Afganistani, një déjà vu

Rënia e Sajgonit, lufta midis Maos dhe Çian Kai Shisë, revolucioni islamik në Iran. Represionet e kujt fiton pas arratisjes së të tjerëve dhe historia që rikthehet në shënimet e një të dërguari shumë special.
anila

Më 1979 nga sot nesër kisha parë shpërbërjen e regjimit të Shahut të Persisë. 10 vite më pas, po nga sot nesër, kemi parë të bjerë Muri i Berlinit. Menjëherë më pas, gjithmonë papritmas, ra Bashkimi Sovjetik. Më përpara akoma kishte ndodhur rënia e Sajgonit. Titulli i parë i librit reportazh të mikut tim Tiziano Terzani lexonte: “Çlirim”. “Rënie” u bë në botimet e viteve në vazhdim: kjo thotë shumë për ndryshimet e pikëpamjeve. Më përpara akoma, më 1949, qenë daravitur si dëbora në diell në Kinë armatat e Çian Kai Shisë. Ushtarët kishin kaluar me dëshirë në ushtrinë e Maos, oficerët kishin ndjekur Gjeneralisimin në arratisjen drejt Tajvanit, të asistuar nga amerikanët. Në Amerikë u ashpërsua polemika lidhur me atë se kush e kishte “humbur Kinën”. Opinioni publik ishte kapur në befasi. Ndoshta edhe disa ekspertë të çështjes. Të tjerë e kishin parashikuar, por nuk qenë dëgjuar. Dikush kishte gabuar. Ama që të ndodhte gjithçka me kaq shpejtësi nuk e prisnin as edhe fituesit. Edhe ata kishin mbetur të befasuar.

Lajmet e këtyre javëve të fundit nga Afganistani më kanë dhënë ndjesi të çuditshme déja vu. Kryengritja në Teheran ka zgjatur shumë pak, praktikisht një natë të vetme. Mëngjesin e nesërm pas radhë të gjata ushtarësh të trupave speciale të gardës perandorake, të quajturit Javidan, të Pavdekshmit, të linin kazermat e tyre pa ju dashur kryengritësve të qëllonin qoftë edhe një herë të vetme. Qenë të gjithë vullnetarë, profesionistë. Konsideroheshin më besnikët e Shahut. Qenë betuar ta mbronin edhe me jetët e tyre. I kishin hequr edhe të urryerat dinstinktiva të zeza. Kisha parë deri pak javë më parë ushtarët të qëllonin ndaj turmës së paarmatosur. Ishte e qartë se largimi i papritur i Shahut kishte ndryshuar gjithçka. Askujt nuk mund t’i kërkohet të vdesë për një tiran në arrati. Në mes ishte fetvaja e Khomeini që i çlironte nga betimi dhe, njëherazi, i premtonte falje në rast se i bashkoheshin popullit.

Talibanët duhet ta kenë mbajtur shënim kur për gjë të parë kanë siguruar se nuk do të kishte raprezalje kundër trupave të rregullta afganase që dorëzonin armët ose, më mirë akoma, bashkoheshin me ta. Kaluan të gjithë në radhët e ushtrisë së Republikës Islamike. Të parët që ndryshuan uniformë qenë ata të Aviacionit, duke filluar nga pilotët, të cilët qenë stërvitur në Amerikë. Por më shumë përshtypje se ushtarakët që dorëzoheshin më bëri një kortezh tjetër, shumë më trishtuar: radhë të gjata njerëzish të lidhur me litar. Nuk mbanin uniforma, por rroba në gjendje të keqe. Qenë afganas. Vinin të shoqëruar në kufi, na u shpjegua, për t’u përzënë si të padëshiruar. Qenë klandestinë “ekonomikë”, të parë keq nga e djathta dhe nga e majta. Pushtimi sovjetik i Afganistanit do të ndodhte vetëm në fundin e 1979. Ditët në vazhdim u panë të varur të ndodhur në vinça. Trafikantë droge, vrasës, rrëmbyes, përdhunues, na u tha. Për më tepër emigrantë klandestinë, afganas. “Terroristë” ose bartës të “korrupsionit në tokë” nuk qenë ende fjalë në modë.

