Bardhi: U keqpërdorën të dhënat sensitive personale të qytetarëve për të favorizuar PS dhe për të shantazhuar zgjedhësit 

FJALA E PLOTË E GAZMENT BARDHIT NË MBLEDHJEN E KOMISIONIT HETIMOR

Sipas një investigimi të publikuar në 11 prill, media Lapsi.al ka arritur ta sigurojë një database ku janë të përfshira të dhëna personale dhe sensitive të 910 mijë votuesve të Tiranës nga 19 deri në moshën 99 vjeç.

Dokumenti përmban të dhënat personale, si numrat e telefonit, numrin e kartës së identitetit, numrin e qendrës së votimit, vendin e punës për shumicën e të regjistruarve dhe një përshkrim të përkatësisë politike për secilin prej qytetarëve të Tiranës, e cila praktikisht është fryti i një pune monitorimi të qytetarëve, që ka në themel të saj, të dhënat që ne ia kemi besuar shtetit.

Në dokumentin e siguruar nga Lapsi.al, që është afërsisht 234 MB, përkatësia politike e secilit është përshkruar shkurt me PO ose me JO në një kollonë, nga personat që janë pjesë e skemës së “patronazhit”.

Në database, përmbajtja e të cilit përbën vepër penale, janë të dhënat për 910 mijë qytetarë të Tiranës të cilët nuk i kanë dorëzuar me vullnetin e tyre informacionet për Partinë Socialiste, por ato i janë vjedhur secilit prej nesh, që nga numrat e telefonit, numri ID i kartës së identitetit apo vendi i punës etj.

Sipas investigimit, ky dokument është shpërndarë në kompjuterat e selisë së PS të Tiranës, ku bëhet përpunimi i të dhënave, e njëjta procedurë antiligjore ndodh në selitë e degëve të PS në qarqet e tjera, duke e shpërndarë këtë skemë pune për të gjithë votuesit e Shqipërisë.

Nga një verifikim i thjeshtë, rezulton se të dhënat e qytetarëve janë azhornuar në muajt e fundit. Gjatë kohës së pandemisë, e-Albania ka qenë një ndër aplikacionet jetike, kur secili prej nesh është detyruar ta përdorë për një qëllim apo një tjetër.

e-Albania është një zyrë me një ndalesë për shërbimet online të administratës publike dhe lidhet me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit (Government Gateëay), në të cilën janë lidhur 48 sisteme të cilat shkëmbejnë të dhëna në kohë reale. e-Albania është krijuar dhe administrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), institucion në varësi të Kryeministrit.

Të gjitha të dhënat personale që përpunohen nga portali e-Albania kanë qëllim vetëm marrjen e shërbimeve të ofruara nga kjo e fundit dhe në bazë të ligjit nuk lejohet transferimi i këtyre të dhënave ndonjë pale të tretë pa miratimin paraprak të personit të të dhënave.

Sistemi i të dhënave përfshin informacione për ministra, familjarë të tyre, drejtorë, prokurorë, avokatë, gjyqtarë, policë, gazetarë të të gjitha mediave në Tiranë, aktorë të angazhuar apo jo në politikë, personazhe të shoqërisë civile dhe të jetës publike, të gjithë nën vëzhgimin syrit magjik, që sheh përtej ligjit.

Përdorimi i të dhënave personale dhe sensitive vjen në kundërshim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën, Kodin Penal, Kodin Zgjedhor si dhe Ligjin Nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Ky krim i shumëfishtë me përmasa ndërkombëtare, përbën një rast flagrant se si shteti i vë në dispozicion Partisë infrastrukturën e tij për të fituar zgjedhjet. Mbledhja, përpunimi dhe publikimi i të dhënave të personale dhe sensitive, për të cilat askush nuk ka dhënë pëlqimin e tij për mbledhjen, përpunimin apo publikimin e tyre, përbën shkelje ligji sikurse është trajtuar në çështjen Radu v. Moldavia, 2014. Nga ana tjetër, origjina etnike, bindjet, anësia politike, ose pjesëmarrja në shoqata apo sindikata parashikohen edhe si të dhëna sensitive nga neni 3 § 2 i ligjit 9887 të trajtuara gjithashtu në çështjet Catt k. Mbretërisë së Bashkuar § 112, dhe S. and Marper k. Mbretërisë së Bashkuar § 66.

Nëpërmjet kësaj skeme kriminale që cënon rëndë procesin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në mënyrë të paprecedentë janë instaluar kompjutera dhe servera në Selinë e Partisë Socialiste, duke përdorur për fushatë të dhënat konfidenciale dhe personale të qytetarëve nga portali e-Albania.

Duke përdorur të dhënat personale të administruara nga shteti, Partia Socialiste ka disponuar në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të qytetarëve në kohë reale bazuar në qendrat e votimit, të tilla si: a janë apo jo qytetarët e punësuar, a kanë detyrime tatimore, a kanë aplikuar për legalizime, hipoteka apo do certifikatë tjetër të lëshuar nga ASHK-ja, a kanë paguar sigurime shoqërore, a kanë aplikuar për leje ndërtimi, a kanë aplikuar për licence apo leje të ndryshme etj.

