Poeti ynë Kombëtar At Gjergj Fishta, drita e së vërtetës…

Nga Agim Xh. Dëshnica

POETI YNË KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA

Në Fishtë të Zadrimës, më 23 tetor 1871, u lind një djalë, i cili, i pagëzuar me emrin Zef, më vonë do të njihej, në botë si Gjergj Fishta, poet kombëtar i shqiptarëve.   Por në atdheun e vet, gjatë diktaturës  disa  nga  profesorët  e letërsisë  e njerëz të letrave, shërbëtorë të regjimit ne fuqi, morën përsipër  të përbaltnin  e të hidhnin poshtë veprën e tij madhore në shërbm të atdheut.  Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare -1983”, me kryeredaktor Dh. Shuteriqin, larg çdo vlerësimi letrar e artistik, u përdor fjalori politik, fyerja, shpifja,  e mohimi, me këtë përcaktim të mefshtë: “Përfaqësuesi kryesor i klerit  françeskan Gjergj Fishta, poet, publicist , pedagog,  politikan, drejtoi për një kohë të gjatë veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe me cinizëm dhe e kishte vënë në themel të punës si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike “Lahuta e Malësisë”, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër sundimit osman. Ajo i ngrinte himnin françeskan patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Veprat e tjetra, si poema satirike “Gomari i Babatasit”, ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristikë e luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t’i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e i stilit gjer në banalitet, argumentet e tyre false, që orvateshin të imponoheshin me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste.”

Nuk do të mjaftonte ky qëndrim i paturpshëm ndaj Fishtës, as ndalimi barbar i librave të tij, por duhej të dëgjohej edhe zëri i një njeriu të huaj ndaj Shqipërisë me emrin Rexhep Qose. Në librin “Panteoni i rralluar” i vitit 1985, tashmë i vlefshëm vetëm për arkivë, ndofta edhe për kosh, ai shkruan pa iu dridhur dora: “Gjergj Fishta përkundër Naim Frashërit, ka shkruar për pjesën katolike të shqiptarëve, ka folur në emër të tyre dhe dy fjalë më të shpeshta të fjalorit të tij ishin feja dhe atdheu: gjithnjë përpara feja, mandej atdheu. Në zemrën e madhe të Naim Frashërit kishte vend për të gjithë shqiptarët dhe, më në fund, për gjithë njerëzit, kurse në zemrën e vogël të patër Gjergjit-për një pjesë të shqiptarëve, prandaj edhe për një pjesë të njerëzve. Veprat e tij sot shijohen më me vështirësi sesa atëherë kur ishin shkruar, qoftë edhe prej gegëve dhe, mund të besojmë, pas ca dekadash do të përkthehen si ato të De Radës….”

Po ashtu gabuan edhe ata, që shkruan se emri  i Gjergj Fishtës pas vitit 1944, u harrua. Përkundrazi, librat e tij mbaheshin si thesar në bibliotekat vetiake, kudo në Shqipëri. Leximi, apo përsëritja përmendësh në rrethe të ngushta, gjallonte më me zell. Edhe në rastet, kur në gazetën „Zëri i Popullit“ botoheshin shkrime zilare e fyese kundër poetit të madh, në shumicën e lexuesve ato zgjonin kundërshtimin e menjëhershëm, ashtu siç nuk miratohej edhe gjykimi qesharak i diktatorit E. Hoxha aty nga viti 1949, kur në një mbledhje të rëndomtë thoshte se “Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt.”(?!)

Drita e së vërtetës nga autorë vendas e të huaj

Në një kohë, kur Fan S. Noli nëpër ligjërata shprehej: “Fishta është i madh”, Faik Konica shtonte: “Fishta është jo vetëm poet i madh, por edhe intelektual i dorës së parë! Kot së koti përpiqen grekët e sotëm mbi veprën e Fishtës të kërkojnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotë se “Lahuta” e Gjergj Fishtës”. Ndërkohë Lasgush Poradeci, do ta quante Fishtën me nderim: “Poeti ynë kombëtar! Shkëmbi i tokës dhe shkëmbi i shpirtit shqiptar!”  Dijetari i shquar Eqrem Çabej, teksa analizon romantizmin tonë, që lidhej me luftën për liri e pavarësi, ndërmjet Jeronim De Radës e Naimi Frashërit, rendit edhe Gjegj Fishtën për fuqinë e vet epike. Krahas tij, Engjëll Sedaj  theksonte se “krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të E. Çabejt, duke përqëndruar vëmendjen më tepër te këta dy poetë sesa në krahasimin ndërmjet Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij, „Romantizmi“, ndonëse nuk shqyrton në veçanti Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai e ka krahasuar Naimin dhe Fishtën, duke thënë se “ky epos (Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos kombëtar, se këtë ua fali më vonë shqiptarëve Gjergj Fishta”. Aurel Plasari shkruante: “Gjysmëshekulli që ka kaluar prej vdekjes fizike të Fishtës, e ka vërtetuar jetëgjatësinë e veprës së tij letrare, me gjithë kushtet specifike të vështira në të cilat i është dashur asaj të gjallojë.”  Albanologu i njohur Fulvio Cordignano shkruante: “Pakkush kujtoj në letërsi të mbarë botës, ia del At Fishtës si poet satirik. Si i tillë, me një furi të çudishme, ai ther e pret aty ku djeg.” Ndërsa poeti italian me famë botërore Gabriele D’Annunzio thoshte:  “Patër Fishta njihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzemërt i këtij populli, si këtë kemi një të  madh tjetër: Rabindranat Tagora”.