Edhe në Kinën e 1949 qytetet qenë dorëzuar njëri pas tjetrit, si gurët e një dominoje gjiganteske. Në Pekin hyrja e Ushtrisë Popullore Çlirimtare ndodhi në surdinë, aq sa ju desh ta replikojë disa ditë më pas për fotografë dhe kinooperatorë. Edhe në Shanghai rënia e qytetit u pa thuajse si lehtësim, i jepte fund javëve ankthi. Pushtuesit e rinj nuk mund të ishin shumë më keq se japonezët apo se qeveria që ja mbathte ishte opinioni më i përhapur. Në kozmopolitin Shanghai “La fermeture”, mbyllja e 800 bordellove dhe dërgimi në kampet e riedukimit e 4000 prostitutave të regjistruara u paraqit si “çlirim i grave”. Nuk bëri përshtypje të keqe që u pushkatuan trafikantët e drogës, shfrytëzuesit e prostitutave dhe batakçinjve të tjerë të njohur. Në Pekin komandanti nacionalist kishte dakordësuar dorëzimin. Në Shanghai komandanti ja kishte mbathur me arkën e parave. Vendimi i tij i fundit për mbrojtjen e qytetit nga hordhitë komuniste kishte qenë ndërtimi i një gardhi sa të madh, aq edhe të kotë. Të gjithë në qytet e dinin se kishte futur para në xhep, në bashkëpunim me biznesmenët e drurit. Më e keqja do të ndodhte në vitet në vazhdim. I ashtuquajturi “paqëtim”, e ashtuquajtura “luftë kundër banditizmit”, do të kërkonte një përpjekje ushtarake të jashtëzakonshme dhe shkaktuar më shumë viktima se lufta civile. Është e pamundur të jepen shifra, por vetëm po të mbledhësh njoftimet zyrtare e “sukseseve” të fushatave “për shtypjen e banditizmit” e të “kundërrevolucionarëve”, në fillimvitet ’50, shkohet në disa miliona të “ekzekutuar”. Pa llogaritur “pronarët e tokave” dhe “elementët e këqinj”, të tjerë të linçuar nga fshatarët. Kishte 8 milion fshatra në Kinë. Në disa zona nuk ndodhi asgjë, në të tjera pati masakra. Ja pse për statistikën thuhet se është një shkencë e trishtuar, përveçse e pasaktë. Kina është vendi i numrave të mëdhenj. Ka që kanë vërejtur se, edhe në hipotezat më të këqija, bëhej fjalë për më pak se 0.01% të popullsisë.

Represioni në Kinën jugperëndimore qe jashtëzakonisht i egër dhe i përgjakshëm, ndoshta edhe pse atje, nëpërmjet ishullit Hainan, i mbetur më gjatë në duart e nacionalistëve, një prej rrugëve kryesore të arratisjes nëpërmjet detit drejt Tajvanit. Trupat më të mira qenë evakuuar në Tajvan me një urë ajrore. Qenë lënë prapa ato më të dobëta. Disa prej komandantëve të Chiang kishin kaluar armë e bagazhe në ushtrinë e kuqe, të pritur me të gjitha nderimet. Pastaj qenë rimenduar dhe i qenë kushtuar guerriljes. Disa dezertonin sepse nuk donin të dërgoheshin “vullnetarë” në Kore. Të tjerë dezertuan tek amerikanët në Kore. Sikur të mos mjaftonte, fshatarët e i merrnin shumë keq kërkesat e reja për mbështetjen e armatave që i kishin “çliruar” dhe milionëshin e vullnetarëve të dërguar në Kore. Filluan të masakrojnë çlirimtarët. Jugu dhe Sichuan qenë kompetencë e korparmatës së komanduar nga Ten Hsiao Pini. Represioni qe shumë egër dhe i pamëshirshëm. Vetëm midis Guangxi dhe Guangdong u “eliminuan” 1 milion “banditë”. Nuk e kuptoj surprizën prej mënyrës me të cilën 30 vite më vonë shtypi me tanke studentët në sheshin Tien An Men.

Ekzekutimet ndodhin në publik, turma qindramijërash i ndiqnin nëpërmjet altoparlantëve, por çuditërisht qenë pak ata që dokumentuan pasndryshimin e regjimit. Në Pekin u pushkatua në publik, pak jashtë mureve jugore, në Tianqiao, Urën e Qiellit, edhe Antonio Riva, një italian. Bashkë me librashitësin dhe botuesin francez Henri Vetch, gjermanin Walter Genther, japonezin Ruichi Yamaguchi, arqipeshkëvin Tarcisio Martina, të gjithë banorë prej shumë vitesh qenë akuzuar se ishin agjentë të huaj dhe se kishin komplotuar për të vrarë Maon me një mortajë të vjetër në sheshin Tien An Men përvjetorin e parë e shpalljes së Republikës Popullore.

