cilët me anën e torturave shtazarake, u përpoqën t’i detyronin të pandehurit, të pranonin “fajet, krimet dhe veprimtarinë armiqësore.” Pengesë e pakalueshme, për ata, që morën përsipër detyrën e caktuar nga sekretari i parë i Komiteti të Partisë, ishte vetëm një, Vilsoni i paharruar që mbante emrin e nderuar të presidentit shpëtimtar amerikan. Hetuesit – xhelatë, me britma e sharje, ua përplasnin kokën në mur, i qëllonin egërsisht me çdo mjet ku të mundnin. Vilsonit ia thyhen krahun, por ai qëndroi i patundur, shkëmb – vigan. Të tjerët, gjatë torturave të padurueshme, u lëkundën, pranuan disa nga fajet e paqena. Në akuzën e sajuar u renditën shpifje nga më të ndryshmet: “krim e sabotim në bujqësi, axhitasion e propagandë.” Të gjitha bashkë morën pamjen e një litari të përgjakur nga historia tragjike e fisit të blloshmëve me zanafillë nga lufta vëllavrasëse e vitit 1944, zgjatimi hakmarrës në kohë paqeje, shpallja “kulak”, një nofkë e ngjashme me emrin skllav e së fundi, caktimi i “grupit të tetë sabotatorëve.” Në përfundim u dënuan me pushkatim dy më të rinjtë, Genci e Vilsoni, “kryetarë e udhëheqës grupi.” “Fajet e krimet” e tyre më të rënda, ishin krijimi i poezive dhe përkthimet nga Volteri, Viktor Hygo, Edgar Po, Alfred De Myse, Bodler, Rembo, Shatobrian, etj. A ka ligj në botë për vrasje poetësh, të cilët krijojnë poezi e kënaqen vetë me to? Dokumente për dënimin e tyre ishin ditaret, fletoret e shënimeve dhe letërkëmbimi me të afërmit e dashur, ku poetët shkruanin poezitë, shprehnin mendimet për letërsinë, artin e kulturën.
Ndryshe janë zhvilluar ngjarjet në kohën e Monarkisë së përfolur, me Migjenin mësues në shkollat e shtetit, kur poeti i trishimit, botonte lirshëm poezi e shkrime kritike, si “Hidhet e përdridhet” (me nënkuptime kundër Mbretit.), “Poema e Mjerimit”, “Molla e Ndalueme,” “Legjenda e Misrit,“ “Bukën tonë falna, Zot!”, ndërsa poetët mësues, Gencin e Vilsonin, i vranë për krijime të pabotuara.
Në fillimet e demokracisë, njerëz të politikës e të kulturës, u munduan më kot të shfajsoheshin me frikën e diktaturës, heshtën për librat e botuar dikur, por për çudi, as sot nuk po e marrin veten, përpiqen të harrohet gjithçka nga e kaluara me shprehje të tilla “se ashtu ishin ligjet në monizëm.” Ndërkohë të tjerët për pak desh u fshinë nga kujtesa e kombit. Gjithsesi, ndihen të qetë në ndërgjegje, ndaj shkruajnë për të vërtetat e asaj kohe të mallkuar, kur ndalohej mendimi ndryshe, kur vriteshin poetët e lirisë për vargje kushtuar natyrës e dashurisë njerëzore.
Siç ndodh zakonisht me poetët në moshë të re, me anën e poezive, të pashoqe ata, shpallnin gjendjen shpirtërore ndaj fatit të mbrapsht, për humbjen e të drejtave njerëzore, për mendimin e heshtur kundër padrejtësive, për refuzimin e së drejtës per studime të larta, për largimin nga mësusia e për dërgimin në miniera e bujqësi, punëtorë në pyje e në ushtri. Ajo lojë hetuesish ishte në kundërshtim të hapët me të dhënat e ekspertizës ekonomike e nenet juridike. Megjithatë, tërë ato fakte pafajësije, u fshinë me këmbëngulje nga sekretari i parë, i cili kryente verbërisht detyrat e caktuara nga lart, sipas parimit komunist: “Të vrasim njerëz për të mbajtur pushtetin!” Kjo detyrë u plotësua edhe me ndihmën e njerëzve të kulturës nga Tirana, madje edhe me gradën profesor. Faktet janë kokëfortë, nuk merren me nderime ndaj askujt, qofshin edhe profesorë, të cilët nuk bënë asgjë për të shpëtuar poetët me arsyetimin e fuqishëm, se poezitë, as ishin botuar as të shpërndara dorazi. Njëri nga të mençurit e kohës, shkrimtar i njohur,me romanin Mërgata e Qyqeve, gjykon: “Vilsoni ka thënë se që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të studiosh dhe në gjuhë të huaj, ndaj ka bërë përkthime nga autorë dekadentë, si: Lamartin, Shatobrian, Rembo, Bodler etj. Ka nxjerrë shënime me përmbajtje reaksionare si “s’ka gjë më të bukur se ajo që nuk shërben për asgjë”, ka nxjerrë citime nga Gorki “nuk ka njeri më egoist se i sëmuri”, ose nga Naim Frashëri “mos u bëj mjaltë se të hanë mizat”– citime që i shërbejnë ideologjisë së tij”. Gazetarja Çuli me krijimet e Gencit, tejkaloi detyrat e ekspertit, duke qëmtuar me hamendje edhe vargje kushtuar paqes e dashurisë, si armiqësore. Bara më e rëndë ra mbi mësuesin e poetin K. Petriti, me poezinë e Vilsonit “Saharaja”. Sado, u orvat me disa trajtime, me po ose me jo, të errëta apo të paqarta, nuk mundi t’ia dilte mbanë edhe për shkak të hetuesve të egër, të cilët me klithma, kërcënonin këdo, se për idealin komunist mund të hidhnin në erë malet dhe vetë Shqipërinë.