Publicistë të ndryshëm  shqiptarë  me shkrimet e tyre kanë berë të ditur lexuesin e gjerë për të vërtetën e jetës e veprës së  Fishtës. Ndër ta janë shquar At Zef Plumi, Salih Kabashi,  Arben Marku, Fritz Radovani, Pjetër Jaku e shumë të tjerë. Ndërkaq, disa nga profesorët e moshuar, me dijeni të pakta për jetën e veprën e poetit Gjergj Fishta, vijojnë të botojnë e të ribotojnë të ndrequra  studimet e viteve para ’90.  Ndërsa aty – këtu vihet re se disa, të ashtuquajtur prof.dr. botojnë veprat e Fishtës kundër çdo rregulli, duke dëmtuar dhunshëm me ndreqje kundërshkencore ëmbëlsinë e gjuhës dhe ritmin  e vargjeve  të arta të At Gjergj Fishtës, ose dikush tjetër, duke bredhur derë më derë, mbledh letra të mykura ndër vite, pa adresë dhe të përkthyera, pra, të sajuara, i boton me stërhollime për të zbehur dritën e veprës së Fishtës, apo të Nolit të nderuar. Këta tipa keqdashësh me frymëzim tymnaje, notonin  dikur pa shpresë përmes dallgësh në gjurmim të atdhetarëve të mërguar në çaste tragjedish.

Ndaj shkrimeve jashtëletrare, sot hedh dritën e së vërtetës  vetë poeti  me veprat e tij. Fishta ishte ndër të parët, që me vargjet e veta qortoi me vendosmëri veset e shoqërisë, apo, si poet i ndiesive atdhetare, u ngriti lavde mbrojtësve të atdheut.

Krijimtaria  e botuar e Fishtës

Poezinë e parë Fishta e botoi më 1900 në revistën “Albania” të Konicës. Gjatë gjithë jetës së vet ai u shfaq si poet epik e lirik dhe prozator. Në krijimtarinë e tij të gjithanëshme, përveç poemës epike, „Lahuta e Malsise“, rreshtohen veprat: „Kangë Popullore“, „Vierrsha t’përshpirtshme“, „Pika voeset, „Anxat e Parnasit“, „Mrizi i Zanave“, „Vallja e Parrizit“,  „Shën Françesku i Asizit“  „Gomari i Babatasit„ ,  „Dredhitë e Patukut dhe i Ligu për mend“, „Shna Ndou i Padues“, „Juda Makabe“, „Vllaznija“, „Odisea Ifigjenija n’Aulli“, „Shqyptari i qytetnuem“,  „Shën Luigji”, “Barijt e Betlemit“, „Mojsi Golemi i Dibrës e Deli Cena“, „Jerina ose mbretëresha e luleve“ e  të tjera. Në vëllimin „Mrizi  i  Zanave“, renditet  “Gonzage„  dhe poezia „Nji Lule Vjeshte“,  nga më të dhimbëshmet e më të bukurat  e letërsisë sonë.

Proza e rrjedhshme e Fishtës u shqua me shkrimet polemike – politike, filozofike, letrare dhe estetike në gazeta e revista, veçanërisht në të përmuajshmen  „Hylli i Dritës.“

Në vitet e diktaturës, kur ai ndalohej të përmendej në vendlindje, emri i tij i kishte kaluar kufijtë. Në enciklopeditë e botës dallohej me përcaktimin: „At Gjergj Fishta – Poet Kombëtar Shqiptar”, etj…

Fishta dhe “Lahuta e Malcis”

Gjatë kohës së diktaturës, sado disa guxuan të fyenin poetin e madh dhe dritën e veprës së tij ta mbulonin me mjegullën e shpifjes, rrezatimi i saj çante terrin:

“Shkundu pluhnit pra, Shqypni!/ Ngrehe ballin si  mbretneshë!/

Pse me djelm, qi ngrof ti,/ Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë!.”

Vargje si këta në vetëdijen e rinisë, mbajtën gjallë ndjenjën e kombit dhe të lirisë, shpresën dhe besimin për shpëtim. Veprat e Fishtës në tërësi, janë thesar për gjuhën tonë. Sipas Maximilian Lambertz-it“vepra e Fishtës, është shtylla kurrizore e Kombit Shqiptar. Aq sa mund të kuptohet Greqia pa Homerin, Italia pa Danten, Gjermania pa Eposin e Nibelungëve, Anglia pa Shekspirin, aq mund të kuptohet edhe Shqipëria pa “Lahutën e Malsisë” të At Gj. Fishtës.”

Për At Gjergj Fishtën kanë shkruar Norbert Jokl,  pas tij Gustav Weigand, i cili, përveç punimeve të veçanta, do të përkthente në gjermanisht : “Lahuta e Malcis” von Gjergj Fishta, Balkan Archiv, Leipzig 1925), kurse Lambertz-i po në gjermanisht: “Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Oldenbourg, Munchen, 1958. Në italisht, nga Papas Ignazio Parrino: “Il Liuto Della Montagna, Palermo 1968, 1970). Pas shembjes së diktaturës “Lahuta  e Malsisë”, u njoh  në anglisht e përkthyer nga Robert Elsie dhe Janice Mathie-Heck: “The Highland Lute”, London, New York, 2005).

Fillimi e mbarimi i poemës “Lahuta e Malsisë”

Fishta poemën e filloi më 1905 me titullin “Lahuta e Malcis”, me këngën  e parë “Cubat” dhe e përfundoi më 1937, me këngën  e tridhjetë “Konferenca e Londonit.”

Në shënimet e veta Fishta, kujton se njëherë gjatë kohës  së pushimeve verore ishte dërguar në katundin Rrapsh të Hotit për të zëvendësuar famullitarin Leonard Gojanin. Në atë vend të qetë u miqësua me një burrë të thyer në moshë, Marash Ucin nga Hoti. Mbrëmjet i kalonin  bashkë. Nga Marashi Fishta dëgjoi rrëfime nga më të ndryshmet për luftimet e herëshme të malësorëve shqiptarë dhe malazesë, edhe për betejën e rreptë në Urën e Rrzhanicës, ku pati marrë pjesë Marashi vetë. Fishta vijoi ta botonte e ribotonte poemën të zgjeruar më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Përgatitësi i këtij studimi ruan qysh nga viti  1950, një libër të vogël i ribotuar në vitin 1923, me titullin  “Lahuta e Malcis”, vetëm me pesë këngët e para. Në krye të librit lexohet shkurt, ky shënim nga botuesi:  “Me ket botim shuhen ato të përparshmet, edhe ndalohen të gjitha të drejtat e rishbotimit e të përkthimit.”