Ai që ka luajtur fijet e komplotit pretendohej se ka qenë koloneli Barrett, agjenti amerikan që kishte krijuar raporte me Maon në Yenan. Akuza nuk qëndronte. Vite më pas përgjegjësit e investigimit do t’i rrëfeheshin Barbara Alighiero, e cila ka shkruajtur një libër të bukur mbi episodin më të njohur në Kinë sesa në Itali, (“Njeriu që duhej të vriste Maon”, Excelsior 1881) që ishte montuar për arësye politike, për të dhënë një sinjal. Duke mos u kapur dot me amerikanët, që nuk ishin më, e kapën me qytetarë të vendeve që nuk kishin më raporte diplomatike me Kinën e re të Maos. Faji i tyre i vetëm ka mundësi që ishte vonimi i qëndrimit në Pekin, me bindjen se nuk do t’i ndodhte asgjë. Nuk kanë ndodhur skena paniku dhe arrati masive, përveç evakuiimit në Tajvan. Kush mundej kishte shpëtuar tashmë në Tajvan apo në Amerikë. Humbja më e keqe e jetëve ndodhi kur një anije stërngarkuar me refugjatë, për shkak të mjegullës, u përplas me një anije tregëtare kur ishte afër Taipei: u mbytën të gjithë. Kinezët kishin një histori të gjatë eksodesh dhe emigracioni, e refuzuar keq në Amerikë, për arësye ekonomike, jo politike. Kur në vitet ’80 Reagan i kishte ngritur Ten Hsiao Pinit çështjen e lirisë së disidentëve në lënien e Kinës, ky i fundit i ishte përgjigjur: “Sa milion doni?”. Amerikanë nuk e kanë ngritur më argumentin.

Të shëmtuara, prej makthi, pamjet nga aeroporti i Kabulit. Kanë evokuar në shumë aspekte atë të evakuimit nga Sajgoni, panikun, rrëmujën për të hipur në helikopterët e fundit, helikopterin që rrëzohet nga çatia e ambasadës amerikane. Jo tërheqje, por largim i çrregullt, i çorganizuar, arrati, të shpëtojë kush të mundet, duke braktisur material luftarak, miq, gra, fëmijë. Në javët përpara rënies së Sajgonit, në Vietnam kishin organizuar një urë ajrore kushtuar fëmijëve. Arritën të largojnë 2000 jetimë, më pas të adoptuar nga familje amerikane. E kanë quajtur Operation Babylift. “Është minimumi që mund të bëjmë”, kishte deklaruar atëbotë presidenti Gerald Ford në autorizimin e operacionit, ama i pari i fluturimeve të Babylift u rrëzua pak pas ngritjes, duke i vrarë të 178 personat në bord, përfshi 78 fëmijët. Nuk dihet nëse shkaku qe difekt teknik apo raketë.

Nga Vietnami amerikanët larguan 300000 njerët, më pas mirëpritën 100000 boat people të tjerë. Kanadaja dhe Australia mirëpritën nga 100000 secila. Italia dërgoi në Detin e Kinës Jugore “Vittorio Veneto” dhe “Andrea Doria”, duke shpëtuar nja 1000 të mbytur. Gjysmë milioni u refuzuan nga vendet fqinje, shumë përfunduan në duart e piratëve, që i lanë të mbyteshin pasi i kanë plaçkitur. 800000 vietnamezë me origjinë kineze kaluan në Kinë. Akuzojmë Shtetet e Bashkuara e Joe Biden se i kanë braktisur afganasit që kanë bashkëpunuar me ta dhe kanë besuar në premtimin e demokracisë, se e ka organizuar eksodin shumë vonë dhe shumë keq, në mënyrë kaotike dhe me pikatore, ama nuk më duket rasti për të dhënë mësime: kanë arritur të largojnë mbi 200000 persona në harkun e pak ditëve. Ne pakashumë 5000 dhe nuk kujtohet shpesh se kush ka mirëpritur në këto vite më shumë afganas se kushdo tjetër në botë është Irani, që mirëpret 4 milion. Pavarësisht se kanë debutuar më 1979 me ekspulse të detyruara të afganasve, në ndryshim nga të tjerët nuk kanë ndërhyrë kurrë ushtarakisht në Afganistan me të cilin ndajnë një kufi të gjatë dhe poroz.

