DEKLARATE E PARTISE DEMOKRATIKE
Gjyqtarët e korruptuar, si Bedri Qori, i dhanë sot Edi Ramës të drejtën për të përdorur policë të perfshirë në trafikun e drogës, si Olsian Bistro, për të legjitimuar vjedhjen e zgjedhjeve.
Në vend të ndëshkimit të atyre që morën pjesë në masakrën zgjedhore të 25 Prillit, gjyqtari nën presionin e vetingut dënoi për shpifje përfaqësuesit e PD në KQZ dhe atyre në Gjirokastër, që denoncuan përfshirjen e policisë në masakrën zgjedhore. Vendimi i padrejtë i gjyqtarit me pasuri të pajustifikuara iu nënshtrua presionit të pushtetit për të mbrojtur një polic të rangut të lartë, që bëri fushatë në Gjirokastër për Ministrin e Brendshëm dhe u shpërblye tani me postin e drejtorit të Policisë në Lezhë.
Nuk është shpifje që Olsian Bistro është i përfshirë në trafikun e drogës, gjatë kohës kur drejtonte Komisariatin e Pogradecit. Ky informacion i përket Shërbimit Informativ Shtetëror, që e identifikoi Olsian Bistron në listën e 128 policëve të përfshirë në trafikun e drogës në 2016-ën.
Shërbimet korruptive të gjyqësorit ndaj Edi Ramës nuk do ta ndalojnë Partinë Demokratike që të denoncojë përfshirjen e drejtuesve të Policisë së Shtetit në trafikun e lëndëve narkotike dhe shitblerjen e votave.
Veglat e Edi Ramës në Gjykatë dhe në Polici nuk mund të shuajnë zërin e përfaqësuesve të PD kundër çdo akti kriminal dhe çdo vendimi korruptiv që minon demokracinë.