21-vjeçarja vdes në derën e spitalit, familjarët akuzojnë mjekët

Një 21-vjeçare ka ndërruar jetë në derë të Spitalit të Fierit ditën e hënë, ku sipas familjarëve ishte paraqitur tre herë në harkun e pak orëve me shqetësime të theksuara shëndetësore, por është trajtuar si e prekur nga virozat. Viktima është Xhuljeta Gjeka, nga fshati Mujalli i Fierit.
Xhuljeta Xheka është paraqitur në spital me temperaturë të ulët, ndërsa mjekët e Fierit kanë dyshuar se ishte prekur nga ndonjë virozë e stinës.
Vajzës i është bërë një serum e më pas është përcjellë drejt banesës, por gjendja e saj ka ardhur dhe është përkeqësuar. Familjarët e kanë nisur sërish drejt spitalit, por për të renë ka qenë tepër vonë. Ndërsa familjarët kanë ngritur akuza të rënda për mjekët, pritet që autopsia të nxjerrë edhe shkaqet e vdekjes së papritur të vajzës së re. Për rastin në fjalë, Policia e Fierit është shprehur se vdekja e së resë ka ardhur për shkaqe natyrale.
Pilo dhe Altin Gjeka, gjyshi dhe babai i vajzës, tregojnë se herën e parë e kanë dërguar vajzën në spital me temperaturë të ulët të dielën, por mjekët e kanë lejuar të largohet drejt banesës, pasi i kanë bërë një serum. Por gjendja e 21-vjeçares është përkeqësuar në vijim dhe ajo është dërguar sërish drejt Spitalit të Fierit, por këtë herë ka qenë vonë.

Gjyshi i 21-vjeçares:Në orën 3:30 na dha recetë mora dhe ilaçet erdha në shtëpi, çështje gripale më thanë. E mbajtëm çupën me të ngrohta në orën 3 të natës vetë në spital. Këtu ishte më e keqja. Çupa mua më ka vdekur tek porta e spitalit, sepse nuk doli një njeri të më sillte një barelë. Kam bërtitur “o maskarenj” ndofta gabova, më ra çupa nga duart.
Por ndërsa familja Gjeka hedh akuza të forta për neglizhencë ndaj mjekëve të urgjencësës, kartelat e trajtimit të vajzës po verifikohet nga një grup pune nga Spitali Rajonal i Fierit dhe Prokuroria lokale.
Babai i 21-vjeçares: Vajza ime ka ikur nga doktorët vëlla, nga neglizhenca e doktorëve.
Drejtorja e Spitalit të Fierit, Nevila Shuke, tha se krahas verifikimeve të procedurës së ndjekur, do të pritet ekspertiza për shkakun e vdekjes së 21-vjeçares.
Por ndërsa ekspertiza Mjekoligjore dhe Prokuroria ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre, Policia e Fierit në një njoftim paraprak për vdekjen e të resë flet për shkaqe natyrale. Ora News u interesua për rastin edhe në Ministrinë e Shëndetësisë ku na thanë se do të priten rezultatet e verifikimit për trajtimin e rastit.

 

Exit mobile version