Nuk ka ndodhur sulm ndaj aeroportit për ta lënë vendin në Teheran më 1979. Disa ditë përpara kortezhit të pafundëm, ka pasur miliona njerëz të dalë për të pritur Khomeini në rikthim nga ekzili në Paris. Përshkova më këmbë të gjithë rrugën deri në aeropor, në mesin e turmës. Ishte festive. Nuk pati ose të paktën nuk kujtoj skena si në Kabul apo në Sajgon. Disa kolegë qenë nisur me avionin e fundit. Mendoj se janë penduar për pjesën tjetër e karrierës së tyre. Njërit i ndodhi të merrte një avion më pas i kidnapuar nga terroristë palestinezë. Arriti të mos shkruante asnjë rresht. Edhe në Sajgon kishte shumë gazetarë të mbetur për të pritur ardhjen e vietkongëve. E pakuptueshme: në fund të fundit, gazetat na paguanin për të treguar live. Ai që është ngritur kundër Shahut ka qenë një koalicion laraman. Nuk u kuptua menjëherë – edhe pse do të mund ta kishim kuptuar shumë mirë – që islamikët qenë shumica dërrmuese. Peshonte fakti që kishin frekuentuar vetëm elitat, intelektualët, jo njerëzit e thjeshtë. Disa do t’i rishikoja në dekadat e mëpasme në Amerikë apo në Europë, ku patën emigruar. Shumë nuk i ripashë kurrë më: përfunduan të burgosur në Evin, burgun e torturave, ose u vranë, në vitet e represionit më të egër, ato të luftës kundër Irakut.

Janë të gjitha histori të trishtuara dhe jo vetëm pse ata që përfunduan keq qenë ata që frekuentoja dhe kisha intervistuar. Presidenti i parë i zgjedhur i Republikës Islamike, Abdolhassan Bani Sadr, pak përpara fillimit të luftës ishte mosbesuar nga Khomeini dhe u arratis me një avion të pilotuar nga një pilot ushtarak. Nuk i bëri mirë prestigjit të tij që në të njëjtin avion të arratisej bashkë me të Masud Rajavi, kreu karizmatik i Muxhahedinëve të Popullit (MEK), një formacion laik i armatosur i ekstremit të majtë, i ngritur mbi kultin e personalitetit të udhëheqësit. Bani Sadr është ende në ekzil në Paris. Rajavi, që herën e dytë është martuar me vajzën e Bani Sadr, bashkë me luftëtarët e tij kaloi në Irak, në shërbim të Saddam Hussein. Ju humbën gjurmët pas pushtimit amerikan të Irakut dhe rënies së mbrojtësit të tij.

Lufta midis Iranit dhe Irakut kishte përfunduar, kur më 1989 Abdul Rahman Ghassemlou, kreu i Partisë Demokratike të Kurdistanit, u vra në Vjenë nga atentatorë iranianë, pikërisht teksa bënte në kryeqytetin austriak traktativa me qeverinë e ajatollahëve. Ka që thonë se ai që e shiti ka qenë Mustafa Barzani, kreu i vëëlezërve kurdë irakenë. Noureddin Kianouri, kreu i Tudeh, Partisë Komuniste Iraniane, e kisha takuar kur ishte kthyer prej pak kohësh nga ekzili në Bashkimin Sovjetik. Më kishte pritur duke u kapur pas Berlinguerit, që kishte tradhëtuar Bashkimin Sovjetik me vajtjen në Pekin tek kinezët. Unë këmbëngulja të më shpjegonte se çfarë ndodhte në Iran dhe pse komunistët kishin vendosur kishin vendosur të mbështesnin trupin e vdekur Khomeini. U kufizua duke mu përgjigjur se politika iraniane është mjaft e komplikuar, tejet e komplikuar sa ta kuptojnë të huajt.

Vetëm kohët e fundit kam kuptuar nga një historian iranian që ka rrëmuar në arkivat e PKI të ruajtur në Istituto Gramsci, se ishte ankuar me të shkruar me Botteghe Oscure, duke i kërkuar që “Unità” të dërgonte një korrespondent tjetër. Më erdhi keq kur mësova se më 1983, me urdhër të Khomeini, u arrestua dhe u akuzua për spiunazh në favor të Bashkimit Sovjetik. E detyruan të deklarohet publikisht në televizion, ai dhe e shoqja, se ishin spiunë. I mbanin duart nën tavolinë, nuk i tregoi as edhe një herë të vetme. E kishin torturuar duke ja thyer gishtat një e nga një.