Lahuta e Malsisë me gjuhën  e pasur nga burimet e veriut, e ngritur në art nga Fishta, u paraqit e plotë në Shkodër në kremtimet e njëzetepesë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Poema në vargje tetërrokësh, sado me ngjyrimet e një rapsodie kreshnikësh legjendarë, është histori në vargje e luftës për Lirinë e Pavarësinë e Shqipërisë, me heronj të vërtetë, si Ali Pashë Gucia, Dedë Gjo Luli, Oso  Kuka, Marash Uci etj. Befas, në çaste frymëzimi, poeti me sokëllima kreshnikësh, i drejtohet Zanës së mirë, apo i shqetësuar – Orës së Malit. Rimat, herë janë të puthura, herë të kryqëzuara. Këngët e krijuara në rini janë më të hovëshme, ndërsa në vijim, afër mbarimit, mendimtare, me shqetësime për fatin e atdheut në prag të lirisë, pas Luftës së Parë e konferencave ndërkombëtare.

Pjesë  nga  këngët e Lahutës

Gjatë analizës së krijimtarisë së autorëve të ndryshëm në letërsinë soc-realiste, zakonisht jepeshin citate apo shkurt vetëm disa pjesë. Meqë më lart u përmendën trajtime te zgjatura  armiqësore,  del  e nevojshme që prej kësaj kryevepre epike, me tridhjetë këngë, të zgjidhen të paktën pesë këngë qoftë edhe jo të plota. Atëherë lexuesi i mësuar ndryshe, do të befasohej e mahnitej me gjuhën e pastër shqip  të poetit atdhetar At Gjerg Fishta.  Shembuj shkrimesh në libra të tillë janë të shumtë, një prej tyre,  “Shkrimtarët shqiptarë”- 1942,  në dy vëllime duke filluar  nga Buzuku, ku shkrimtari  i njohur Karl Gurakuqi  paraqet  me imtësi  jetën e  Fishtës vargje  të shumta e të gjata, nga  poema “Lahuta e Malsisë”, nga  poezia lirike, dramat e nga proza.

“LAHUTA E MALCIS”

Këngë të zgjedhura

C u b a t

Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk’rën ket’ Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu’ e là t’mjerën në gjak,

frymën tue ia xanun njak,
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà:
kurr’ të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë,

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si ‘i dèm, vu n’lavër s’pari,
qi, ka’ e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari,
s’ndigjon me tërhjekun m’pluer:

e tue dhanë kryq e tërthuer,
tu’ i dhanë bulkut shum’ mërzì,
me u vu s’ ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt’ mësue

s’din’ me ndejë rob nën zgjedhë t’huej,
pagë e t’dheta me i là kujë,
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,

………………

Vranina

Vojti fjala te Çetina:
-Vallë! ç’po ban mi ShkjaVranina!
Vallë! ç‘po ban Vranina m’Shkje?
rob tue xanë e gjind tue pre,
tue pre gjind, tue xanë kajduka
qysh se duel njaj Oso Kuka!
Oso Kuka, ’i burrë shkodran,
shoq në Shkodër, thonë, s‘ka lanë
për kah besa e kah trimënia,
qi zanatë i ka Shqipnia.
Kaleshan e sy-përgjakun,
mje m’sylah mustakun:
ushton mali, thonë, kur t’flasë,
dridhet fusha kah t’vikasë,
e kah t’dredhë të rrebtë taga’n
thue se rr’feja shkrep për anë
kaq vringllim ai shkon tu’ i dhanë!

……………………

Marash Uci

Te nji mriz, te nji lejthí
kishin ndodhun tre barí
dy me dhen e nji me dhí,
njani plak e dy të rí:
Marash Uci e t’ bijtë e Calit:
dy djelm t’ lehtë si shpezt e malit.
Marash Uci i Uc Mehmetit,
anë e m’ anë i kisht’ rá detit
kishte pá pronët e Mbretit
çak prej Hotit tue xanë filli
dér ku piqet buka m’ dielli;
pse, sa kje Marashi i rí,
i pat dalë Mbretit n’ ushtrí
me armë n’ dorë, me zjarrm në gjí,
si qi doke asht n’Shqipní.
Burrë i fortë e trim si Zana,
armët i kjenë atij baba e nana:
babë tagani e nanë breshana,
vëllá e motër dý pistolet
dý gjarpnusha prej Stambollet.
Ky kje lypun edhè gjetun,
pat kenë thirrun edhè pëvetun
e n’ kushtrim e n’ gjýq t’ bajrakut,
e ndër pré marrë Karadakut;
e kudo qi i doli prîja
atý i dajti edhè trimnija.
Por, si kripit i rá bora,
e la kamba, e la dora,
edhè i shkrefi armët besnike:
njato armë qi n’kohë jetike
pa’n kenë ndera e Arbënísë kreshnike;
e na doli barí malit,
i shmrijak me t’ bijtë e Calit
prore Mashi djelmëve t’ Hotit
u kallxonte punët e motit,
punët e motit, punë trimënie:
si Shqiptari mbas lirie
e mbas besës e s’ bardhës Fé
bate dekën si me lé;
……………….

Te kisha e Shinjonit

Prendoi dielli, n’qiellë duel hana,
n’ Veleçik po pingron Zana:
Ehu! ju malet e Shqipnísë,
n’ t’ cilat strukë shqipja e lirísë
n’ t’ bardhat kohë qi kanë prendue
s’ lete anmik, jo, me iu afrue!
E din shpat e di’ edhe përrue,
e din landë e di’ edhe gúrë,
Shqiptarísë kryq e tërthuer,
se sa gjak atëbotë i anmikut
vojti rrëkajë prej t’ bardhë çelikut,
qi flakote n’ dorë t’ Shqiptarit
Porsi rrëfeja majes s’ Sharit.
A kish mujtë kurr n’ atë kohë t’ lume,
(Me lot gjakut sot t’ lotueme!)
veç nji troe t’ tokës Shqiptare
m’e rëmue dora grabitçare?
Sot m’e dá duen copa – copa,
e përse? Pse don Europa[
………………………

Te ura e Rzhanicës

Riza Pasha del n’ kalá,
I Madhi Zot, se shka me pá!
Fort ndjegull paska rá
N’ at Rrzhanicë, nën Podgoricë.
S’ ká me ngiatë e do t’ bjerë shí:
Hazna e madhe për bulqí!
T’u ngjatët jeta! – i thotë Myftija
S’ ká rá ndjeglla kah Malcija,
Kah Rrzhanica e Podgorica;
Por âsht çue tymi i barotit,
Djelmt e Grudës e Lekët e Hotit
Kah luftojnë me Mal të Zí.

