Fatura 120 milionë euro/ Basha: Pse Rama thotë harrojeni komisionin hetimor “Bechetti”…

DEKLARATA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA NË KONFERENCËN E SOTME PËR MEDIAN

Të nderuar bashkëqytetarë që na ndiqni përmes medias, të nderuar përfaqësues të medias.
Në aksionin e saj politik në nisje të parlamentit, ndër të tjera Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e 3 komisioneve hetimore, një komision hetimor për masakrën zgjedhore, një komision hetimor për inceneratorët e mafies së plehrave dhe një komision hetimor për çështjen Becheti.

Siç e keni ndjekur, Komisioni Hetimor për Masakrën Zgjedhore është ngritur, dhe pavarësisht përpjekjeve për ta sabotuar atë, ai vijon dhe ne do ta çojmë deri në fund zbardhjen e plotë të gjithçka që ka ndodhur me votën e shqiptarëve, të çdo aspekti të masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Kjo sepse është një parakusht për të ecur me hapat e tjerë. Ose thënë ndryshe sepse shqiptarët nuk meritojnë përsëritjen e shkrirjes së shtetit me partinë, krimin me oligarkinë si nyja që është mbledhur në fytin e demokracisë, por dhe në fytin e çdo shqiptari. Se pa demokraci, nuk ka ekonomi, nuk ka punësim, nuk ka drejtësi. Kështu që mbetet një prioritet absolut i yni dhe do të vazhdojë pavarësisht prej pengesave që të jem fare i sinqertë me ju, i keni pritur, me siguri parashikuar dhe ju, por që nuk do të lejojmë në asnjë moment ta ndalim punën e këtij komisioni.

Po të shikojmë dy komisionet e tjera, komisionin për inceneratorët dhe komisionin për Bechetin, po vonohen, po sabotohen nga Edi Rama me pretekste sa të gënjeshtërta aq ede acaruese për njerëzit që e kuptojnë fare mirë se çfarë fshihet pas tyre. Edhe në këtë rast dua të jem fare i qartë, siç po përpiqen të sabotojnë komisionin për masakrën zgjedhore dhe nuk kanë për t’ia dal, nuk kanë për t’ia dal edhe në ndaljen e përpjekjes tonë për dy komisionet e tjera hetimore. Në rastin e mafies së inceneratorëve po kërkojnë riformulim të kërkesës tonë dhe riformulimi nuk është në mirëbesim, por është një përpjekje për të kthyer hetimin ndaj mafies së inceneratorëve të plehrave, në një pseudo grup pune për mjedisin. Kur të gjithë e dimë që mjedisin e ndotin, siç bëjnë gjatë verës që të çojnë para tek inceneratorët, afro 800 milion euro ishte shifra e cituar dje, e shpenzuar për këtë qëllim.

Pra, me të njëjtën lehtësi kriminale që i vunë flakën plehrave në Lushnje, në Fier, në Vlorë, e kudo tjetër, në Durrës, që pastaj t’i justifikonin firmat e kryebashkiakëve që lekët tuaja, lekët e shqiptarëve t’iu jepnin mafies së inceneratorëve, me të cilat pastaj i ndajnë, me të njëjtën lehtësi tani mendojnë se do të ndalin apo do të ndryshojnë natyrën e këtij komisioni hetimor në një grup pune për ambientin. Dhe dje halli i tyre sa i përket këtij komisioni hetimor, u shpalos me atë telenovelën e shëmtuar që pat të Edi Ramës me uzurpatorët e krerëve të bashkive që kishte një dhe vetëm një qëllim, që t’i çojnë mbetjet tek inceneratorët. E gjitha ajo batërdisje që iu bë atyre, ka vetëm një qëllim, që mbetjet të shkojnë tek inceneratorët me pronarë offshorë dhe paratë e qytetarëve t’i furnizojnë llogaritë e tyre bankare, sekrete në parajsa fiskale seç ka filluar edhe të shpaloset përmes letrave të pandorës, e do të vazhdoj të shpalosëet edhe në mekanizma të tjerë sepse është një e vërtetë që nuk mund të fshihet dot. Është tepër e madhe, është një minarë që s’ka thes ta fsheh.

Për komisionin Becheti, që është tema kryesore me të cilën dua ta nis këtë bashkëbisedim sot. E keni parë se sa i prerë, në çdo kuptim të fjalës është treguar duke bërtitur se duhet ta harrojmë ngritjen e komisionit Bechetti sepse sipas tij vendimi është i mbuluar nga kofidencialiteti dhe publikimi i vendimit do të dëmton interesat e Shqipërisë. Pra, me fjalë të tjera po thotë: afera e Bechetti-t nuk hetohet dot se është kofidenciale. Ngaqë është kofidenciale nuk mund ta hetoni. Sepse po ta hetoni do dal ai, Erion Veliaj dhe Ëngjëll Agaçi. Thjesht dhe shkurt për çdo shqiptarë: Komisioni hetimor nuk është diçka për të cilën opozita ka nevojë për dakordësinë e qeverisë.