Pra, ishin, edhe profesorët, të cilët duke kryer detyrën e letrarit bashkëkohor, shqyrtuan poezitë intime e përkthimet e bukura të poetëve. Ishin ata që poshtëruan veten me fyerjet ndaj poetëve të mëdhej europianë. Ishin, pra ata që lehtësuan punën e hetuesve dhe rënduan më tej gjendjen për shpëtimin e Gencit e Vilsonit.
Dokumenti i vendimit të jashtëligjshëm, me vdekje, u miratua nga kryetari i Gjykatës së lartë, Aranit Çela dhe Kolegji i Apelit, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor, nuk e pranoi lutjen për faljen e jetës. I fundit, ministri i brendshëm, urdhëroi me shkrim policinë e Librazhdit për ekzekutimin larg qytetit. Qarkullon dhe një dëshmi nga një pjesëtar i togës së pushkatimit. Në moshë të thyer, i munduar nga ankthi i padurueshëm i heshtjes, si në një rrëfim, ai tregon për çastet e fundit të jetës së dy poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi. Para pushkatimit, kryehetuesi kriminel, iu qas buzëgas Vilsonit. Mesa kuptohej, edhe në ato çastet, pas torturave ç’njerzore, ai kërkoi poshtërimin e Vilsonit, bashkëpunimin me organet e sigurimit. Kundërshtimi këmbëngulës i poetit të lirisë, qe i menjëhershëm. Pas pak u dha komanda, ”zjarr!” Gjithçka mbaroi. Krismat nga hija e malit të Zgarës u përzihen me zhurmën e rrjedhës së Shkumbinit e jehonën e maleve, ku poetët të pandarë ndrijnë si yje lart në qiell, ndërsa vepra e tyre e bukur jeton në mendjen e zemrat e rinisë.
Kur diktatori i pashpirt u zhduk nga kjo botë, dëgjohej gaz-hidhët në festivale kënga e vdekur “Lule për xhaxhin Enver” nga barinjtë e dhive, “bilbila me lule mbi qeleshe…”
Nxënësit në shkolla, kudo në Shqipëri, presin të kthehen mësuesit e vërtetë, t’u mësojnë, si krijohen poezitë e lirisë. Tashmë poetët, Genci e Vilsoni, ligjërisht janë jo vetëm të pafajshëm e Martirë të Demokracisë, dhe Nderi i Librazhdit, por edhe Nderi i Kombit. Në vitin 2007 u botua libri “Genci dhe Vilsoni” ndërsa më 2009 poeti e shkrimtari Sadik Bejko përgatiti dhe botoi Vepra në dy vëllime të Vilsonit, e pasur me poezi e prozë origjinle e përkthime, dokumente, letra e foto.
Pra diktatura gjakatare na i vrau poetët e rinj. megjithatë ata jetojnë ndër krijimet e tyre në liri.
Dy nga poezitë e dënuara të Gencit:
Kujtimi yt
“Kujtimi yt më hodhi këtë natë
Në thellësinë e brengave pa fund…
( Ah! ëndërr e kaltër, këputur për mes)
Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë.
Shtegun e blertë, kur nuk e gjen gjëkund,
Vezulluar prapa mbrëmjes e çdo mëngjes!”
Poezia e fundit
“O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar
Mos vallë për mua po mban zi?”
***
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.