……………………………

Dhunimi  i veprës së Fishtës

Pas Luftës së Dytë, “Lahuta e Malcís”  dhe  krijimet e tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan dhunshëm nga pushteti i ashtquajtur popullor, por ndërkohë u ribotuan në Romë më 1958, në Lubjanë, më 1990 dhe sërish në Romë më 1991.

Pas përmbysjes së diktaurës, veprat e Fishtës dhe shkrimet përkujtimore botohen vazhdimisht. me titullin “Lahuta e Malsisë”. Studimet për Gjergj Fishtën, tashmë janë më të thella, shkencë e mirëfilltë, sepse lidhen  me vlerësimin  e vazhdueshëm e kujtimin e poetit tonë kombëtar. Studiuesit e brezit të ri, si Arben Marku, tashmë kanë shkuar më tej, duke caktuar vendin më të lartë, bie fjala, për poemën epike “Lahuta Malsisë” përballë  poemës “Kunora e Malsisë” të poetit malazes  Negoshi. Me “Lahutën e Malsisë”, poeti ynë tregon historinë e shqiptarëve, zgjon e jep kushtrimin për bashkimin e kombit pa dallim feje në luftën kundër pushtuesve të atdheut me ndihmën e Europës, ndërsa Negoshi kërkonte bashkimin e malazesve në një fe,  në  luftë kundër pueshtuesve turq me përkrahjen e Rusisë. Me krijimin e rrallë tridhjetëvjeçar “Lahuta e Malsisë”, Fishta i dha kombit shqiptar një histori të artë, ndërsa Europës, një mësim të qartë për çështjet e pazgjidhura kombëtare, si rrjedhojë e padrejtësive të kohëve. Ndaj ai meritoi titullin Poet Kombëtar”. Në veçanti Lahuta e Malsisë, i ngjan një simfonie klasike, ku në rrjedhën e ngjarjeve vargjet, rimat e ritmi, janë notat e saj. Herë të zymta, herë shprehje dhimbjeje, herë si mallkim dhe në çastet e ngadhnjimit, piskamë hareje e luftëtarëve. Mandej dëgjohen zëri i natyrës së bukur shqiptare dhe i zanave, jehona e bjeshkëve, gurgullimat e krojeve dhe e përrenjve, teksa rrëzohen tatëpjetë. Në brendi të kësaj poeme epike, gjejmë edhe vargje të rralla lirike për nga bukuria e kuptimi, kushtuar vajzës shqiptare, si këto:

“Varza ka e varza s’ka,
porsi asht nji varz’ n’Janinë
kurrkund shoqen s’ia ke pa,
kah bje‘ diell e serotinë;
synin diell, ballin si hana,
ardhun shtatit si selvija
Efruazin e quejti nana,
augur t’mir me e pas Shqipnia”.

Fishta për Atdheun

Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Fishta e priti me gëzim, por edhe me brengë, për shkak të Luftës Ballkanike e vendimeve të padrejta të Konferencës së  Londrës -1913. Një gjendje e tillë shpirtërore shprehet në poemën „Lahuta e Malsisë“ dhe në artikujt e botuar në revistën „Hylli i Dritës“, të themeluar prej tij në Shkodër më 1913.  Në  shkrimin  me  titull: “A jan t’zot shqiptarët me u mbajt shtet m’vedi?“, Fishta kritikon ashpër, nga një anë veprimet grabitqare të fqinjëve e nga ana tjetër qëndrimin e shteteve europiane kundër tërësisë tokësore, sidomos të Rusisë.  Ndërkohë ai argumenton  me fakte historike aftësinë e shqiptarëve për krijimin e drejtimin e shtetit të pavarur brenda kufijve etnikë.

Një ngjarje e paharruar do të mbetet në histori dita 23 tetor 1913, kur Fishta ngriti Flamurin Kombëtar në Kishën e Gjuadollit dhe e lidhi me drita me Xhaminë e Fushës së Çelës. Ishte ky një veprim i guximshëm për bashkimin  e shqiptarëve me disa besime  fetare. Në vitet 1916-1917, nën pushtimin austriak, ai boton gazetën “Posta e Shqypnisë.“ Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, nga prilli i vitit 1919 dhe gjatë vitit 1920, Gjergj Fishta është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Në një nga ligjëratat e vitit 1919,  ai tha: „Pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë asht vendi ynë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitet e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundërshtueshëm i tokave të tij. Po qe se pernjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si dhe për përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet shtet më vete përbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografik. Por çka, se simbas teorisë Vilsoniane për me mund nji popull me u sundue në vetëvete, përpos kombësisë duhet të mirret parasysh edhe ndërgjergjja e tij kombëtare. Tashti për në qoftëse si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesija për liri, si edhe ai dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhvillue, gjithnji përbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë pikëpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarsinë si edhe sovranitetin e saj. E po thomëni, cili populll  në Ballkan ka ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar?  Në rast se ata nuk na duan në nji shtet të vetëm, pasi thonë se shqiptarët qenkan Musliman, atëherë na Kristianët, do t’i shkrijmë kryqet tona dhe do t’i bajmë fishekë, me mbrojtë vllaznit tanë muslimanë shqiptarë”, Eshtë kjo një shprehje  e dalë nga shpirti i At Gjergj Fishtës, e cila tregon shumë për harmoninë fetare ndërmjet  shqiptarëve. Gjithashtu dëshmon, se përjetësisht ndërmjet krerëve të besimeve fetare në Shqipëri gjithnjë ka ekzistuar një harmoni e mrekullueshme fetare. Në vitin 1922 Fishta pritet në Uashington si personalitet i njohur i kulturës. Takohet e bisedon me sukses me senatorë republikanë për çështjen e kufijve  të Shqipërisë.

