Zgjedhjet politike në Gjermani kanë një rëndësi jo vetëm kombëtare, por marrin një rol të rëndësishëm për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe të asetit gjeopolitik ndërkombëtar. Deri në çfarë pike zgjedhjet e lidershipit të ri gjerman do të jenë në vijueshmëri/ jovijueshmëri me ato të kancelares Angela Merkel në raportet me Rusinë e Vladimir Putinit? Çfarë pret Kremlini nga zgjedhjet politike e 26 shtatorit?
Por për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve mund të jetë oportune t’i drejtohet analizës historiko – politike të marrëdhënieve bilaterale ruso – gjermane e kohëve të fundit, duke mbajtur parasysh të paktën tre faktorë: stilet e lidershipit, dinamikat ndërkombëtare dhe koniuktura ekonomike. Duke filluar nga vitet ’90 marrëdhëniet politike midis Gjermanisë dhe Rusisë janë bazuar mbi një pragmatizëm që e ka çuar qendrën e studimeve gjeopolitike të Dumës (parlamentit rus) të përdorë neologjizmin “GeRusi” për të treguar bashkëpunimin intensiv, një “partneritet të veçantë”, i zhvilluar përgjatë aksit Moskë – Berlin sidomos në terma ekonomikë.
Për shembull, qe kancelari Helmut Kohl ai që krijoi lidhje tregëtare për të shmangur kolapsin e ekonomisë në hapësirën passovjetike dhe, akoma më përpara, bashkë me presidentin e Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbaçiov, të mbështesë procesin e ribashkimit të Gjermanisë. Me ardhjen e Gerhard Schröder në krye të qeverisë kanë vazhduar subvencionet ekonomike për Rusinë, edhe me një “ndihmë” prej 1 miliard eurosh për projektin e gazsjellësit Nord Stream 2. Veç kësaj, kancelari socialdemokrat ka krijuar një miqësi personale me Vladimir Putinin. Ka qenë lideri i vetëm perëndimor i ftuar në ditëlindjen e presidentit rus që edhe e ka emëruar më 2017 si “drejtor i pavarur” i kompanisë petrolifere Rosneft dhe president i Komisionit të Aksionerëve të gazsjellësit ruso – gjerman.
Diferencë pikëpamjesh Në vitet e fundit të gjithë liderët gjermanë ka kërkuar të strukturojnë një raport të qëndrueshëm, dialogues dhe fitimprurës, anipse me ulje ngritje të përcaktuara nga pozicionet e ndryshme në politikë të jashtme lidhur me “revolucionet me ngjyra”, akuzat për sulme kibernetike, për të arritur gazën më kritike me “ribashkimin” e Krimesë në vitin 2014. Por edhe në këtë rast të fundit, teksa fliste për një “Luftë të Ftohtë të re” midis Perëndimit dhe Rusisë, marrëdhëniet midis Gjermanisë së Merkelit dhe Rusisë së Putinit janë dalluar prej vijueshmërisë së dialogut.
Rapirti i tyre sigurisht që është kompleks, i pasur me shumë fytyra, por i ngritur mbi respektin reciprok dhe në kontekstin europian kancelarja shpesh ka marrë një pozicion unik midis liderëve të të gjithë botës perëndimore kundrejt presidentit Putin.
Në vitin 2008, në samitin NATO në Bukureshtit, George W. Bush lançoi Membership Action Plan (Map) për të përfshirë Gjeorgjinë dhe Ukrainën në Aleancën Atlantike, por u ndesh me pozicionin fuqimisht kundër të Merkelit, e cila i frikësohej një konflikti të pariparueshëm me Moskën dhe destabilizimit të kufijve lindorë të Europës. Në rast se marrim në konsideratë çështjen e shtypjes së të drejtave të njeriut në Rusi (siç ka ndodhur në rastin Aleksej Navalny) dhe politikën e sigurisë të Europës Lindore (për shembull, situatën në Donbas) kancelarja Merkel nuk i ka kursyer kritikat e ashpra ndaj presidentit rus, por gjithmonë e ka promovuar dialogun me Moskën, duke mundësuar në disa raste zbutjen e tensione e diplomatike me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe NATO.
Si shembull i qartë realpolitike, Gjermania e kancelares Merkel ka kërkuar që t’i zgjidhë konfliktet multilaterale nëpërmjet dialogjeve bilaterale me Rusinë, duke u paraqitur si ndërmjetës midis dy palëve në konflikt.
Bëhet fjalë për një strategji qe e shikon Gjermaninë të veprojë në dy nivele: si shtet kombëtar dhe si anëtare e Bashkimit Europian. Duke ndjekur interesin e saj kombëtar dhe ekonomik, Gjermania ka ruajtur një “bashkëpunim vendimtar” me Rusinë që ka shkaktuar kritika të shumta nga ana e liderëve europianë midis të cilave qeveria lituaneze dhe ajo polake që e kanë krahasuar gazsjellësin Nord Stream 2 si reidicion i Paktit Molotov – Ribbentrop dhe akuzën e presidentit Donald Trump se është «një robinjë e Rusisë».