Kushtetuta e Shqipërisë thotë: Kur 28 deputet kërkojnë Komsiion Hetimor, Komisioni Hetimor miratohet, pikë. Ky thotë nuk do ta hetoni ju këtë sepse është kofidenciale dhe dëmton interesat e shqiptarëve. Që Edi Rama gënjen, nuk përbën lajm. Nuk ka besoj njeri në botë që se ka kuptuar, në Shqipëri jo e jo, por duke qenë se bëhet fjalë për një dëm 120 milionë euro, apo më shumë, fshehja e tij pas sekretit apo kofidencialitetit siç e quan, është qesharake, sepse vendimi në fakt është “fshehur” në hapësirën më sekrete të botës që quhet, internet. Ja ku është vendimi, klikohet linku, edhe një 6 vjeçarë që vendimi sekret i Edi Ramës në fakt është në internet. Ja ku e keni vendimin e plotë. Në çdo rast ne do ta publikojmë, për të gjithë qytetarët, sepse paratë me të cilat do të paguaj ky këto 120 milion euro do të dalin nga xhepat e të gjithë shqiptarëve, Ky është vendimi që Edi Rama është sekret. Kaq sekret është, saqë me një smartphone, me një ëifi, kudo ku të jeni në këtë moment, në shtëpi apo në një ambient ku ka ëifi, klikoni linkun dhe iu del vendimi i cili përcakton qartë se për shkak të luftës personale të Edi Ramës me Bechettin, ne shqiptarët, ju do t’i paguani 120 milion euro. Po çfarë thotë ky vet, dëgjojeni pak çfarë thotë. (futet video)

E dinte fare mirë që vendimi është përfundimtar. Kur ka bërë këtë deklaratë Edi Rama e dinte fare mirë edhe për faktin se studiot ligjore ia kanë konfirmuar dhe vazhdon të gënjejë edhe sot duke prodhuar justifikime për të fshehur të vërteta që siç ua thashë një 10-vjeçar me një telefon smart në dorë i gjen në internet. Edhe njëherë videon.

Tani pyetja është pse gënjen kur i ka të gjitha faktet kundër? Dhe faktet janë të publikuara në internet, nuk do ndonjë mund të madh për t’i zbuluar. Pse gënjen? Pse në kundërshtim me të drejtën Kushtetuese të opozitës kërkon të pengojë ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen Beketti? Që të kontrollojë ligjshmërinë e veprimeve të tij, të mosveprimeve të institucioneve shtetëror dhe të funksionarëve publikë që kanë sjellë si pasojë vendimin e arbitrazhit? Pse vazhdon të gënjejë me gjoja sekretin e një dokumenti që është publik? Pse? Arsyeja si fillim është shuma e frikshme, 120 milionë euro. Është një shumë që ai dhe shpura e tij me veprimet e tyre kriminale ia kanë vendosur në kurriz çdo shqiptari.
Kanë filluar ndërkohë ta paguajnë me taksat që u marrin shqiptarëve.

Janë 120 milionë euro të vendit më të varfër në Europë. Nuk po shkojnë as për infrastrukturë, as për ujësjellës, as për çerdhe, as për çerdhe, as për shkolla. Nuk po shkojnë as për pensionistët, nuk po shkojnë as për ndihmën e ekonomike për shtresat në nevojë, as për kompensimin e pronarëve apo të përndjekurve dhe shumë e shumë çështje të tjera të domosdoshme për familjet shqiptare që janë sot në darën e çmimeve që rriten ditë për ditë. Por po shkojnë tek një njeri Francesko Bechetti të cilit i shpalli luftë personale bashkë me Erion Veliajn dhe për shkak të luftës së tij personale këto para në vend që të shkojnë tek ata njerëz, do të shkojnë në xhepat e një njeriu.

Prandaj del del e thotë harrojeni komisionin hetimor, harrojeni thotë. Në vend që paratë të shkojnë tek qytetaret, paratë do të dalin nga xhepat e qytetarëve për të mbuluar gropën që ka hapur ky. Harroje thotë ndërkohë që 120 milionë euro, siç mund ta mbani mend sidomos ju që keni mbuluar pandeminë janë baras me ato gjysmë paketat që ofroi vitin e kaluar. Tani i merr një njeri i vetëm. Aq ishin, 60 milionë e para, 60 milionë e dyta afërsisht.

Harroje thotë ndërkohë që FMN-ja konfirmoi dje që kemi vdekshmërinë më të lartë në Europë prej pandemisë ndërkohë që ky flet për histori suksesi. Harrojeni thotë Komisionin Hetimor ndërkohë që këto 120 milionë euro do t’ju hiqen njërëzve, do t’i hiqen bukës së fëmijëve të shqiptarëve, do t’i hiqen ilaçeve të të sëmurëve, do t’i hiqen familjeve me fëmijë të sëmurë nga leucemia që siç e keni parë nuk kanë ilaçe për t’i trajtuar.
Mediat e kanë mbuluar dhe i përgëzoj, këtë krim të shëmtuar. Nuk kanë para për të blerë ilaçe për fëmijët e sëmurë me leucemi sepse paratë po hiqen për të shkuar tek Bechetti. E keni dëgjuar besoj dëshmitë e nënave, s’ka nevojë të zgjatem shumë se dhimbja flet vetë që shpenzojnë miliona e zhyten në borxh për fëmijët në mungesë të barnave në spitale. Pse? Sepse ky do i çojë lekët, dhe po i çon lekët tek Bechetti.