I ftuar, më 1930, në  Nju  Jork, pranohet anëtar në Bashkimin Ndërkombëtar të  poetëve nga 60 vendet e botës. Fishta përfaqësoi Shqipërinë edhe në mbledhjet ndërkombëtare, më 1930 në Athinë, më 1932 në Stamboll e  Bukuresht.

Me prozën e tij të shkëlqyer përshkroi udhëtimin për në Turqi, ndërsa lundrimin përmes dallgëve të oqeanit të trazuar  do ta rrëfente me një prozë plot humor,sipas ndryshimit të motit e gjendjes shpirtërore, duke iu lutur,  edhe shenjtorëve.

Nga leximi  me vëmendje i prozës së  Fishtës, vihet re se ajo rrjedh  po ashtu si poezia e tij. Poezia,  ashtu edhe proza e Fishtës, janë burime frymëzimi  për  poetët e shkrimtarët, madje për gjithë ata që duan  të flasin  bukur shqip.

Veprimtaria e Fishtës në vitet 20 – 30

Në vitet 20, Fishta merr pjesë edhe në veprimtari politike. Në dhjetor të atij viti zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar. Po atë vit themelon Gjimnazin Françeskan në Shkodër. Në ngjarjet e Qershorit 1924, mban krahun e demokratëve. Mandej largohet nga atdheu dhe vendoset në Itali.  Atje, në vitet 1925 e 1926, krijon, boton e riboton pareshtur. Të atyre viteve janë  pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. I kthyer në atdhe, siç u tha më lart, përfundon më 1937 poemën epike „Lahuta e Malsisë“.

Më 1939, Fishta është kandidat i çmimit Nobel, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Italiane, ndërmjet poetëve, shkrimtarëve, kompozitorëve dhe shkencëtarëve me famë botërore. Aty nga fundi i jetës, më 1940, pa pritur Fishta do të deklaronte: “qysh nga kohët romake përgjatë rrjedhës së shekujve, pushtues të ndryshëm kaluen nëpër Shqipni, por asnjeni prej tyne nuk e nënshtroi dhe nuk e pushtoi dot shpirtin e shqiptarit.” Ky zë jehon fuqishëm edhe për profesorët, që rropaten e rrëmojnë më kot nëpër skutat e errëta të arkivave, të gjejnë ndonjë krisje në përmendoren e shenjtë të etërve atdhetarë katolikë me Fishtën në krye.  Tashmë letrat e sajuara nga këta profesore, askush nuk i beson.

Po dokumentet ç’thonë për jetën e veprimtarinë e Fishtës?

At Gjergj Fishta për fat të mirë mësimet e para i mori nga  mësuesi e poeti Leonardo de Martini. Shkollën e mesme  e kreu në Troshan të Shkodrës, kurse studimet e larta për teologji, filozofi e gjuhët e huaja, në institutet e seminaret françeskane në Sutjekë, Livno e Kreshevo të Bosnjës. Pas mbarimit të studimeve më 1894, u shugurua meshtar dhe u pranua në Urdhërin Françeskan. Në vitin 1899 së bashku me Abatin e Mirditës Preng Doçin, me romancierin e parë shqiptar Dom Ndoc Nikajn, At Pashko Babin etj., themelon në Shkodër shoqërinë letrare “Bashkimi.” Në vitin 1902, sapo qe caktuar drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, vendosi shqipen në programin mësimor. Në vitin 1908 përfaqëson shoqërinë “Bashkimi” në Kongresin e Manastirit dhe drejton Komisionin e Alfabetit. Në mbarim  të Kongresit, Fishta  kreu një veprim fisnik, kur fjalën për njoftimin e vendimit ia dha Mit’hat Frashërit, aso kohe në moshë të re.

Dëshira e përkrahja e gjuhës shqipe nxiti drejtuesin e arsimit në Shkodër, Luigj Gurakuqin të themelonte më 3 gusht 1916 Komsinë letrare nën mbrojtjen e komandës ushtarake të kryesuar nga gjeneral Trollman, i ndikuar dhe nga Dr.R. Nahtigal, studiues i gjuhës sonë, më në zë në Europë si dhe nga Dr. Gjergj Pekmezi. Në Komsinë Letrare morën pjesë me punimet  e tyre,  përherë të vlefshme, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjedja, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci e shumë të tjerë nga Veriu e Jugu.

Si rrjedhojë e shtrembërimeve dashakeqe ndaj jetës e veprës së At Gjergj Fishtës ishin të paktë lexuesit e letërsisë, që kaluan çaste hutimi. Kritika shkencore e mirëfilltë e të gjitha kohëve bashkohet në një mendim se vepra e tij është kulm i ndritur, që u ngrit madhërisht për rreth dyzet vjet mbi hapësirën e letërsisë shqiptare në  shërbim të atdheut.