Nga dosja e Vilsonit
Në dosjen e Vilsonit u gjetën shënime me shqipe të pasur, arsyetime të thella, ligjërime prej shkrimtari me vlerë për ata që studiojnë gjuhën e letërsinë shqipe:
“Në vitin 1966 mbrojta shkollën e mesme pedagogjike. Ishim 208 maturantë. Nga të 208-ët vetëm unë u ndava: nuk m’u dha e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar. Mesa duket, kjo lidhej me të kaluarën biografike jo të mirë të familjes sime. Në vitin 1972 kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët, kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesionin si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk po më jepej. Në ato rrethana kam shkruar poezinë:
“Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,
Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur;
Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,
Mirë, pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur”.
Jam thyer para dëshirës sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve, me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit.
Shënimet në ditarin tim japin mbresa nga jeta e përditëshme, shprehje të nxjerra nga studimi i autorëve të ndryshëm të letërsisë së huaj, ngjarje dhe ndodhi të jetës sime, të jetës shoqërore. Me shprehjen se njerëzit mbajnë ndonjëherë emra falsë, dua të them se njerëzit ndryshe hiqen e ndryshe janë. E kam shkruar këtë si vlerë njohëse për njeriun, ose dhe për ndonjë njeri konkret.
Ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit, jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Çfarë kam bërë!? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur sesa linda në një jetë që më vret e më brengos. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditëshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Gjithmonë vrisja mendjen: ç’do bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur? Rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoja mbrëmjen me mëngjesin…”
Pra, në dëshpërim e sipër poeti përfytyronte veten në një botë të ngjashme me Saharanë:
Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.
Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë në mënt’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.
Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Shkretëtirës shket e shkrep…
Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë…”
Nga Viktor Hygo
Ekstazë
Një natë plot me yje, pranë dallgëve isha vetë.
As dhe një re në qiell, as dhe një vel mbi det.
Më larg nga bota jonë vështrimi zhytej thellë.
Dhe pyjet mbarë, dhe malet, natyra pa mbarim
Sikur po pyesnin ngjanin, me të turbullt murmurimë
Dallgët e detit, zjarret edhe qiell.
Edhe të lartë yje, legjiona me mijë
Me zë kumbues e të qartë në mijëra harmoni
Thoshin, duke përkulur atë kurorë të zjarrtë.
Dhe dallgët blu q’asnjë s’mund t’i drejtojë, t’i ndalë,
Thoshin duke mbështjellë shkumën mbi shkulm e valë:
Ky është Zoti, Zoti i lartë!
* * *
Në kujtim e peng nderimi, shkruesi i këtyre radhëve ka shkruar poezinë “Dy yje mbi hijen e malit.”
Dy yje mbi hijen e malit
Në hijen e malit, në përvëlim korriku,
shkretëtira bijtë e nënave mbuloi,
bylbylat e pyjeve, poetët e freskisë rinore,
poetët e bukur të qiellit, guximtarët e lirisë.
Me klithma e flakë vrastare
në terr mizor,
shkretëtira e tërbuar mori hak,
kundër ajrit, kundër lirisë,
kundër dritës,
kundër ëndrrave, kundër këngëve.
Heshtja e thellë sundoi
veç një çast!
Jehona e dhimbjes së malit
fluturoi gjithkund!
S’është aq lehtë të vrasësh poetët
në hijen e malit,
s’është aq lehtë të vrasësh poetët,
të ndalësh rrjedhat e mendimit,
të shuash shpirtin, të fikësh ditën.
S’është aq lehtë të vrasësh poetët,
krimin ta fshehësh nën dhé!…
Nga zemra e tyre,
këngët e gjakosura, thirrjet për liri,
me flatrat e shqipes,
kryengritëse u ngritën lart,
murlanin e fjetur zgjuan,
zemërimin ndaj tiranisë.
U rrafshuan dunat e sfilitjes,
në shkretëtirë zhegu u fashit,
pluhuri gri u tret.
U tund piramida në themel,
muret e ngujimit ranë.
Fryma e kohës i shkundi retë ujëplota,
u zbut dheu, ngriti kryet bari i njomë,
plasën gonxhet, shpërthyen lulet,
mbi blerim e hijeshi.
Frymë e kohës me psherëtimë,
tymin shpërndan nga hija e malit,
gjurmë krimi, njolla gjaku zbulon.
Në oborre shkollash,
vështrojnë ndër lot malin e trishtuar,
rrëzimin e gjetheve në vjeshtë.
Pse vonojnë mësuesit,
pse s’po vijnë poetët,
Genci e Vilsoni!?
Shkumbini shkumëzon,
dredhon ndër gurë e kthesa,
zëra valësh zhurmërojnë,
kërkohen poetët.
Oshëtima nga hija e malit
çohet në qiell.
Dilni e shihni,
mbi rrethin e hënës
vezullues dy yje të qetë,
dy yje të bukur,
dy yjet e ndritur të zgjimit!