Gjejeni pak kronikën e Zërit të Amerikës dhe shikoni zhytjen e familjeve në borxhe për të blerë ilaçe, jo bukë dhe as këpucë, por ilaçe për fëmijët e tyre ndërkohë që ky u merr 120 milionë euro nga taksat e tyre për të paguar Bechettin. Ky që tha që nuk do marri asnjë lek Bechetti. Ky ta harrojë që ne do ta harrojmë ketë komision hetimor sepse kjo mynxyrë duhet zbardhur, duhet hetuar dhe përgjegjësit do të marrin faturën e merituar financiare, penale dhe të gjithanshme. Sepse për fat të keq ndonëse janë këta përgjegjësit paratë që po konfiskohen janë paratë e shqiptarëve. Brenda dhe jashtë vendit. Janë paratë e fermerëve që punojnë nga mëngjesi deri natën në fusha, janë paratë e grave që punojnë në fasoneri, janë paratë e taksave të sipërmarrësve shqiptarë që janë sot më të drobiturit në Ballkan, për të mos folur për Europën, janë paratë e orareve të zgjatura të inxhinierëve, të profesionistëve, të punëtorëve, të baballarëve të studentëve dhe të vogëlushëve shqiptarë. Me këto para ky paguan Bechettin.

Këtë dëm të madh e kanë bërë 3 persona të cilët sot përpiqen të fshihen pas vendimit duke e deklaruar vendimin top-sekret. Por vendimi është në internet dhe një vendim në internet nuk mund të jetë një vendim top-sekret. Ndaj kuptohet qartë që edhe mbyllja e medias së Bechettit ka qenë e motivuar politikisht dhe vendimi është marrë me vetëdije që të shkelet ligji për qëllime politike.

Ndaj për këtë arsye përgjegjësia është e qartë, është e Edi Ramës e Erion Veliajt dhe e Engjëll Agaçit siç është specifikuar edhe në kërkesën tonë për komisionin hetimor. Emrat e tyre janë të rreshtuar në vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë të rreshtuar për dëmin e madh që i janë bërë interesave të shtetit shqiptar, interesave të taksapaguesve shqiptarë jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe sa i përket investimeve të huaja dhe sa i përket lirisë së medias duke u shprehur në përfundime se: “Vendimet e sekuestrimit ishin kulmi i nj fushate politike kundër Bechetit”, thotë Gjykata e Arbitrazhit në Shtetet e Bashkuiara të Amerikës. Ky është citim. Pra janë presionet e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Engjëll Agaçit që na kanë dhënë këtë faturë marramendëse që bashkuar me paaftësinë, korrupsionin, koncensionet, PPP-të që e kanë rreckosur këtë shtet e bëjnë të detyrueshme, të paevitueshme ngritjen e Komisionit Hetimor për të çuar përgjegjësit aty ku e kanë vendin.

Sepse ky që sokëllin, që do të ndalë këtë komision, jo sepse dëmton interesin e shtetit shqiptar, por sepse e ndihmon interesin e shtetit shqiptar, por dëmton interesat e tij, që për një luftë personale i ka hapur një tjetër gropë prej 120 milionë euro qytetarëve shqiptarë, arkës së shtetit, buxhetit të shtetit. Prej afro një jave jeni dëshmitarë të përpjekjeve tona për të çuar përpara tre kërkesat tona për komisionet hetimore. Ne kemi informacione të plota se kërkesa për të mos miratuar komisionin Bechetti është urdhër i drejtpërdrejtë i Edi Ramës dhe Taulant Ballës dhe kjo tregon po kështu se si funksionon shteti shqiptar , ku është katandisur shteti shqiptar, ndaj në kontakt edhe me partnerët ndërkombëtarë dhe të vendosur për ti shkuar deri në fund kësaj afere sot e në ditët në vijim ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm që komisioni hetimor Becheti të përfundojë me ngritjen e tij dhe të nisë një orë e më parë nga puna për të zbardhur para shqiptarëve këtë aferë të tmerrshme dhe përgjegjësit e kësaj afere dhe për ti çuar ata para drejtësisë.

Ndërkohë që java e ardhshme është java e fundit e zemërgjerësisë opozitare për riformulimin e e kërkesës për inceneratorët, riformulim që ta shndërrojë komisionin hetimor për inceneratorët, grup pune për mjedisin nuk ka për të pasur. Nuk ka për të pasur asnjë milimetër tërheqje sepse nuk po bëjmë dhe nuk po kërkojmë asgjë për veten tonë por vetëm për interesin publik. Mafia e inceneratorëve, aktiviteti i tyre shkatërrimtar për buxhetin e shtetit, për shëndetin e shqiptarëve, por edhe për ambientin dhe lidhjet e tyre me politikën dhe faktorë të tjerë të fuqishëm ekonomiko-mediatik do të hetohen deri në fund.

Exit mobile version