Nderimet nga vendi e bota

At Gjergj Fishta në historinë e Shqipërisë zë një vend me rëndësi si vazhduesi i Rilindjes sonë Kombëtare e shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në gjysmën e parë të shekullit njëzetë. Krejt ndryshe  nga shkrimi në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare” – 1983, Fishta njihej kudo, si poet, shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, satirist, eseist, gjuhëtar, edukator, piktor, arkitekt, drejtues i lartë i fesë françeskane, publicist, politikan demokrat, etj. Më 1941 shkrimtari i shquar Karl Gurakuqi shkruante: “Fishta i la  nder gjithkund  emnit shqiptar. Jo vetëm bota shqiptare e naltoi edhe për së gjalli tue i dhanë titullin ”Poeti Kombëtar”, por edhe bota e jashtme, mbasi shijoi e çmoi frytin e pendës së tij, ia njofti vleftën dhe e nderoi me lëvdata, dekorata e tituj. Klubi “Gjuha Shqype” i dhuroi në vitin 1911 dy basoreljeve symbolike të punuem mjeshtërisht dhe nji kunorë argjendi; më 1917 qyteti i Beratit i dërgoi nji pendë ari, për kujtim të veprimit të tij letrar e politik. Perandoria Otomane i dha dekoratën Mearif kl.II (1912); Mbreti i Austro-Hungarisë e dekoroi me Ritterkreuz (1912); Papa Piu XI e nderoi me Medaljen e Meritimit (1925); Paria e përgjithëshme e Urdhnit françeskan me titullin “Lector Jubilatus”(1929): Greqia me dekoratën.“ Phenix” (1931), etj.„ Për Gjergj Fishtën kanë shkruar edhe në botën gjermane.

Pas vitit 1990, At Gjergj Fishta u dekorua me Urdhërin Nderi i Kombit.

Përkujtimi i tij me rastin e 100 – Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë,  ishte  një nga vlerësimet  më të larta, që  mund t‘i bëhej një Poeti Kombëtar si At Gjergj Fishta.

Po ç’thotë Fishta me poezitë e veta?

Ashtu siç u tha për poemën „Lahuta  e Malsisë“, gjithashtu duhet t’u jepen lexuesve të rinj edhe disa nga poezitë apo tingëllimet e zgjedhura me ndjenja të përflakura atdhetarie.

NGA “MRIZI I ZANAVE”

Gjuha shqipe

Porsi kanga e zogut t’verës,
Qi vallzon n’blerim të prillit;
Porsi i ambli flladi i erës,
Qi lmon gjinjt e drandofillit:
Porsi vala e bregut t’detit,
Porsi gjâma e rrfés zhgjetare,
Porsi ushtima e nji termetit,
Njashtû â gjuha e jonë shqiptare.

Ah, po, â  e  ambël fjala e saj,
Porsi gjumi m’nji kerthí,
Porsi drita plot uzdajë,
Porsi gazi i pamashtrí;
Edhè ndihet tu kumbue,
Porsi fleta e Kerubimit,
Ka’ i bjen qiellvet tue fluturue
N’ t’ zjartat valle t’amëshimit.
Prá, mallkue njaj bir shqiptari,
Qi ketë gjuhë të Perëndísë,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia lên ai fmís;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Qi e përbuzë kët’ gjuhë hyjnore;
Qi n’gjuhë t’ huej, kúr s’âsht nevoja,
Flet e t’ veten lên mbas dore.

Në gjuhë shqype nanat tona
Shì prej djepit na kanë thânun,
Se âsht nji Zot, qi do ta dona:
Njatë, qi jetën na ka dhânun;
Edhe shqip na thanë se Zoti
Për shqiptarë Shqipnínë e fali,
se sá t’ enden stina e moti,
Do ta gzojnë kta djalë mbas djali.

Nëpër gjuhë shqipe bota mbarë
Ka me u njohtë se ç’fis ju kini,
Ka me u njohtë jú për shqiptarë:
Trima n’zà sikurse jini.

Prandej, prá, n’e doni fisin,
Mali, bregu edhè Malësija
Prej njaj goje sot t’ brohorisin:
Me gjuhë t’ vetën: “Rrnoftë Shqipnia!”

Shqipnia

Edhè hâna do ta dije,
Edhè dielli do t’ ket’ pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ká !
Fusha t’ gjâna e kodra t’ blera,
Zijes s’ mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’ vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’ Parrizit t’ larmet shtroja.

Nën nji qiellë perherë t’ kullueme,
N’ rreze e n’ dritë pershkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ ajrí.

Ke ato bjeshkë e ke ato male
Kroje t’ kjarta e t’ cemta gurra,
Tue rrëmbye n’për mriza hale,
Gurgullojn’ n’për rrâjë e curra.

Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjnë mandej ata djelm si Zâna,
Armët e t’ cilvet, p’rherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t’ tana.

Atje léjnë, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’ flakë t’ nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.

Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’ turr t’ shqiptarit pît ka rá.

Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Liria.

Lume e shé para atij ngelin,
Ia lshojnë udhën dete e male;
Mbretnitë fjalën s’ mund t’ ia shkelin,
Turrin ferri s’ mund t’ ia ndale.

Shkundu pluhnit, prá, Shqipní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’ gjí,
Nuk mund t’ quhesh, jo, robneshë.

Po, edhè hâna do ta dije,
Edhè dielli do t’ két’ pá,
Se për qark ksaj rrokullie,
Si Shqipnia ‘i vend nuk ká!
Rrnosh e kjosh, prá, moj Shqipní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí.

I dbuemi

Lamtumir’, vendet e mija,
Qe, po zhduken dal’ngadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka val’ mbi valë;
Kah njaj diell, qi a tue flakue
Andej fill un’ tash do t’vete…
Lamtumir’, o dhe i bekue!
Lamtumir’ përsa t’jet jeta!

Nesër nadje kur mbi ne
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e din sa ujë e dhé
Mue prej tejet kan me m’da?!
E por n’pyetsha retë mizore,
E por n’pyetsha zogjtë e detit
Se për ty, moj tokë arbnore,

S’ka me m’fol’ kush mue t’shkretit
Tjera fushë e tjera zalle
Kam me pa, e tjera dete:
Kam me ndie, po, tjera valle,
Tjera gjuh’ n’tjerë qytete;
Vendin t’em, por, s’kam me e pa
Ku kam le e jam burrnue;
Syt e mij edhe kan me kja,
Pa u gjet’ kush, qi me i ngushllue.

Pa kënd t’emin, po e’ nji Zotit,
Tue shtegtue për dhe të huej,
Kan’ me m’shkue mue ditt e motit
Sha e përbuzun prej gjithkuej.
Kam me pas’ shkretin’ për votër,
E për shtroj’ të ndeztën ranë.
Kam me pasë ulkojën motër,
Kam me pasë , ehu, tigrën nanë.