Duke shfrytëzuar informacionin sensitiv të të dhënave personale si dhe administratën publike, e cila përbëhet kryesisht me persona të emëruar politikisht dhe militantë të Partisë Socialiste, ju drejtuan qytetarëve të evidentuar nga të dhënat qeveritare, duke u premtuar shërbime për të cilën ata kanë nevojë, në këmbim të votës për Partinë Socialiste.

Përgjegjës për këtë skandal të përmasave ndërkombëtare, janë shtetasit Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministrër i Republikës së Shqipërisë, Bledi Çuçi, Ministër i Brendshëm, Anila Denaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Arben Pëllumbi, Sekretar Organizativ dhe i Koordinimit Elektoral në Partinë Socialiste dhe Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Mirlinda Karçanaj, Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Bledar Doracaj, Drejtori i Pergjithshëm i Gjendjes Civile dhe Enton Duro, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, të cilët me veprime konkrete kanë konsumuar veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” parashikuar nga neni 328/a, “Përhapjes së sekreteve vetjake” parashikuar nga neni 122 dhe “Grupit të strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a të Kodit Penal.

Skandali me të dhënat personale u evidentua edhe në Raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it. Rrjedhja e të dhënave personale sensitive, duke përfshirë edhe preferencat politike të zgjedhësve përbën shqetësim serioz dhe i bën zgjedhësit vulnerabël (shih fq. 2). Gjatë fushatës, nëpërmjet një rrjedhjeje informacioni, në domenin publik doli një databazë me informacione personale dhe detaje kontakti për afërsisht 900.000 qytetarë shqiptarë, që përmbante edhe preferencat e tyre potenciale të votimit. Ekzistenca e kësaj databaze në domenin publik u konfirmua në mënyrë të pavarur nga MKVZ-ja e ODIHR-it. Disa bashkëbisedues të MKVZ-së nga partitë kryesore politike besonin se një incident i tillë mund të konsiderohej nga elektorati si shpërdorim i të dhënave personale për interesat e partive (shih fq. 12).

Në muajin gusht, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbylli hetimin administrativ mbi çështje e Patronazhistëve dhe miratori Rekomandimin Nr. 44, datë 19.08.2021 “Për kontrolluesin “Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Komisioneri del në përfundimin se: “Faktet dhe rrethanat e hetimit administrativ nuk krijojnë kushtet për të evidentuar dhe provuar, në terma dhe hapa konkretë hetimor, krijimin dhe përdorimin e Bazës së të Dhënave nga asnjë subjekt hetimi administrativ”. Pra fakti që një bazë të dhënash personale e sensitive ndodhet në serverin lokal të PS-së dhe që pasurimi i të dhënave është bërë në bazë të një urdhëri të brendshëm të partisë si dhe fakti që është krijuar një mekanizëm për mbledhjen e të dhënave personale sensitive të individëve, nuk mjaftojnë. Për Komisionerin, mosekzistenca e një baze të dhënash të ngjashme në asnjë territor tjetër të organizimit politik e përjashton PS-në nga dyshimi për autorësinë (?). Por në vijim, Komisioneri nuk përjashton mundësinë që për shkak të ngjashmërive të të dhënave, baza të jetë krijuar dhe përdorur nga nivele lokale organizimi politiko-zgjedhor dhe/ose organizime apo struktura të kandidatëve të veçantë.

Më tej, duke ngatërruar qëllimisht krijimin dhe përdorimin e bazës së të dhënave me rrjedhjen e saj nga patronazhistë apo persona te tjerë, Komisioneri gjen se: (i) mund të kemi të bëjmë me një përdorim te paautorizuar në tejkalim të qëllimit të përpunimit; (ii) mund të kemi të bëjmë me mungesë të masave tekniko-administrative; (iii) ka një mangësi në nivel njohurish dhe, (iv) nuk janë marrë masa konkrete për trajnimin e punonjësve (pra Patronazhistëve).

Në përfundim, shkelja e ligjit dhe Kushtetutës me një Udhëzim të brendshëm të Partisë mbulohet si injorancë ndaj ligjit dhe lehtësohet nga “angazhimi serioz për të rekuperuar mangësitë e konstatuara”. Zelli për të mbrojtur këto shkelje vete deri aty sa Komisioneri mundohet të marrë një pjesë të fajit mbi vete duke theksuar se po rishikon Udhëzimin e vitit 2013 për përpunimin e të dhënave personale për qëllime të fushatës zgjedhore “në mënyre që të artikulojë edhe më qartësisht e konkretisht përgjegjësitë e subjekteve politike”.

Në mbyllje të këtij hetimi që fakton shkeljen e të drejtave themelore të qytetarëve, Komisioneri mjaftohet me katër rekomandime që thjesht i kërkojnë Partisë në pushtet të lexojë më mirë ligjin në të ardhmen.

Exit mobile version