Një traditë e lashtë
Në vitin 1969, nën frymën e Ostpolitikës, kancelari i atëhershëm Willy Brandt kishte pohuar: «Interesi ynë kombëtar nuk na mundëson që të qëndrojmë në mes midis Lindjes dhe Perëndimit. Vendi ynë ka nevojë për bashkëpunimin me Perëndimin dhe mirëkuptimin me Lindjen». Realizmi, pragmatizmi, afërsia gjeografike dhe mirëqenia ekonomike kanë qenë parimet mbi të cilat lidershipet gjermane kanë ruajtur këtë “marrëdhënie të privilegjuar” me Rusinë dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve për Bundestagun hap një të panjohur mbi qëndrimin dhe llojin e ndërveprimit që do të vendosen pas Merkelit.
Në debatet televizive të mbajtura deri më tani kandidatët kryesorë për kancelarinë nuk kanë diskutuar tematika politike të jashtme dhe ndërkombëtare, por gjatë fushatës elektorale kanë dhënë disa deklarata që na mundësojnë të indnvidualizojmë një orientim të besueshëm drejt Rusisë. Socialdemokrati Olaf Scholz dhe kristianodemokrati Armin Laschet, që i përkasin Koalicionit të Madh në ikje, nuk duket se shkëputen nga qasja merkeliane e ndarjes midis kritikës diplomatike dhe bashkëpunimit ekonomik. Scholz ka shprehur një pakënaqësi lidhur me shkeljen e kufijve të Ukrainës, duke e gjykuar si një tentativë për destabilizimin e Bashkimit Europian, por edhe ka propozuar të lançojë një “Ostpolitikë europiane” kundrejt Rusisë për të ruajtur «një kanal dialogu dhe përmirësuar marrëdhëniet midis Bashkimit Europian dhe Rusisë».
Edhe Laschet e ka kritikuar politikën e jashtme revizioniste të Rusisë, por mendon se ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike do të ishte një gabim politik. Një diskutim tjetër është ai që bën në fakt liderja e partisë së Gjelbër Annalena Baerbock, e cila ka një qëndrim shumë të ashpër ndaj Rusisë për çështje lidhur me ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe është kundër gazsjellësit ruso – gjerman. Nëse kandidatët Scholz dhe Laschet, në virtyt edhe të traditës partiake e programatike ku janë pjesë, paraqesin elemente vijueshmërie më të madhe me politikën e Merkelit, jovijueshmëria në raportet GeRusi do të përfaqësohej nga liderja ambientaliste. Nuk është rastësi që Verfassungsschutz, shërbimet sekrete të brendshme, kanë sinjalizuar tentativa të shumta për ta bombarduar Baerbock me fake news, botime informacionesh të rezervuara (leaks), fotomontazhe dhe një “fushatë negative” në masmediat publike ruse pasi mendon që Kremlini nuk do ta pëlqente fitoren elektorale të saj.
E panjohura e Brukselit
Megjithatë, e panjohura e vërtetë ka të bëjë me vullnetin ose jo për ta përmbledhur trashëgiminë politike të merkelit në aspektin europian, ku ka aktorë të ndryshëm në lojë dhe situata koniukturale që mund të influencojnë në një drejtim apo në një tjetër zgjedhjet e kancelarit të ardhshëm gjerman. Në muajin qershor, një komunikatë e përbashkët e Komisionit Europian dhe e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian ka ritheksuar vullnetin për të mos e ulur vigjilencën ndaj Rusisë, duke pohuar se marrëdhëniet mund të ndryshojnë për shkak të daljes nga vendimarrja politike e Merkelit dhe e rezultatit ende të paqartë të zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2022. Në fakt, aksi franko – gjerman ka qenë deri më tani vendimtar për të shmangur një përkeqësim të raporteve midis Bashkimit Europian dhe Rusisë.
Udhëtimet e kohëve të fundit e Merkelit në Rusi e në Ukrainë, përpara daljes nga skena politike botërore, u kanë treguar kandidatëve për kancelar rrugën, modelin për t’u ndjekur që ta pengojë Nord Stream 2 të mund të bëhet në të ardhmen një thembër Akili për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian. Kështu që ka pak rëndësi për Kremlinin se kush do të bëhet kancelari i ardhshëm, duke mundur të mbështetet mby dy interlokutorë – si Schröder dhe, ndoshta, edhe Merkel – dhe duke qenë tashmë i bindur për moskomunikueshmërinë me Perëndimin. Siç tha Putini në një ndërhyrje në Bundestag më 2001: «Midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara ka një oqean, kurse midis Gjermanisë dhe Rusisë ka një histori të madhe».
(nga Geopoliticus)
Përgatiti
ARMIN TIRANA