Nana e mbetne për s’të gjallit
Ka me m’kja, kushdi, ndo’ i ditë,
Der sa motra dekun mallit,
Kot ndo’ i her’ mue ka me m’pritë.
Ka me i njeh’, po, krushqit, e mjera,
Me i pru nanës n’shpi nji re:
Por i vllai, kushdi m’ at-hera
Ka me u kalbun për nën dhé!

E, njaj dhé-ehu! Kob prej qiellet!-
S’ka me ken’, jo, dheu i t’ Parëvet,
Ku ma bukur qielli kthjellet,
Ku ma ambël n’gjuh’ t’shqiptarvet
Para Hyut naltohet luta,
E ku besa asht e shejtnueshme,
E ku zemrat, s’dijn’ shka a tuta,
E ku bjeshk’t jan’ të madhnueshme.

Oh, ju bjeshk’t e Shqiptaris’,
Ku ma mir’ shndrit’ dielli e hana,
E ku logu a i bujaris’
E ku rriten djelm si zana!
Un’ ju kurr s’kam me u harrue,
Kahdo t’m’jet gjykue me u endë:
Der’ sa t’muj me ligjrue,
Ju gjithmon’ kam me u përmendë!

E ato halë e qipariza
Kam me i pas’ ndër mend gjithmonë,
E ato stane e njato mriza,
E ato berre e ato kumbonë…
Por, oh, vaj! Malet e mija,
Qe, po zhduken dal’ngadalë;
Gjimon deti, ushton duhija,
Lkundet barka val’ mbi valë.

Lamtumir’, pra, bjeshkë e male!
E ju krepa edhe ju curra;
E ju breshta e ju gjeth hale;
E ju prroje edhe ju gurra!
Lamtumir’ ju mrrize e stana!
Lamtumir’ kumbona e berre!
Lamtumir’, ju fusha t’gjana,
Ju livadhe, ende ju djerre!

Lamtumir’ ti, shpija e t’Parëvet,
Ku ma s’parit m’agoi drita
E ku strehë u dhaç’ shtegtarëve
Miqt e babës’ edhe ku i prita
Lamtumir’, carani m’votër,
Lamtumir’, ju arm’t e shkreta;
Lamtumir’ ti, nanë e motër,
Lamtumir’ për sa t’jet’ jeta!…

Surgite mortui!
(Çohuni të vdekun!)

Po; per Shqyptarë pleqnue e ka Europa,
Qi shi njatyne urë t’u rrijn per dhé,
Të cillët Kishat rrënue ua kanë me topa
E n’ djep foshnjet e njoma ua kàn pré:
Qi t’ ndertat vasha u kanë koritë përdhuni
E rrugash bamë i kanë me dekun ûni.

E mbas sotit Shqyptarët n’ gjuhë t’ huej do t’ flasin;
E gjaksvet t’ vet do t’ bajn kta t’u ngjatët jeta?
Hajnat lapera zotëni do t’ thrrasin,
E t’pa rodit do t’ i apin pagë e t’ dheta;
Me armë shqyptare, n’ za gjithmonë e n’ namë,
Sogje Shqyptari shkjaut do t’ rrijë sod m’ kamë
.
Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’ ketë jetë?
A ka si i bahet kuj ma teper dhún?…
Ehu! Shka do t’ bajn, thue, tash Shqyptarët e shkretë:
Ata, qi m’ vedi pasë e kanë kanun:
Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skanderbeut:
Qi sheklli mbajtë i ka per burra t’ dheut?

Shka bajn Shqyptarët?… Hán’ fiq e kastraveca:
E pijn mastikë, e qesin petlla n’ ujë;
E ngrehen rrugës e fryhen si gjeldeca;
E rrijn tue kqyrun udhës ushtarët e huej
Palè a kanë ksulen qyp a se kapelë,
A e ka uficiali kalin at’ a pélë.

E armët e t’ Parvet shkojn kta tue kerkue,
Ndo ‘i karajfile t’ gjatë, a ndo ‘i tagan: –
Por, jo, – mos drueni! – jo per me luftue
Me malazez të shkyem a me serbjan:
Por per me mujtë me xjerrun kund ndo ‘i grosh
Tue rrêjtë me to ndonji hingliz balosh.

Jo, po; Shqyptarët kanë sot të madh kujdes…
Njata, po thom, qi ndo‘i mirás e presin,
E druen se êmta a gjyshi vrik s’ u des:
Pse per Shqypni, qi krajlat po ua shesin,
S’ çajn kryet aspak, me sa çaj kryet un sot
Per shkarpa t’ vjetra, qi kam shkye kahmot.

Ahi! Turp e marre! Burra, lé e rritun
Me armë mizore n’ dorë, e qi fatosa
T’ Parët i kanë pasë, me ndejë kshtu sod t’ topitun
Si t’ dekunt n’ vorre, sod qi i mbrrika sosa
Së mjeres moj Shqypni edhe Shqyptarvet,
E u shueka Atdheu e u shueka ndera e t’ Parvet!

Ktu, ktu Shqyptarë!… A ndiet?… Ku u kam…Ku jéni?…
Mo’ lêni, burra!… M’ armë!… Mbaroi Kosova!…
Janina humbi!…e ndoshta, Tepeleni…
Shkoi Manastiri! Dibra edhe Gjakova!…
Vendet ma t’ mirat né na i mori shkjau,
E, shk’ asht ma zi, né vlla me vlla na dau!

Ah! M’ kambë, brè burra! Shka jini mshehun
Nder furka t’ gravet, si do rrole t’ kqija?…
Sod armët duen rrokë; taganat sod duen prehun;
Asht turp, per Zotin! Shurdhë me hupë Shqypnija.
Mo’ lêni, burra, bre! Kushtrim! Kushtrim!
A gjallë me ndérë, a dekun grue e trim!

Ku jé, Bibdoda, ti nji rrfé prej qielle?…
Jé derës bujare, e trim i drejtë ti jé!
Flamurin e Shqypnis, sod n’ ajr ti shtielle;
E grishi malet me qindrue p’r Atdhé.
Ku themra e jote per Atdhé të shklase,
Atje kryet t’onë, po, per Atdhé t’ humbase!