Nuk është që në faktin e largpamësisë të tjerët kanë qenë më të lumtur. Presidenti Carter e kishte kaluar Vitin e Ri të 1978, tamam atë të vitit përpara rënies së regjimit, në Teheran. Ishte komplimentuar me Shahun për fotrësinë e regjimit dhe konsensusin që gëzonte ai. Qartazi që dikush e kishte informuar shumë keq. Tamam disa ditë përpara arratisjes së Shahut, gazetarët italianë në Teheran qenë mbledhur nga ambasadori italian. Na shpjegoi se ishte pritur nga “Madhëria e Tij” dhe e kishte gjetur në krye të punëve, i qetë. Mu ditën e largimit të tij ndodhesha në Teheran në zyrën e Ehsan Naraghi, sociolog brilant, ish përfaqësues i Iranit në UNESCO dhe këshilltar, përveçse kushëri, i perandores Farah Diba.

Telefoni i tij binte vazhdimisht. Më shpjegoi se ishte sulmuar nga telefonata njerëzish që i luteshin të ndërhynte pranë sovranëve për t’i bindur që të mos largoheshin. Ai i siguronte se nuk kishte asgjë për t’u preokupuar, pak demokraci dhe ajër i ri e paksa më i pastër nuk do t’i bënin keq vendit. Nuk e pashë më kurrë. Pak kohë më pas do të arrestohej, burgosej dhe torturohej në burgun famëkeq të Evin, do t’i shpëtonte për qime pushkatimit dhe së fundi dë të mërgonte në Paris.

Më shkoi më mirë me atasheun e shtypit të ambasadës amerikane në Teheran që kisha shkuar ta takoja më parë. Quhej Barry Rosen. Më shumë sesa emri i gazetës time i kishte bërë përshtypje mbiemri hebre. “Edhe ti i Popullit të Tokës!”, më përshëndeti: dy hebrenj në Teheran. Qe ai që më tha se shanset e rezistencës së regjimit në atë pikë qenë “fifty-fifty”. Deduktova se amerikanët e patën braktisur Shahun, nuk kishin shumë shpresa se regjimi mund të shpëtohej dhe e shkrova një gjë të tillë. Nuk u ripashë më me Rosen: u bë njëri prej pengjeve të mbetur të mbyllur për 444 ditë të vështira. Përvçse mu duk simpatik, ishte një që kishte kuptuar shumë më tepër se kolegët e tij të CIA që pak muaj më parë i kishin sugjeruar presidentit të tyre idenë shumë të keqe e ekzaltimit të një regjimi që po jepte shpirt. 20 vite më vonë lexova se ish pengu, me rastin e një mbledhjeje në Paris, kishte pranuar të pranonte një prej xhelatëve të tij, një prej liderëve të studentëve që kishin sulmuar ambasadën, i shndërruar ndërkohë në një opozitar i moderuar i ajatollahëve.

Rënien e Murit të Berlinit e pashë në televizor. Ashtu si grushtin e shtetit kundër Gorbaçiovit që përfundoi me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Ndodhesha tashmë në New York. Pagjumë, lëvizja papushim kanalet e televizorit. Dëgjova një lajm të çuditshëm në CNN. I telefonova dhe e ngrita nga gjumi drejtorin e atëhershëm të “Unita”, Renzo Foa. Arritën të bëjnë një edicion të jashtëzakonshëm. Ajo që e rrëzoi Murin e Berlinit nuk kanë vitet e mënyrave të urryera për ta penguar arratinë drejt lirisë. Ka qenë njoftimi në radio se qytetarët e REDGJ qenë të lirë të shkonin në vendet e tjera e Traktatit të Varshavës. Ishte nëntori i 1989. Në qershorin e po atij viti kishte ndodhur Tien An Meni. Askush nuk ishte përgatitur për shembjen kaq të papritur të komunizmit sovjetik. Inteligjenca amerikane e viteve të Reagan ishte e bindur se Perandoria e së Keqes ishte sa e fortë, aq edhe agresive. Jo se po jepte shpirt. Aq më pak qenë përgatitur për ribashkimin e Gjermanisë. Kam krijuar idenë se Reagan fitoi edhe pse me sovjetikët nuk kufizohej vetëm të grindje, me ta fliste. Më ndodhi ta shoqëroj gjatë udhëtimit të parë në Moskë.

