Tragjedia në Tetovë, shkon në 14 numri i viktimave, Prokuroria jep detaje

Ka arritur në 14 numri i viktimave në Tetovë nga zjarri që përfshiu spitalin modular për trajtimin e personave e të sëmurëve me koronavirus, të mërkurën rreth orës 21:00. Kjo është bërë e ditur nga prokuroria publike e Shkupit, e cila në bashkëpunim me prokurorinë publike të Tetovës gjatë natën kryen hetime në vendin e ngjarjes.

Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit. Prokurorët kanë lëshuar urdhër për identifikimin e trupave të 14 personave të vdekur nga zjarri. Po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë. Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN -së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Zjarri besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit. Ekipet e zjarrfikësve kishin shkuar në vendin e ngjarjes pesë minuta pas shpërthimit të fuqishëm. Në spital gjendeshin mbi 20 të sëmurë me koronavirusi, por aty kishte edhe familjar që kujdeseshin për të afërmit e tyre.

Policia dhe zjarrfikësit inspektojnë vendin e ngjarjes në një klinikë Covid-19 pas shpërthimit të zjarrit, në Tetovë, 8 shtator 2021.

Të dhënat e para mbi numrin e viktimave u dhanë nga Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe.

“Një aksident i rëndë ka ndodhur në Tetovë që ka marrë disa jetë njerëzish. Dhjetë persona janë konfirmuar të vdekur deri më tani, por numri mund të rritet. Kjo është një ditë shumë e trishtuar. Mjekët po luftojnë për jetën e të plagosurve. U bëj apel mediave dhe qytetarëve që të mos spekulojnë me numrat. Ne do t’i ndajmë të gjitha informacionet e konfirmuara me kohë”, ka shkruar Filipçe në Twitter.

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në prononcimin për mediat u përmbajt nga publikimi i të dhënave duke theksuar se gjithçka do të dihet pas hetimit të plotë të rastin nga organet e hetuesisë.

“Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre andaj edhe ne nuk mund të flasim për shkaktarët, të paktën për momentin. Është një fatkeqësi, një dhimbje shumë e madhe. Me informacione do të dalim pasi që prokurori shtetëror ta ketë bërë punën e tij dhe pasi të kemi informacionet zyrtare, qoftë për shkaqet, qoftë për viktimat”, ka deklaruar Arifi.

E pyetur nëse ka lidhshmëri shpërthimi me një incident të para dy javëve, kur ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit në këtë spital modular, Arifi tha se hetimet do të tregojnë shkaqet e incidentit.

Në Tetovë, të mërkurën deri në mesnatë qëndruan edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe shumë anëtarë tjerë të Qeverisë, të cilët morën pjesë në një mbledhje të shtabit të krizës në Tetovë, por asnjë prej tyre nuk u prononcua për incidentin.

 

Artikulli paraprakTë shëruarit nga COVID-i dhe teoritë konspirative
Artikulli tjetërBasha: Lutemi për Tetovën! Në këtë ditë tragjike i bashkohem dhimbjes së familjeve të viktimave!