Nga Helidon BUSHATI
Vendimi i fundit për paralizimin dhe kthimin në komedi të komisioneve parlamentare, thjesht na dëshmon edhe një herë se kryetari i rregullores, kryetari i konferencës, kryetari i Kuvendit, është Edi Rama.
Eshtë pikërisht trilli i tij për të mos lejuar institucionet të funksionojnë, për t’i dobësuar kur nuk i kap dot, që materializohet në të tilla vendime.
Përpjekja për të zbehur zërin e opozitës, na kujton se shefi i rilindjes bën të kundërtën e asaj që predikon.
Mendoni se sa i besueshëm është ai kur flet për dorën e shtrirë, kur në mundësinë më të parë i heq Opozitës mikrofonin.
Ai ka frikë nga denoncimi, nga lufta e vendosur që ne do të bëjmë në parlament.
Një parlament nuk mund të ketë kuptim pa komisionet. Aty bëhet debati, aty mbrohet interesi publik. Kuturisja e tij për të kapur edhe Kuvendin, nuk do të ketë sukses.
Do të dështojë kjo tentativë për të kontrolluar dhe censuruar zyrën më të rëndësishme që parashikon kushtetuta, aty ku është sanksionuar pluralizmi si i shenjtë.
Preteksti se kjo bëhet për të luftuar pandeminë, e bën të gjithën edhe më qesharake.
Edi Rama ka dështuar ta bëjë këtë në dy vite, dhe prej politikave të tij, kemi sot numrin më të madh të jetëve të humbura, dhe goditjen më të rëndë financiare që kanë pësuar familjet shqiptare që e përballuan vetë dhe pa ndihmën e shtetit këtë krizë.
90 milionë euro ishin shpenzuar vitin e kaluar nga qytetarët, edhe pse Rama mburret se ka sjellë shëndetësinë falas.
Ai e ka shfrytëzuar pandeminë për interesat e tij që prej ditës së parë. Me tendera sekrete nga njëra anë, dhe me shtimin e forcës dhe presionit ndaj shoqërisë.
Po kërkon ta shfrytëzojë edhe sot, duke mbyllur komisionet parlamentare.
Zhvillimi i tyre on line, sipas regjisë që e komandon ai, është thjesht futja e Parlamentit në platformën e propagandës.
Ne do të qendrojmë deri në fund. Mandati ynë, votat dhe besimi që na kanë dhënë qytetarët, marrin kuptim vetëm duke e ushtruar këtë pushtet në Kuvend.