Më 1949 ndarja me Kinën ka qenë e vështirë, tragjike. Megjithatë, deri pak kohë më parë midis komunistëve të maos dhe amerikanëve të dërguar prej tij në Yenan kishte pasur thuajse një histori dashurie. Gjenerali George Marshall – po, ai që më pas do të shpëtonte Europën Perëndimore me Planin Marshall – kishte marrë nga Truman detyrën e ndërmjetësimit midis Chiang dhe komunistëve, t’i bënte që të qeverisnin sëbashku. E ka provuar, me gjithë vullnetin e mirë. Misioni ka dështuar. I takoi të organizonte largimin e Chiang në Tajvan. Joseph McCarthy do ta damkoste më pas së përgjegjësin kryesor e “humbjes” së Kinës.

Në një tiradë prej 3 orësh përpara komisionit të Senatit tregoi “çmendurinë kriminale e misionit katastrofik Marshall” si vatër të “një komploti kaq të jashtëzakonshëm dhe një turp kaq të zi, sa të zbehte çdo ndërmarrje tjetër në historinë e njeriut”. Të gjithë ata që kishin lidhur raporte me komunistët kinezë u ndëshkuan, i patën karrierat e mbyllura, në mos me keq, pas kthimit në Amerikë. Përfshi kolonelin Barrett, frymëzues i supozuar i komplotit inekzistent për të vrarë Maon. Askush në Uashington nuk donte të dëgjohej të thuhej se Mao po fitonte. Ashtu siç dikur nuk i kishin dhënë dritën jeshile propozimit të bërë nga Mao dhe Çu En Lai pët të ardhur në Amerikë të takoheshin personalisht me Roosevelt. Përfunduan kështu duke e shtyrë Maon në krahët e Stalinit.

Nuk mund të dihet nëse do të kish mundur të shkonte ndryshe, siç sugjeroi në një shkrim të diskutuar të viteve ’70 historiania Barbara Tuchman. Ndoshta do të ishin mundur të shmangeshin 30 vjet, ato që ndajnë shkëputjen totale nga vizita tek Mao e Nixon dhe Kissinger. Më grumbullohen në nendje pyetje papushim. Mund të shmangeshin ato 30 vjet gjatë të cilave askush nuk foli me Kinën, e cila ndërkohë kishte krijuar edhe bombën atomike? Qenë të nevojshëm dhe të pashmangshëm 30 vitet e prishjes totale me Iranin (për të përfunduar me pas, me Trump, që të mohohej një marrëveshje e cila mund të pengonte që ta bënte bombën atomike dhe të bëheshin aleatë me sauditët, armiqtë e vërtetë të Iranit në rajon?). Çfarë do t’u bëjnë tani në Uashington atyre që hartuan raportin ku thuhej se fitorja e talibanëve në Afganistan ishte e pashmangshme? Do t’u japin pak të drejtë apo do t’i ngarkojnë fajin se kanë “humbur” Afganistanin? Nuk di të përgjigjem: nuk e kam as idenë më të vogël çfarë do të ndodhë Afganistan në muajt dhe vitet në vazhdim. Le më pastaj 30 vite më pas.

Më bën të qesh, bile më preokupon siguria me të cilën hartojnë skenarë të ardhshëm. Kam mësuar se asgjë dhe thuajse asgjë nuk ndodh siç parashikohet, ama lidhur me disa, pak gjëra më më kanë krijuar një ide më të saktë. Gjëja e parë është thuajse siguri: kurrë mos thuaj kurrë. Kush e do të thoshte më 1949 se 30 vite më vonë Nixon do të fluturonte drejt Pekinit për të takuat armikun e betuar Mao? Dhe që Vietnami, pas dekadash luftërash mizore dhe pas eksodit biblik të boat people, do të bëhej në mos demokraci një partner i respektuar? Tiparet mesjetare dhe tribale të talibanëve nuk mund të krahasohen me sofistikimin diplomatik e kulturor të një qytetërimi si ai kinez ose edhe vetëm si ai iranian, as me shpirtin sipërmarrës kinez që triumfonte midis tigrave të vegjël aziatikë edhe kur ishte ende në hekura në Kinë. Sa për i përket nation building, eksportimi i demokracisë ka funksionuar në një rast të vetëm: atij të Japonisë. Anipse në ato kohë një çikë studionin, këtë radhë kishin dëgjuar ekspertët, u kishin lënë perandorin.

(Siegmund Geinsberg për Il Foglio)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakBardhi i përgjigjet Ramës: I vetmi kontribut 8-vjeçar është ndërtimi i inceneratorëve për t’u vjedhur paratë shqiptarëve…
Artikulli tjetërPoeti ynë Kombëtar At Gjergj Fishta, drita e së vërtetës…