Mo’lé’Toptan, qi me shpatë t’ande binde
Nji shekull mbarë m ’at maje Taraboshi!
Prap shpaten njesh, e priju prap ti gjind’e,
– Ndejun n’voter s’ prarohet jo kondoshi…
Mblidh Toskë e Lapë, e sod per Shqyptari
Qindro, s ‘i herë qindrove me trimni.

M’ kambë Dedë Gjo’ Luli! Thonë se ‘i t’ biri t’ shkinës
Lekët e Malcis sod t’ dhetat do t’ ia lajn
Se edhe do t’ vêjn kapicen e Cetinës:
A i mend, thue, ti, kaq marre do t’ a bâjn;
Ata sokolat t’u Lekët e Malcis,
Qi aq gjak kanë derdhun per Liri t’ Shqypnis?

Jo kurr! Jo kurr! Por mbi Deçiq ti xiri
Shka asht i Lekë, e thueju, se Shqypnija,
Aty kufin e ka, per ball me Viri,
E ké me pá ti atëherë, se rrokullija
Me u çue m’ e zhgulë andej, nuk mund t’ a hjekun;
Pse per Shqypni Malcorët janë msue me dekun.

Ah! M’ kambë, Shqyptarë! E mos t’ u lshojë, jo, zemra,
Po Perendija s’ ka me u lanë me u thye.
T’ u bijë nder mend, se fort ma e randë asht themra
E shkjaut kokëtrashë, se guri i vorrit m’ krye.
Urra! Po, djelm! Shqyptar kushdo ka lé,
N’ mos mujtë Shqyptar me mbetë, Shqyptar t’ hijë n’ dhé!

E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mni,
Qi flije t’ bahet ndo ‘i Shqyptar m’ therore,
Qé, mue tek m’ kini, merrni e m’ bani fli
Per Shqyptari, me shue çdo mni mizore. –
Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë
E nami i sajë per jetë u trashigoftë!

Po: Rrnoftë Shqypnija! E porsi krypa n’ Dri
E porsi krandja e that n’nji flakadâ,
U shoftë me arë, me farë me mal me vrri
Kushdo Shqyptar, qi s’brohoritë me zâ,
Kushdo Shqyptar, qi s’brohoritë me uzdajë
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i Saj!

Nga poezitë Gjuha Shqipe. Shqipnia, i Dëbuemi,  çdo shqiptar ndien në thellësi të zemrës embëlsinë e shqipes posi fllad pranvere, ndien  krenarinë e përmallimin për vendin  e të parëve. Papritur Fishta na shfaqet krejt  ndryshe,  tek Surgite mortui!  Bëhet fjalë për fatin e atdheut  të rrezikuar  nga copëtimi,. Zëmërimi i poetit s’ka kufi. Sokëllin me sharrje therëse e mallkime kundër vendimeve të padrejta të diplomacisë Europiane nga një anë dhe shqiptarëve me ndjenja të mpita atdhetare nga ana tjetër. Poezia dridhëruese,  ngjan me një ngrehinë klasike teksa tronditet në çaste tërmeti. Mandej shpërthen kushtrimi e thirrja e luftës  për  kapedanët  e gjallë  apo  të vdekur,   për burrat e djemtë e rinj.  Vargjet e hovëshme  mbyllen me besim e brohori  për Shqipërinë e flamurin e  saj.

Porositë e fundit të Fishtës 

Sipas disa publicistëve shqiptarë dihet se shkrimtarët e njohur në botën e letrave, para largimit nga jeta kanë shprehur fjalët e fundit prekëse, testamente, këshilla, porosi… Pak para se të shuhej  në spitalin e Shkodrës, i ftohur  rëndë në thëllim  e borë, la këshilla e porosi për fretërit e rinj françeskanë. Në testamentin e tij  lexohen  këto fjalë: “Po vdes i kënaqun, sepse kam punue  për atdhe e fe.” Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit  Gjergj Fishta, kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcis” dhe përsëriti  fjalën: “ i kryqëzuemi” në latinisht. Pastaj kërkoi t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”. Ndërsa, një mik i poetit, përmend fjalët e fundit të Fishtës: “Jo për tjetër, por sepse po lë anmikun mbi trollin shqiptar, mue më vjen keq se kam me vdekë.”

Sipas kujtimeve të At Zef Pllumit, kur Fishtës iu kërkua që të refuzonte titullin e Akademikut nga sivëllezërit,  Fishta sipas një rregulli të caktuar duhej të mbante një varg konferencash nëpër institucione të ndryshme kulturore, ai u përgjigj se: “Un ndër konferencat do t’u përsëris italianëve pa ja dà se me të vërtetë Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U bâj edhe nji premtim tjetër se përnji  ato konferenca do t’i kryej për gjashtë muaj, siç e don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipnì.”

Poeti At Gjergj Fishta ndërroi jetë në mbarrim të vitit 1940. Nderimet  fundit u  kryhen në Kishën Françeskane të Gjuhadolit.  Morën pjesë  mijëra vetë nga  Shkodra. Erdhën edhe shumë telegrame, nga Prof. Eqrem Çabej, Zenel Prodani, Spiro Vinjau, Muharrem Bajraktari, Rexhep Mitrovica, Bahri Omari, Karl Gurakuqi, Frano Alkaj, Mihal Bellkameni, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Hafiz Murati etj.

Duke lexuar shkrimin e prof. N.Jorgaqit. kundër Fishtës e françeskanëve, na del para sysh jeta e vepra për atdhe e krijuesit të “Lahutës së Malsisë”  me të cilën iu drejtua tërë kombit shqiptar për bashkim  kundër pushtimit të huaj. Nga vepra e ndritur e Fishtës plot larmi tingujsh, dëgjohet gjuha shqipe “ porsi kanga e zogut t’verës.”

fff 1

         Poetë e shkrimtarë e viteve ’30-’40

 

Exit mobile version